Politika

Zgjedhjet e pjesshme vendore, Rama: Ajo që ndodh në më pak se 2 orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të fitores

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zgjedhjet e pjesshme vendore duke thënë se zgjedhjet i dhanë PS as më pak e as më shumë nga sa prisnin ndonëse deri tani rezulton fituese në tre bashki (Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje).
Me reagimin në Facebook, Rama uron fituesit dhe falenderon zgjedhësit ndërsa shton se për shkak të luftës në Ukrainë, nuk e shijojnë dot këtë fitore. Duke iu referuar luftës thotë se nuk është rindryshim i përkohshëm pasi po ndikon kudo në tregjet e mëdha e të vogla duke bërë që jeta e përditshme të shtrenjtohet orë e minutë.

Edi Rama: Zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste as më shumë e as më pak se sa prisnim. 5 nga 6 bashkitë në garë – me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona. Urime fituesve dhe faleminderit të gjithë atyre që u angazhuan për këtë rezultat, po mbi të gjitha faleminderit zgjedhësve, të cilët dje ushtruan pushtetin e tyre vendimmarrës në interes të komunitetit.

Thënë kjo, nuk rri dot pa shtuar sot se ajo që po ndodh në më pak se dy orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje. Sa hap e mbyll sytë bota ku jetonim ka rindryshuar përsëri. Por ndryshe nga ndryshimi i përkohshëm që na ka imponuar pandemia, ky rindryshim duket se nuk do të jetë aq i përkohshëm. Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo.

Nga ana tjetër, Rama thotë se fundi i botës nuk mund të përjashtohet nga skenarët e mundshëm pas pushtimit të forcave ruse në Ukrainë. Pas tërmetit e pandemisë, këtë e konsideron si më të keqen që i ka dalë përpara dhe thotë se duhet t’ia dalin edhe kësaj duke qëndruar të bashkuar.

Edi Rama: Sa hap e mbyll sytë filmat me Luftën e Tretë Botërore, armët atomike, shkretimin e vendbanimeve, ia kanë lënë vendin realitetit të jetës sonë, ku duket sikur s’ka më asnjë çmenduri të pamundur dhe sikur as vetë fundi i botës, nuk mund të përjashtohet si një nga skenarët e mundshëm. Ndërkohë ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste! Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë.

Ia dolëm me tërmetin dhe me pandeminë, e gabimisht menduam se më e keqja kaloi. Kjo që sapo na ka dalë përpara është më e keqja fare. Duhet me se s’bën t’ia dalim edhe kësaj. Të bashkuar, jo të ndarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button