Kronika

Tirana feston Natën e Bardhë edhe nën tingujt e Emeli Sande’

Nata e Bardhë, e kthyer në një festë tradicionale tashmë për kryeqytetin shqiptar çdo 29 Nëntor, është festuar edhe këtë vit nën tingujt e muzikës, dekorit kuq e zi dhe aktiviteteve festive.

Mbrëmja preku kulmin me koncertin e këngëtares skoceze me famë botërore Emili Sande’, e cila mblodhi në sheshin “Skënderbej” me mijëra qytetarë, të cilët festuan nën tingujt e këngëve të saj më të njohura “My kind of love” dhe “Read all about it”.

Por, kryeqyteti rezervoi edhe shumë aktivitete të tjera kulturore.

Kështu në Hollin e Teatrit të Kukullave u hap ekspozita e pikturës me punimet e fëmijëve kushtuar Ditës së Pavarësisë.

Ndërsa Qendra Kombëtare e Kulturës organizoi një koncert festiv me programacion të zgjedhur me krijimtari të reja nga kurset e fëmijëve të qendrës duke iu përshtatur tematikës së kësaj dite.

Ishin katër shfaqje teatrore për femijë ”Kësulëkuqja”, ”Qeni që nuk dinte të lehte”, ”Kush është fajtori” dhe ”Princesha Teutë”.

Në vazhdim u shfaqën edhe filma për fëmijë, të huaj dhe shqiptarë si ”Mimoza llastica”, ”Një gjeneral kapet rob” e tjerë.

Në Teatrin Kombëtar u dhanë shfaqet “Mashtrimi” dhe “Plako t’majt e jotja” nga Gent Hazizi.

Ndërkohë edhe Cirku Kombëtar rezervoi shfaqje gjatë gjithë kohës për qytetarët me program me numra të përzgjedhur.

Tek Galeria Kombëtare e Arteve u çel ekspozita e artistit bashkëkohor nga Kosova Zeni Ballazhi.

Gjithashtu u çel një ekspozitë e artistes gjermane Rosamarie Trocker dhe ekspozita e artistit britanik Grayson Perry.

Ndërsa Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit gjatë gjithë mbrëmjes qëndroi i hapur për vizitorët, të cilët mundën të bënin foto në ambjentet e AQSHF-së, vizitë në ambjentet e punës, biseda me stafin e tjerë.

Ndërsa u shfaqën edhe filmat “Lule të kuqe, lule të zeza” një film i vitit 2003 nga Mevlan Shanaj.

Gjithashtu u zhvillua një bisedë me të ftuarit Natasha Lako, skenariste, dhe Mevlan Shanaj, regjisor i filmit.

Ndërsa më pas u shfaq filmi ”Çatia” i regjisorit italian Vittoria De Sica, i vitit 1955.

Gjithashtu aktivitetete dhe panaire u zhvilluan edhe në zonat pedonale dhe sheshin ”Nënë Tereza”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button