Kronika

Shqipëria mbështetje për transformimin e FSK-së në ushtri

Shqipëria do të ofrojë mbështetjen e saj për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, gjithnjë sipas ndryshimeve kushtetuese dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të të dyja vendeve, deklaroi sot në Prishtinë shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Bardhyll Kollçaku.

Gjenerali shqiptar vizitoi sot Ministrinë e FSK-së ku u takua me ministrin Rrustem Berisha dhe komandantin e FSK-së Rrahman Rama.

Kjo ishte vizita e parë e Kollçakut jashtë vendit pas emërimit të tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Kollçaku tha se mbështetja për FSK-në do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

“Jemi të vendosur ta mbështesim transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur brenda ndryshimeve kushtetuese në konsultim me partnerët. Jemi të vendosur që bashkëpunimin ta thellojmë në fushën e trajnimit, por edhe të stërvitjeve, por pa e lënë pas dore edhe mundësinë që FSK të jetë pjesë e NATO-s për të siguruar sigurinë rajonale dhe më gjerë sepse niveli profesional dhe stërvitja e lejon një mundësi të tillë”, tha Kollçaku.

Ai shprehu falënderimet e tij për ndihmën që qeveria e Kosovës ka dhënë për Shqipërinë duke dërguar pjesëtarë të FSK-së në Shqipëri për të ndihmuar në zonat e përmbytyra.

“FSK e tregoi veten jo vetëm në reagimin e menjëhershëm, por edhe në profesionalizmin e anëtarëve të saj duke ndërtuar urat e shkatërruara apo duke ndihmuar popullatën në zonat e prekura nga përmbytjet”, tha Kollçaku.

Ndërsa gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se Kosova ka nevojë për eksperiencat e ushtrisë shqiptare.

“FSK po e përmbyll këtë vit me sukses dhe pjesë e këtij suksesi janë edhe Forcat e Armatosura. Por diskutuam edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen e këtyre forcave dhe absolutisht ne do ta kemi përkrahjen, kemi nevojë për eksperiencat e ushtrisë shqiptare sidomos në aspektin e integrimit evropian”, tha Rama.

Gjenerali shqiptar ka vizituar edhe Qendrën për Studime Universitare, të ngritur në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button