Kosova

Veseli kryetar i PDK-së me asnjë votë kundër, urojnë Thaçi e Mustafa

Me 740 vota të delegatëve të Konventës së Jashtëzakonshme të Partisë Demokratike të Kosovës dhe pa asnjë votë kundër, Kadri Veseli është zgjedhur kryetar i ri partisë më të madhe kosovare.

Edhe pse gara për kryetar ishte e hapur prej disa javësh, asnjë zyrtarë i PDK-së nuk ka dalë kundër kandidat i Veselit, ndërsa ky i fundit i falënderoi anëtarët për besimin unanim por edhe ish-liderin partiak.

“Jeta më ka mësuar se asgjë më të shenjtë nuk ka sesa besimi i njeriut dhe faleminderit për këtë besim, do të jem mirënjohës gjithmonë. Falënderimi i parë shkon për njeriun që e udhëhoqi, ndërtoi dhe krijo PDK-në, presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçin”, tha Kadri Veseli.

Kryetari i ri i PDK-së që mbanë edhe detyrën e kryeparlamentarit kosovarë u zotua se do të punojë në reformim të partisë duke hapur dyert për kuadro të reja, ndërsa premtoi vazhdimin e punës për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Jam shumë i sigurt se PDK do të vazhdojë qëllimin dhe vizionin e saj për shtet të pavarur dhe sovran, të zhvilluar ekonomikisht dhe që punon çdo moment për ndërtimin e shtetit, ne jemi parti pro-evropiane”, shtoi kryetari i ri i PDK-së.

I pari që e ka uruar zgjedhjen e Veselit ka qenë ish-lideri i PDK-së Hashim Thaçi.

“Kam udhëqur me krenari PDK-në mbi 16 vite para se të bëhem President i Republikës. Sot ndihem shumë mirë kur shoh tranzicionin e suksesshëm në lidershipin e PDK.  Kryetarit të ri z Kadri Veseli i uroj zgjedhjen në një proces transparent.  Kam besim se ju z.Veseli dhe lidershipi i PDK do të forconi institucionet, do të thelloni me tutje reformat demokratike, do ta fuqizoni unitetin e vendit, kohezionin qytetar si dhe dialogun ndër-partiak, dhe do ta afroni edhe më shpejt Kosovën në NATO dhe BE. Urime juve dhe anëtarësisë së PDK në hapjen e një kapitulli të ri”, shkruan Thaçi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka uruar Partinë Demokratike të Kosovës për Konventën e sotme, si dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë. Sipas një komunikate, kryetari i LDK-së Isa Mustafa i ka uruar suksese kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, duke shprehur besimin në bashkëpunim të mëtejmë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta të shoqërisë dhe skenës politike kosovare. Mustafa ka shprehur besimin se ky bashkëpunim do të jetë edhe në fushën e zhvillimit ekonomik, në fuqizimin e shtetit, në miqësi të vazhdueshme me SHBA-të, vendet e BE-së dhe shtetet tjera mike.

“Kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa i uron suksese z. Kadri Veseli në këtë detyrë, duke shprehur besimin në bashkëpunim të mëtejmë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta të shoqërisë dhe skenës politike kosovare për avancimin e proceseve integruese euroatlantike, për zhvillim ekonomik dhe fuqizim të shtetit, në miqësi të vazhdueshme me SHBA-të, vendet e BE-së dhe shtetet tjera mike”, thuhet në komunikatë.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, emri i Kadri Veselit ishte i njohur në opinion për punën që ai ka bërë për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në udhëheqjen e Shërbimit Informativ të Kosovës deri më 2008 kur edhe zyrtarisht e deklaroi të mbyllur.

Veseli zyrtarisht i është bashkuar PDK-së më 2 nëntor 2012 ku mori edhe librezën partiake në vendlindjen e tij në Mitrovicë, për të vazhduar pastaj marrjen e detyrave udhëheqëse në parti dhe në institucione.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button