Rajoni

Soylu: Për zgjedhjet në Türkiye janë angazhuar mbi 600 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Türkiyes, Süleyman Soylu, tha se sot në terren janë mbi 600 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë, të cilët janë të ngarkuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe sigurisë deri në mbylljen e qendrave të votimit, raporton Anadolu.

Qendrat e votimit anembanë Türkiyes u hapën mëngjesin e sotëm në orën tetë me orën lokale, duke shënuar fillimin e votimit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Soylu, kandidat për deputet, votoi në zonën Gaziosmanpasa të Istanbulit. Ai uroi që zgjedhjet të ishin të dobishme për Türkiyen.

Në një deklaratë për media pas votimit, së bashku me guvernatorët, shefat e policisë dhe komandantët e xhandarmërisë, zyrtarët dhanë një vlerësim të procesit të votimit në Türkiye.

“Procesi i votimit filloi pa asnjë problem në të gjithë Türkiyen”, tha Soylu.

Sipas tij, Türkiye ka përvojë dhe mirëkuptim të madh në lidhje me sigurinë e zgjedhjeve.

“Sot në terren kemi vendosur 601 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë, policisë, xhandarmërisë, rojës sonë bregdetare dhe sigurimit. Ata do të kryejnë detyrat e tyre deri në fund të zgjedhjeve”, tha Soylu.

Siç tha ai, janë angazhuar 79 helikopterë dhe tetë avionë.

Duke folur për zgjedhjet në zonat e prekura nga tërmetet shkatërruese të shkurtit të këtij viti, Soylu tha se deri më tani procesi zgjedhor në këtë zonë po zhvillohet pa asnjë problem.

“Unë besoj se Türkiye do të marrë vendimin e duhur. Shpresoj se do të jetë vendim i mirë dhe i favorshëm për kombin tonë, vendin tonë dhe të ardhmen tonë”, shtoi Soylu.

Rreth 60,7 milionë qytetarë turq janë regjistruar për të votuar në Türkiye, kurse jashtë vendit ishin të regjistruar 3,4 milionë votues.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button