Politika

Basha: Me Ramën nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar sërish kryeministrin Rama se synon që me të ardhurat e drogës të blejë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Pasi nuk ka mbajtur asnjë premtim, Edi Rama nuk mund të përballet me qytetarët në zgjedhje të lira dhe të ndershme, prandaj është kundër votimit dhe numërimit elektronik dhe shpreson që me presionin e krimit dhe paratë e drogës e korrupsionit të deformojë vullnetin e zgjedhësve”, ka deklaruar Basha.

Këtë deklaratë kryetari i opozitës e ka bërë në një bashkëbisedim me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Korçë. Në fjalën e tij, Basha ka vënë në dukje se zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe largimi i Edi Ramës janë themeli i garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Nuk e deshën votimin elektronik, nuk e duan votimin elektronik se kanë bërë një investim të madh tek droga, tek krimi dhe duan që përmes drogës dhe krimit të diktojnë zgjedhjet e ardhshme”, ka vijuar Basha.

Sipas tij, këtë tashmë nuk e thonë vetëm demokratët dhe qytetarët shqiptarë, por e gjithë bota përmes mediave më prestigjoze.

“Portali më i madh amerikan, gazeta e Kongresit Amerikan thotë qartë se Edi Rama e ka mbushur Shqipërinë me drogë me qëllim që të diktojë përmes drogës zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Basha.

Ai ka shtuar se, “zbatimi i ligjit të dekriminalizimit do të jetë një nga kushtet thelbësore për zgjedhjet e ardhshme, së bashku me kushtin tjetër madhor që PD dhe elektorati kanë vendosur: “Që me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka shtuar Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button