Lehtësi tatimore dhe ulje burokracish për investitorët e huaja
Biznesi italian u ftua të martën nga ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato për të investuar në Shqipëri, pasi sipas saj, qeveria do të lehtësojë barrën fiskale por edhe burokratike për sipërmarrjen.
“Sfida jonë është krijimi i një klime të favorshme për biznesin, për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit. Ka ende potenciale të pashfrytëzuara në turizëm, bujqësi dhe industri”, tha Qato.
Përjashtimi nga taksat për 10 vitet e para fiskale dhe TVSH 6% nga 20% për furnizimin e shërbimeve dhe strukturave akomoduese me 4 dhe 5 yje, është oferta joshëse e qeverisë, e cila përmes saj shpreson të tërheqë më shumë investime në turizëm, veçanërisht nga kompanitë e mëdha të huaja. ” Kjo paketë e bën vendin konkurrues edhe në rajon”, deklaroi Qato.
Por, lehtësitë tatimore nuk janë oferta e vetme që qeveria ka për biznesin. Paralelisht, ministrja Qato tha se investimet do të nxiten edhe nga reforma e derregullimit, e cila thjeshton procedurat dhe ul kostot për biznesin.
Reforma e derregullimit, theksoi ministrja Qato, i jep përgjigje edhe një sërë problematikash të ngritura edhe nga sipërmarrja italiane që operon tashmë në vend.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo i cili ftoi investitorët italianë të vijnë në Shqipëri.
“Burokracia nuk duhet të jetë një pengesë për investitorët”, tha ai, duke vlerësuar edhe rolin e ministres Qato për përmirësimin e kuadrit ligjor për tërheqjen e investitorëve.