Sporti

Spanja triumfon 5-3 ndaj Kroacisë. 120 minuta të luajtura në Kopenhagen

Ndeshje e çmendur me 8 gola dhe 120 minuta të luajtura në Kopenhagen. Në fund ishte Spanja që arriti të triumfonte me rezultatin, 3-5 ndaj Kroacisë, duke siguruar një biletë për në fazën çerekfinale të EURO 2020.

Koha e rregullt nuk prodhoi fitues, teksa u mbyll në barazim 3-3, teksa në shtesa, iberikët arritën të realizonin 2 herë, duke dalë fitimtarë.

Ballkanasit zhbllokuan sfidën pa goditur asnjë herë në portë pasi në minutën e 20-të Unai Simon bëri një gafë të rëndë në topin e kthyer prapa nga Pedri duke u dhënë mundësi kroatëve të festonin. Por avantazhi i Kroacisë nuk zgjati shumë sepse pas disa përpjekjesh Spanja gjeti golin e barazimit në minutën e 38-të me Sarabian që shfrytëzoi topin e kthyer nga Livakovic pas goditjes së Gaya.Në barazim 1-1 u mbyll pjesa e parë, ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me një Spanjë më kërkuese dhe që kishte frenat e lojës në dorë. Në minutën e 57-të Aspilikueta i shërbyer nga Ferran Torres kaloi në epërsi skuadrën e Enrikes.

Kroacia nuk gjeti dot forcën për të reaguar dhe në minutën e 77-të pësoi edhe të tretin nga “La Roja”. Asist i Pau Torres për Ferran Torres që pasi dogji në kohë një mbrojtës kroat e dërgoi topin poshtë këmbëve të Livakovic.

Me shifrat 1-3 në favor Spanja nisi të mendonte për sfidën çerekfinale por gaboi rëndë pasi kroatët treguan të gjithë gritën e tyre ballkanase në 10 minutat e fundit duke realizuar dy herë për ta çuar ndeshjen në shtesë.

Në minutën e 85-të Orsic përfitoi edhe nga këmbëngulja e kapitenit Luka Modric duke kaluar përtej vijës fatale një top të mbetur në zonën spanjolle.

Ky gol i dha besim skuadrës së Zlatko Dalic që në minutën e 92-të shokoi iberikët me golin e 3-3 që u realizua me kokë nga mesfushori i Atalantës Pasalic që kishte vetëm 13 minuta që kishte hyrë në fushë.

Nga ky episod Kroacia mori shumë zemër dhe në minutat e para të dy shtesave nga 15 minuta, iu afrua përmbysjes së madhe por Unai Simon dhe fati ndalën hovin e nënkampionëve të botës të cilët më pas u ndëshkuan nga Morata dhe Oyarzabal në harkun e 3 minutave nga e 100-ta në të 103-ën me Spanjën që realizoi dy gola të shpejtë për t’i çuar shifrat në 3-5.  Në 15 minutat e fundit të shtesës Spanja këtë herë u mbrojt mirë dhe në fund festoi një kualifikim të merituar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button