PD në Prokurori: Dorëzuam dokumentin që provon bashkëpunimin Tahiri-Habilaj
Partia Demokratike ka depozituar në Prokurorinë për Krime të Rënda një dokument, që sipas saj, provon bashkëpunimin mes Saimir Tahirit dhe grupit të Habilajve.
“Kemi depozituar disa dokumente lidhur me çështjen penale të hetimit tashmë të bandës së njohur Habilaj-Tahiri. Kemi paraqitur një dokument që fakton bashkëpunimin mes Saimir Tahirit dhe Artan Habilajt. Bëhet fjalë për një dokument, polica e sigurimit e Audit AA003GB. Polica tregon dy emra të përdoruesve të saj, Saimir Tahiri dhe Artan Habilaj, tregon faktin e bashkëpunimit dhe bashkëpërdorimit të kësaj makine”, u shpreh Alibeaj.
Alibeaj dha edhe afatet e kësaj police.
“Ky dokument mban datën 2 prill 2015 dhe ka një kohëzgjatje deri më 1 prill të 2016, që shkon përtej datave dhe kohës që u diskutua në Këshillin e Mandateve ku pretendohej se bashkëpunimi ishte në vitin 2014. Ky dokument tregon se bashkëpunimi ishte i vazhdueshëm”, u shpreh ai.