Ekonomia

Projekti SARED, fermerët aplikime për grante deri më 31 korrik, faza e dyte çelet me 1 shtator

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, në kuadër të skemës së granteve të programit SARED të bashkëfinancuar nga Qeveria e Gjermanisë dhe qeveria e Danimarkës dhe zbatuar nga MBZHRAU dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH, njofton se fermerët mund të vazhdojnë për aplikime deri më 31 korrik 2015, për të përfituar nga grantet e projektit SARED.

Ndërsa thirrja e dytë do të hapet më 1 shtator 2015 dhe do të vijojë për 5 muajt në vazhdim. Përfituesit e drejtpërdrejtë janë aplikantët fitues nga zonat e thella rurale të Shqipërisë, nga gjashtë qarqet që mbështet projekti SARED: Shkodra, Kukësi, Dibra, Elbasani, Berati dhe Korça. Ata do të investojnë në mekanizimin e fermave të tyre me fruta dhe arrorë dhe në pajisjet e përpunimit të qumështit të ripërtypësve të vegjël, duke synuar rritjen e prodhueshmërisë dhe cilësisë së produkteve, për të plotësuar kërkesat e tregut për të rritur përfitimet e tyre. Një nga përparësitë e këtyre skemave është mbështetja për gratë dhe sipërmarrësit e rinj.

Pak ditë më parë, Ministria e Bujqësisë firmosi 13 kontratat e para me përfituesit e granteve për investime në ferma dhe në agropërpunim. Thirrja e parë për aplikim u hap më 17 prill 2015 dhe deri më sot janë dorëzuar 41 aplikime me një volum investimesh prej 930,000 euro, nga të cilat 604,000 euro janë në formën e granteve për përfituesit. Nga totali prej 41 aplikantësh deri më tani, 5 janë gra (4 nga Korca dhe 1 nga Elbasani). 13 kontratat e para janë me një vlerë investimi prej rreth 270,000,- euro nga e cila rreth 180,000 euro fermeret dhe agropërpunuesit e përfitojnë si grant. Përfituesit vijnë nga të 6 qarqet që mbulon programi SARED dhe investimet do të shkojnë në pjesën më të madhe në pemëtari dhe në përpunimin e qumështit nga bagëtitë e imta. Thirrja e parë vazhdon të mbetet e hapur për aplikime deri më 31 korrik 2015. Udhëzuesi për aplikantët mund të merret në formën online nga faqja e internetit e MBZHRAU,www.bujqesia.gov.al dhe fermerët janë të mirëpritur të aplikojnë në zyrat rajonale në Drejtoritë e Bujqësisë në të gjashtë rajonet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button