Kosova

Komuna e Prishtinës, godinë të re për shkollën e muzikës “Prenk Jakova”

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha sot se komuna do të ndërtojë një objekt të ri për shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”.

Ahmeti bashkë me drejtoreshën për Arsim Arbërie Nagavci vizituan sot këtë shkollë, e cila ndodhet përkohësisht në objektin e shkollës së Mjekësisë “Ali Sokoli”.

Kryetari Ahmeti pasi pa klasët dhe dëgjoi disa performanca nga nxënësit e kësaj shkolle tha se “shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova’ ka shkuar në një rindërtim në vendin ku ka qenë megjithatë jemi të mendimit që ai vend nuk është vend i përshtatshëm sepse shkolla e Muzikës në Prishtinë meriton një vend më të mirë dhe një hapësirë më të madhe por shkak se jemi kryeqytet dhe kemi tal entë të jashtëzakonshëm të cilët duhet të vijnë në këtë shkollë”.

Ai tha se sivjet do të vendoset përfundimisht një lokacion më i mirë, për një objekt i cili do të përmbushte nevojat e kësaj shkolle, duke i marrë parasysh specifikat që i ka mësimi në të, siç janë klasat individuale, izolimi akustik etj.

“Ne kemi edhe një ide, të cilën i kam propozuar edhe shkollës ia kam dërguar edhe ministrit i kam dërguar më herët që do të ishte mirë të mendojmë për një bashkëdyzim të përpjekjeve që ta bëjmë shkollën e Muzikës ndoshta edhe të njëjtë apo të përafërt me Fakultetin e Arteve në mënyrë që talentët tanë t’i përcjellim prej moshës të hershme e pse jo edhe deri kur ata e arrijnë maksimumin e talentit të tyre që zhvillojnë. Sivjet do të vazhdojmë medoemos me lokacionin dhe me fillimin e ndërtimit të shkollës sepse nuk mund të presim më”, tha Ahmeti.

Ndërsa drejtoresha e shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” Violeta Krasniqi tha se është mjaft e kënaqur me kushtet aktuale që kanë edhe pse shkolla e Muzikës meriton një objekt të vetin.

“Ne jemi mjaft të kënaqur me këto kushte edhe pse synojmë që shkolla jonë duhet të ketë vendin që e meriton në një objekt të vetin”, u shpreh Krasniqi.

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” deri më 1 shtator të vitit që shkoi e ka zhvilluar procesin mësimor në ish-objektin e shkollës së Ekonomisë “Hoxhë Kadri Prishtina”, por që sipas drejtuesve të shkollës nuk i ka plotësuar kushtet për mësim. Madje personeli mësimor i kësaj shkolle patën bojkotuar mësimin për shkak të kushteve të rënda.

Shkolla “Prenk Jakova” vite më parë e ka lënë objektin e vjetër të shkollës së tyre afër shkollës “Elena Gjika” me premtimin se do t’iu ndërtohet objekti i ri po në atë vend. Mirëpo, punimet të cilat patën filluar atëherë për ndërtimin e shkollës janë ndalur ka shumë kohë dhe nuk janë duke u zhvilluar me arsyetimin e komunës se nuk ka filluar të ndërtohet sipas planit të parashikuar. Që nga shtatori i vitit që shkoi shkolla “Prenk Jakova” mban mësim në ndërtesën e shkollës së mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button