Ekonomia

Gjykata Kushtetuese po shqyrton kërkesën për pezullimin e ligjit për taksat vendore

Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot kërkesën e Shoqatës së Mbrojtjes së Tregtarëve dhe të Tregut për pezullimin e ligjit për taksat vendore me argumentin se ai është antikushtetues dhe ka dëmtuar bizneset.

Pak muaj më parë, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të pranojë për shqyrtim çështjen me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr.142/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006 Për Sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimin e zbatimit të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Gjatë seancës, që është në zhvillim, përfaqësuesit juridikë të Kuvendit, Kryeministrisë dhe Avokaturës së Shtetit argumentuan se nuk ka asnjë shkelje Kushtetute, ndërsa pezullimi do të cenonte sigurinë buxhetore dhe të ardhurat. Sipas tyre nuk ka dëm real apo potencial nga zbatimi i këtij ligji dhe ai mbështetet nga buxheti i shtetit.

Aktualisht palët po shfaqin argumentet e tyre. Relatori i çështjes, gjyqtari Besnik Imeraj, po kërkon argumentime pse duhet të shfuqizohet ligji në tërësi dhe a do cenonte interesat e grupeve të veçanta. Gjykata kërkon që të dijë sa është ndikimi i taksave vendore në biznes në numra konkretë, por shoqata ka dhënë një shifër prej 80 mijë, që vlerësohet sa numri i gjithë bizneseve që ka vendi.

Kryetari i Shoqatës së Tregtarëve, Nikolaq Neranxi, ka pohuar se janë mbyllur shumë biznese ndaj duhen shfuqizuar taksat vendore, të cilat u rritën ndjeshëm, pasi situata është e vështirë.

Gjykata kërkon të bëhet dallimi mes tarifës dhe taksës, ndërsa nuk duket shumë e bindur nga argumentet e biznesit.

Më herët, Bashkia e Tiranës kërkoi të ishte palë me pretendimin se kryeson Shoqatën e Bashkive dhe kryetari Erion Veliaj e drejton atë, por gjykata e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Gjithashtu gjykata shqyrtoi edhe kërkesën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për t’u tërhequr nga kjo çështje, kërksë që u pranua.

Taksat e Bashkisë

Në janar të këtij viti, Bashkia rriti ndjeshëm taksat vendore, ku u 10-fishua ajo e zënies së hapësirës dhe u dyfishua taksa e pastrimit, ndërkohë që u vendos dhe një taksë e re, ajo e infrastrukturës arsimore. Ndonëse Bashkia u tërhoq për taksën e zënies së hapësirës, tarifat e tjera mbetën të larta.

Në muajin maj të po këtij viti, Shoqata e Tregtarëve çoi po në Gjykatën Kushtetuese edhe vendimin e Bashkisë së Tiranës për taksën e përkohshme të infrastrukturës në arsim. Kjo pasi taksa e arsimit filloi t’u faturohet bizneseve për çdo NIPT sekondar, çka bëri që disa biznese si rrjete supermaketesh, apo kompani tregtimi nafte, të paguanin nga 50-80 mjë euro vetëm për këtë tarifë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button