Kosova

Jahjaga takime me kongresistët amerikanë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington me anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga Kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel.

Gjatë takimit presidentja Jahjaga falënderoi kongresistët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka dhënë për Kosovën, pasi tha ajo Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan.

Presidentja Jahjaga njoftoi kongresistët për reformat e brendshme, konsolidimin e demokracisë së Kosovës dhe forcimin e sovranitetit, si dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për të tërhequr investitorët e huaj, reforma këto që duhet të shoqërohen me një luftë të paprecedentë kundër korrupsionit.Presidentja Jahjaga u prit në Kongresin amerikan (2)

Ajo i informoi kongresistët me rrjedhën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjeve të fundit. Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

Presidentja Jahjaga gjithashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Presidentja theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë luftë duke u bërë shembull në rajon.

Kongresistët falënderuan Presidenten Jahjaga për vizitën dhe thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit. Ata ritheksuan përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aspirata e saja euroatlantike, zbatimin e reformave demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button