Rajoni

Stolterberg pas takimit me Vuçiqin: Dy palët të përmbahen nga tensionet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg, ka thënë të mërkurën se është shumë e rëndësishme që të ulen tensionet në Kosovë, dhe që të dyja palët të përmbahen nga dhuna.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që e ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ne besojmë se dialogu [mes Kosovës dhe Serbisë] duhet të rifillojë”, ka shtuar ai.

Ai ka rikujtuar se NATO-ja e ka rritur prezencën e misionit të saj në Kosovë, KFOR, për shkak të tensioneve të fundit në veri.

“Ne do të vazhdojmë ta ruajmë paqen, siç e parasheh mandati ynë”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar se forcat e NATO-s do të jenë aty për ta kryer mandatin që e parashohin Kombet e Bashkuara.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është shumë i shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, dhe i ka kërkuar NATO-s që, përmes KFOR-it, të ofrojë siguri për serbët që jetojnë aty.

Sipas tij, Beogradi beson që, “veprimet e papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës”, janë arsyeja kryesore e zhvillimeve të fundit.

Takimi mes Stoltenbergut dhe Vuçiqit është zhvilluar në ditën kur i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar në Bruksel me kryenegociatorët e të dyja vendeve: Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin.

Takim trepalësh nuk ka pasur.

Gjatë ditës, Lajçak është thënë të jetë takuar edhe me Vuçiqin.

Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të KFOR-it.

Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button