Bota

SHBA, përballen kandidatët për nënpresident, demokrati Tim Kaine dhe republikani Mike Pence

Në SHBA, dy kandidatët për nënpresident, demokrati Tim Kaine dhe republikani Mike Pence u përballën mbrëmë në debatin e vetëm me tyre, shpesh duke ndërprerë njëri-tjetrin dhe duke argumentuar qëndrimet mbi emigracionin, ekonominë dhe sigurinë e vendit. Ata shprehën mendime mjaft të ndryshme rreth pothuajse të gjitha çështjeve me rëndësi për vendin. Kaine, senator i shtetit Virxhinia, dhe Pence, guvernator i shtetit të Indianës, u përpoqën të mbrojnë kandidatët përkatës për president, Hillary Clinton dhe Donald Trump, shpesh duke u përplasur ashpër në çështje të ndryshme. Zoti Kaine kërkoi që kandidati republikan Trump të publikojë taksat, që shumë demokratë besojnë se do të tregojnë se ai ka paguar pak, ose aspak tatime federale mbi të ardhurat për vite me rradhë. Zoti Pence e mbrojti miliarderin Trump si një biznesmen të zgjuar që ka krijuar mijëra vende pune.

Kandidatët ndërpresin njëri-tjetrin

Gazetarja e televizionit CBS News, Elaine Quijano, e cila moderoi debatin në Universitetin Longwood në Farmville të Virginias, i qortoi disa herë kandidatët për ndërprerjet që u bënin njëri-tjetrit. Ndërprerjet ishin të tilla që publiku shpesh nuk arrinte të dëgjonte se çfarë thoshin. Zoti Kaine tha se shkurtimet e taksave të propozuara nga zoti Trump do të favorizonin amerikanët e pasur dhe do ta kthenin ekonominë amerikane në recesion. Zoti Pence e kundërshtoi, duke ngritur akuzën se planet ekonomike të zonjës Clinton do të sillnin edhe më shumë dëm, duke rritur ndjeshëm taksat dhe duke hequr kufizimet në shpenzimet e qeverisë.

Disa nga momentet kryesore të debatit

Kandidatët reklamojnë përvojat

Gjatë debatit, secili kandidat për nënpresident foli mbi përvojën e tij. I pyetur se përse do të ishte në gjendje të merrte drejtimin e vendit nëse e kërkonte nevoja, zoti Kaine përshkroi përvojën e tij politike në të gjitha nivelet e qeverisjes – si një këshilltar qyteti, si kryetar bashkie, si zëvendës guvernator dhe si senator. Ai vlerësoi kandidaten Clinton, duke thënë se ajo ka një pasion për t’u shërbyer të tjerëve, ndërsa zoti Trump shikon në radhë të parë interesat e veta. Nga ana e tij, zoti Pence tha se edhe ai ka patur një përvojë politike të dobishme në jetë, duke u ngritur nga një bir i një qyteti të vogël të Indianës, e deri te përfaqësimi i këtij shteti në Kongres dhe fitorja në zgjedhje si guvernator. Ai mori në mbrojtje zotin Trump duke akuzuar rivalët Clinton dhe Kaine se bëjnë një fushatë që bazohet në fyerje. Përtej çështjeve për të cilat diskutuan kandidatët, rëndësia e vërtetë e këtij debati qëndron tek ndryshimi që mund të sjellë ai në tërheqjen e mbështetjes së votuesve të pavendosur. Në vitin 2008, përballja mes kandidatëve për nënpresident Joe Biden dhe Sarah Palin tërhoqi audiencën më të madhe ndonjëherë në debate të tilla, 70 milionë shikues. Debati i dytë Clinton-Trump është planifikuar për të dielën në Seint Luis të shtetit Mizuri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button