Kronika

Bashkimi ALUIZNI-ZRPP-ATP, tre ngërçet që do të zgjidhte bashkimi i institucioneve të pronës

Bashkimi nën një çati i Hipotekave, Aluizni-t dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronave, i sapo paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama, do t’i jepte përgjigje jo vetëm problemit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, por çështjes së pronës në përgjithësi.

Prej vitesh ALUIZNI thekson disa pengesa kryesore që bllokojnë legalizimet e ndërtimeve pa leje:

Së pari vonesën e procesit të miratimit të lejeve nga ana e Hipotekave.

Së dyti zvarritjet disa mujore të përgjigjeve për statusin juridik të pronave, e cila pengon ALUIZNIN në procedimin me dosjet.

Një pengesë tjetër serioze është mospërputhja e hartave mes dy institucioneve. ALUIZNI punon me një hartë moderne të prodhuar nga fotografimi i gjithë territorit të vendit, ndërsa Hipotekat kanë trashëguar një sistem hartografik tepër të pasaktë e të amortizuar.

Aktualisht ALUIZNI pohon se nga viti 2013 janë dhënë në total 120 mijë leje legalizimi, por numri i tyre duhet të ishte shumë më i lartë në rast se nuk do ekzistonin pengesa nga zyrat e regjistrimit të pasurive.

Lidhur me këtë ide të Kryeministrit u shpreh edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai tha se bashkimi do harmonizonte vështirësitë e shumta që lindin në bashkëpunimin  mes ALUIZNIT, i cili e zhvillon punën në terren, me Hipotekat, të cilat punojnë në zyrë.

Sipas tij, Bashkimi i këtyre të dhënave që vijnë nga terreni në mënyrë zyrtare me të dhënat që gjenden në ZRPP do të ishte në fakt thelbi i përditësimit të informacionit zyrtar mbi pronën në vend.

Vetë Ministria e Drejtësisë, në një analizë zyrtare pohon se në vite numërohen të paktën 16 ligje të veçanta që rregullonin sektorë të ndryshëm të të drejtave të pronësisë, ndërkohë për një kohë të gjatë tetë institucione kishin të drejtë të trajtonin çështje të pronësisë.

Një kakofoni e tillë institucionesh e ligjesh, ka vështirësuar së tepërmi çështjen e pronës. Aktorë të ndryshëm shprehen prej kohësh se zgjidhja e çështjes së pronës në tërësi do të vinte vetëm me unifikimin e institucioneve përgjegjëse për çështjet e pronësisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button