Ekonomia

Bizneset nga rrjeti 35 kilovolt mund të përballen me çmime më të larta të energjisë në 2017-ën

Bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt pritet të përballen me çmime më të larta të energjisë pas liberalizimit në fillim të vitit 2017, nëse ato do të vijojnë të përdorin rrjetin e OSHEE-së.

Afatet ligjore për daljen e tyre në tregun e lirë janë shtyrë për në janar të vitit që vjen, pasi ende nuk është bërë gati infrastruktura teknike e cila bashkë me kostot është marrë përsipër nga OSHEE e mbështetur nga fondet e Bankës Botërore.

Infrastruktura ka të bëjë me instalimin e një sistemi të ri matës në bizneset që konsumojnë nga tensioni 35 kilovolt. Burimet nga OSHEE bënë me dije se instalimi i matësve ka nisur dhe sapo të përfundojë bizneset do të njoftohen të dalin nga rrjeti i OSHEE-së. Por nëse ata dështojnë të gjejnë një furnizues të ri atëherë ligji i jep OSHEE atributet e furnizuesit universal. Por në këtë rast tarifat do të jenë ndryshe shpjegojnë ekspertët e OSHEE-së.

Metodologjia dhe çmimet e reja tashmë janë në proces miratimi nga Enti Rregullator të Energjisë dhe do të marrë në konsideratë edhe disa kosto që tani nuk përllogariten, që sipas eksperteve të OSHEE-së do të jenë më të larta se aktualet.

Janë gjithsej 8 indikatorë të kostos që do të përbëjnë çmimin e ri për bizneset e mëdha.

Në këtë kuadër, ERE ka futur në proces miratimi metodologjinë e llogaritjes së tarifave të reja që do të ofrojë OSHEE për biznesin në prag të liberalizmit.

Sipas ERE-s, klientët e lidhur në rrjetin e shpërndarjes 20 kv, pas datës 31 dhjetor 2016, nuk do të kualifikohen për t’u furnizuar nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Gjithashtu klientët e lidhur në rrjetin e shpërndarjes 10 kv dhe 6 kv, deri më 31 dhjetor 2017, kohë pas së cilës këta klientë nuk kualifikohen për t’u furnizuar nga FSHU. Por nëse këto kategori dështojnë të gjejnë furnitorë në tregun e lirë dhe do të zgjedhin OSHEE-në si mundësinë e fundit, atëherë energjia e marrë nga Operatori i Shpërndarjes, në këtë rast Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) do të jetë me çmime të tjera nga sa merret aktualisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button