Politika

Bushati i përgjigjet Gruevskit dhe flet për koalicionin shqiptar

Në një intervistë për TV Alsat Maqedoni, Ministri Bushati flet për zhvillimet me te fundit si dhe i përgjigjet pretendimeve të Gruevskit për rolin e shqiptarëve dhe të Tiranës.

Pse u përfshi Shqipëria në tentativën për të krijuar një platformë, një dokument të përbashkët mes partive shqiptare?

Platforma e përbashkët e partive parlamentare shqiptare në Maqedoni është një produkt i një pune të përbashkët të partive nënshkruese. Shqipëria ka mbështetur vijimësisht, tradicionalisht një politikë sa më koherente dhe sa më kohezive të faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe në këtë kontekst, mbështet edhe këtë proces dhe sheh këtë dokument si një bazë të mirë për të avancuar disa prej detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat nuk janë përmbushur ende. E sheh gjithashtu këtë platformë si një mundësi më të mirë për një harmoni ndëretnike më të madhe në Maqedoni. E sheh si një mundësi për më shumë stabilitet demokratik dhe siguri në Maqedoni për rimarrjen e kursit Europian dhe Euro-atlantik dhe për dhënien e një sinjali të qartë edhe fqinjëve të tjerë të Maqedonisë, e përkatësisht Greqisë për procesin e bisedimeve për çështjen e emrit apo Bullgarisë për procesin ende në diskutim të të ashtuquajturit Traktat të Miqësisë, si një mundësi ku faktori politik mos të qëndrojë në mënyrë pasive, por të japë kontributin e tij në mënyrë që proceset e integrimit Europian dhe proceset e integrimit Euro-atlantik të zhbllokohen. Nga ana tjetër, për Shqipërinë stabiliteti demokratik i Maqedonisë dhe perspektiva e qartë Euro-atlantike si një vend anëtar i NATO-s që jemi, por edhe rrugëtimi europian, janë çështje të një rëndësie parësore.

Sipas jush pse duhej shteti shqiptar të përfshihej?

Shteti shqiptar nuk është përfshirë në çështje të brendshme të një vendi mik dhe një vendi fqinj siç është Maqedonia. Shteti shqiptar, Qeveria shqiptare ka zbatuar një detyrim kushtetues, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë.

Në Maqedoni ekziston një komunitet shtetformues në gjirin tonë shqiptar, i cili në çdo rast e në çdo rrethanë, do të ketë nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, për këshillat miqësore të Shqipërisë, në funksion, vetëm në funksion, të avancimit të këtyre të drejtave. Pra jo në funksion të politikës së ditës, se kush do të zgjedhë kë për të bërë koalicion dhe se çfarë politike, ekonomike apo sociale apo ideologji do të zgjedhë një informacion i caktuar politik.

Tirana ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë përpjekjet e të gjithë faktorit politik shqiptar, për të punuar së bashku për të mirën e Shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Dhe unë u përpoqa ta shpjegoj, që ajo platformë për të cilën kanë rënë dakord partitë politike shqiptare në Maqedoni, në analizë të fundit nuk është thjesht një platformë e shqiptarëve në Maqedoni, po është një platformë për një bashkëjetesë shumë herë me solide mes shqiptarëve dhe maqedonasve, është gjithashtu edhe një platformë që ofron dorën e bashkëpunimit për të ecur përpara dhe për të zhbllokuar disa procese të cilat po bëjnë vite, për të mos thënë dekada që janë ngrirë dhe kanë sjellë pasojë zinxhirë edhe në jetën e brendshme politike të Maqedonisë.

Si i shikoni reagimet ndaj këtij akti, sepse ka patur reagime të tilla që thonë se kjo ndihmë, ose ky gjest i shtetit shqiptar dhe i qeverisë Shqiptare, është edhe ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë?

T’ju them të drejtën ka një qëndrim të pashpjegueshëm të autoriteteve maqedonase, jo thjesht për këtë rast por në përgjithësi, sa herë që përmendet marrëveshja e Ohrit nga ana e Shqipërisë dhe sa herë përmendet Marrëveshja e Ohrit nga ana e institucioneve ndërkombëtare apo partnerëve ndërkombëtarë. Nuk e kuptoj pse merret me kaq sekëlldi nga ana e autoriteteve maqedonase Marrëveshja e Ohrit. Dihet mjaft mirë që Marrëveshja e Ohrit shpëtoi Maqedoninë nga kthetrat e një konflikti, i cili do të kishte patur efekte shkatërrimtare për Maqedoninë dhe për të gjithë rajonin tonë.

Së dyti, tendenca për t’i barazuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni thjesht me krijimin e lehtësirave për krijimin e disa fabrikave apo zonave të lira ekonomike, në rastin më të mirë, në gjykimin tim, do të ishte thjesht një dritëshkurtësi dhe në rastin më të keq do të barazonte shqiptarët thjesht dhe vetëm me një komunitet punëtorësh, të cilët mund të jenë drejt kërkimit të punës, ndërkohë që është e qartë për këdo nga pikëpamja e kompozicionit etnik, Maqedonia është shteti i përbashkët i maqedonëve dhe i shqiptarëve, por edhe komuniteteve të tjera apo edhe grupeve të cilat mund të konsiderohen minoritet në Maqedoni. Sa më shpejt të krijohen kushtet për të njohur këtë fakt publikisht, besoj se do të ketë shumë më tepër ura komunikimi ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtetformuese, do të ketë një përfaqësim më të mirë në institucionet kryesorë në Maqedoni, do të ketë politika dhe zbatim politikash më harmonike jo vetëm ekonomike dhe sociale, por edhe politike – zhvillimore, si edhe do të ketë jo vetëm më shumë stabilitet demokratik për Maqedoninë, por besoj edhe më shumë fqinjësi të mirë.

Zoti Ministër, a keni komunikuar me zyrtarët e shtetit maqedonas, me homologun tuaj, ministrin e Jashtëm atje, për të shpjeguar pikërisht këtë që sapo thatë, që të mos të lindë ai keqkuptimi, për të cilin edhe ju keni ndroje?

Dua të them shumë shkoqur që qëndrimi i Tiranës zyrtare është konstant, është i pandryshueshëm. Për ne respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimi i saj në germë dhe në frymë nuk është një çështje që mund ta negociojmë më homologë apo me zyrtarë në Maqedoni. Ne e kemi lexuar edhe votën e elektoratit shqiptar pikërisht në këtë prizëm.

Qëndrimi i Tiranës është shumë i qartë gjithashtu edhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ku ne jemi prezent dhe ku kërkojmë që Maqedonia të jetë gjithashtu prezent, siç është rasti i NATO-s. Për ne Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje ndërmjet dy komuniteteve kryesore, shtetformuese në Maqedoni, por është edhe një marrëveshje që ofron hapësirë për më shumë liri, për më shumë barazi dhe për më shumë demokraci në Maqedoni, koncepte këto të lidhura pazgjidhshmërisht me sigurinë, me fqinjësinë e mirë dhe mbi të gjitha me perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike.

Ju mendoni se partitë politike shqiptare do te mund të shmangen nga ajo që kanë shkruar, cila është përshtypja juaj, sigurisht nga takimet që keni pasur?

Unë nuk mendoj se ka arsye të qarta që partitë politike nënshkruese ti shmangen detyrimeve për të cilat kanë rënë dakord në letër sepse në fakt, janë angazhime të cilat nuk kanë të bëjnë me një ideologji të caktuar dhe pavarësisht se për kë mund të ketë votuar elektorati shqiptar në Maqedoni. Ju jeni votues atje për shembull, pavarësisht se për kë mund të keni vajtuar nga ato parti politike besoj se nuk ka shqiptar që mendon ndryshe nga ato çështje që janë listuar në platformë. Sfida është si të kthehet situata e momentit në një frymë pozitive, në një frymë stabilizuese jo thjesht për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni, por për të ardhmen e Maqedonisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button