Kosova

Një video që nuk e nderon Ibrahim Rugovën (video)

Presidenti Ibrahim Rugova gjatë bombardimeve të NATO’s, saktësisht më 28 prill, ishte paraqitur në një konferencë për media me Presidentin e Serbisë Milan Milutinovic, në Prishtinë, disa javë pasi kishte takuar Presidentin e RFJ’së, Slobodan Milosevic.
Pavarësisht se për këto takime është thënë se nuk kanë ndodhur me vullnetin e Rugovës, ai është dashur të tregohet më burrështetas, sikur që kishte bërë Izetbegovic kur ishte kapur nga Armata Jugosllave në Aeroportin e Sarajevës më 1992. Ndërkohë, i zellshëm me Milutinovicin ishte treguar edhe truproja i Rugovës Adnan Merovci, i cili edhe pse pa asnjë obligim protokollar, përshëndetet ngrohtë me Presidentin e Serbisë. (minuta 1.30 në video).
Ish- Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, kishte vendosur të qëndronte në Prishtinë gjatë bombardimeve të NATO’s, por kjo është shfrytëzuar nga shteti serb, i cili, siç është thënë atë kohë dhe siç mendohet edhe tani, e kanë përdorur për qëllime të tyre, përcjellë Gazeta Express.
Kështu Rugova, më 1 prill të vitit 1999, kur NATO’ja po bombardonte Serbinë kishte shkuar në Beograd për ta takuar Slobodan Milosevicin, me të cilën ishte detyruar të nënshkruante një “marrëveshje të paqes”, ndërkohë që të njëjtën është detyruar ta bëjë edhe gjatë vizitës së Presidentit të Serbisë Milan Milutinovic, 27 ditë më vonë.
Milutinovic kishte bërë apel nga Prishtina për ndaljen e bombardimeve, ndërsa Rugova në serbisht, kishte thënë se “ne do të përpiqemi t’i krijojmë organet në Kosovë, institucionet e Kosovës që do të jenë për të gjitha komunitetet nacionale dhe për të gjithë qytetarët në Kosovë”.
Pavarësisht se mund të jetë nxjerrë me dhunë para kamerave, Rugova mbase mund të jetë treguar më burrështetas gjatë atyre ditëve, duke refuzuar ta luaj vallen e Millosevicit, sikurse që kishte bërë Presidenti boshnjak Alija Izetbegovic kur kishte kapur nga Armata Jugosllave në vitin 1992.
Izetbegovic ia kishte dalë nëpërmjet telefonit të lidhej direkt në televizonin e Sarajevës duke thënë se “krejt çka mund të them tani është se unë po mbahem i burgosur”, duke ia dorëzuar publikisht kompetencat presidenciale vartësve të tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button