Ekonomia

Shitja e NBG te Abi Bank, pritet nënshkrimi i marrëveshjes

Marrëveshja për shitjen e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) tek Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI Bank) pritet të nënshkruhet shumë shpejt, ndofta edhe brenda ditës së sotme. Burime të bankave thanë për Monitor se marrëveshja është arritur që në fund të vitit të kaluar, por nënshkrimi i saj u shty pak në kohë për shkak të disa problemeve teknike në sistemin e teknologjisë së informacionit.

Njoftimi pritet të bëhet zyrtar nga NBG menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve, ajo të çohet për miratim tek Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit ka pohuar do të marrë vendimin pasi të shohë planin e biznesit dhe strategjinë e bashkimit mes tyre. Gjithsesi, nuk pritet që banka qendrore ta refuzojë këtë blerje, pasi ABI është një bankë me aktivitet të qëndrueshëm.

Në garë për të blerë NBG ishin edhe Banka e Parë e Investimeve (FiBank) dhe Eurosig. Që në fillim, ABI Bank mësohet se ishte e preferuar dhe lobimi ka qenë i madh për ta shpallur atë fituese, ndërsa Banka e Shqipërisë favorizonte Fibank, ndërsa Eurosig ishte jashtë loje, për shkak të mungesës së përvojës së sistemit bankar. Procesi zgjati disa muaj për shkak të çmimit të ulët të ofruar.

NBG e Greqisë, që pas krizës së borxheve greke nxori në shitje filialet e saj të rajonit, si pjesë e planit për t’u ristrukturuar në linjë me rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane. Në shitje është edhe Tirana Bank, pjesë e grupit bankar të Pireut, por edhe banka të tjera, ndaj vitit 2018 pritet të jetë aktiv në proceset e shit-blerjeve. Për këtë arsye, drejtuesit e NBG nxituan që të mbyllnin marrëveshjen.

Asetet e NBG Albania, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9-mujorin ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.

Ndërsa asetet e Bankës Amerikane të Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital) ishin 2.81 miliardë lekë, ose 2.85% e totalit. Në këtë mënyrë, pas blerjes ABI do të ketë 5.65% të totalit të aseteve të sistemit bankar, duke u ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, pas BKT (27.8%), Raiffeisen (17%), Credins (12.06%), Intesa (11%), Societe (5.8%).

Pas shitjes së NBG dhe përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa San Paolo, sistemi bankar do të ketë 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të vitit qe kaloi, teksa procesi i konsolidimit të sistemit pritet të vazhdojë me intensitet edhe kete vit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button