Ekonomia

Përkeqësimi i portofolit të kredive çon provigjionet e bankave në 572 mln euro

Përkeqësimi në rritje i portofolit të kredive në banka është reflektuar së fundmi me rritjen e fondeve të provigjioneve.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, fondet rezervë për të mbuluar rritjen e kredive të këqija arritën në 79 miliardë lekë, shumë kjo e barazvlefshme me 572 milionë euro.

Banka e Shqipërisë analizon se, pavarësisht procesit të vazhdueshëm të fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave, përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredisë është reflektuar në rritje të fondit të provigjionimit për periudhën. Ky i fundit u rrit rreth 2.4 miliardë (ose 3.2%) më i madh në krahasim me tepricën e fondit në fund të vitit 2015.

Sektori bankar shfaq aftësi të mira të përthithjes së humbjeve, ku mbulimi me kapital bazë i kredive me probleme rezulton 93%, thotë Banka e Shqipërisë, por gjithsesi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, dy banka të mëdha dhe bankat me kapital grek, paraqesin aftësi më të ulët të përthithjes së humbjeve, në reflektim të nivelit më të lartë të kredisë me probleme.

Ky zhvillim reflektohet në kontributin e rëndësishëm të përkeqësimit të kredisë (1.75 p.p. për sektorin) që vjen nga dy banka të mëdha, thuhet në analizën e NSH. Krahasuar me fundin e vitit 2015, edhe rezultati neto i sektorit bankar shënon rënie, ku kthimi nga aktivet ra në nivelin 0.8% (në qershor 2016).

Pesë banka (nga të cilat një e madhe dhe dy të mesme) raportojnë humbje për periudhën, kryesisht në reflektim të rritjes së shpejtë të shpenzimeve për provigjionim. Së fundi, bankat e mëdha raportojnë nivel të ulët financimi, ku raporti “kredi/depozita” rezulton nën mesataren e sektorit (54%).

Kreditë me probleme shënuan rritje edhe gjatë gushtit, për të tretin muaj radhazi, për të arritur në 21.44%, me një zgjerim prej 0.29 pikë përqindjeje në raport me muajin e mëparshëm, sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë që prej majit 2015 dhe një sinjal që bizneset, që kanë dhe nivelin më të lartë të kredive me probleme, nuk po arrijnë të dalin nga kriza.

Të dhënat e detajuara deri në muajin korrik treguan se është pikërisht rritja e fortë e kredive nënstandarde (kur këstet e kredisë nuk paguhen për një periudhë nga 91 deri në 180 ditë nga data e caktuar) që ka përkeqësuar treguesin e NPL-ve.  Huat nënstandarde janë kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike. Kjo kategori është rritur me 68% në korrik, në raport me dhjetorin 2015, apo rreth 120 milionë euro më shumë, çka tregon se nuk është vetëm efekti i Kurum International, që shpalli falimentin në korrik dhe kishte rreth 30 milionë euro kredi në bankat shqiptare.

Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të mbikëqyrjes bankare, shprehu shqetësimin për rritjen e treguesit të kredive me probleme për bizneset, sidomos atë në valutë. Huatë me probleme për biznesin vlerësoheshin në 24.4% në fund të qershorit, duke u rritur me 3 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2015.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button