Kronika

Konferenca e NATO-s për sinkronizimin e stërvitjes nis punimet në Tiranë

Konferenca e Sinkronizimit të Stërvitjes së NATO-s për vitin 2016, po zhvillon punimet në ambientet e Hotel “Tirana International”, në kryeqytet.

Konferenca ka për qëllim diskutimin mbi zhvillimet e fundit përgjatë gjithë spektrit të trajnimit të NATO-s. Në këtë kontekst, këtë vit ka një rritje të konsiderueshme të rëndësisë së edukimit, trajnimit dhe stërvitjes, me qëllim avancimin në implementimin e Planit të Gatishmërisë së NATO-s, nisur nga situata e ndryshuar e sigurisë globale.

Në nisje të punimeve të kësaj konference, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli priti në një takim shefin e Shtabit të ACT (Komanda e Aleancës për Transformim) gjeneral me tre yje Graham Stacey. Gjatë këtij takimi, të dy personalitetet ndanë bindjen se roli i ACT dhe përgjegjësia në përshtatjen dhe transformimin e Aleancës është shumë i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.

IMG_2133Duke inkurajuar ACT për rolin e saj në vijimin e transformimit ushtarak, ministrja Kodheli theksoi rëndësinë e edukimit dhe stërvitjes për personelin ushtarak. “Edukimi, trajnimi dhe stërvitjet janë fusha me interes të madh për të ruajtur ndërveprimin. ‘Trident Juncture 2015’ ishte një performancë e shkëlqyer e vendosmërisë së aleatëve dhe unë pata një përshtypje mjaft të mirë nga trupat tanë pjesëmarrës në këtë stërvitje. Ajo stërvitje ishte shembulli më i mirë i vendosmërisë së Shqipërisë për të kontribuar në sigurinë e Aleatëve, dhe në këtë kuptim ne jemi krenarë që kemi deklaruar një kompani në Task Forcën e përbashkët të NATO-s për periudhën 2016-2018”, tha ministrja Kodheli.

Të dy personalitetet u ndalën tek sfidat e sigurisë me të cilat po përballet sot Aleanca në kufijtë jugorë dhe lindore të saj, sidomos me fenomenin e luftëtarëve të huaj. Me këtë rast, ministrja Kodheli e njohu gjeneralin me tre yje Graham Stacey edhe me propozimin e Shqipërisë për ngritjen në vendin tonë të një qendre ekselente të NATO-s për luftëtarët e huaj.

Konferenca i nisi punimet sot dhe i mbyll në datën 3 mars. Në konferencë marrin pjesë rreth 350 përfaqësues të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere, ku 25 janë gjeneralë të komandave dhe strukturave të ndryshme të NATO-s.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button