Ekonomia

Veprimtaria Prodhuese – Moratoriumi, ndalon për 5-vjet gjuetinë

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi në mbledhjen e se martes, vetëm me votat e mazhorancës moratoriumin për 5 vjet të ndalimit të gjuetisë.

Kryetari i Komisionit Eduard Shalsi u shpreh lidhur me miratimin e projektligjit “Për shpalljen e Moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë” se, moratoriumi ka funksionuar, por  është ende i brishtë. Ndërsa kerkohet  të nisë pregatitja e projektligjit për gjuetinë.

Opozita votoi kundër, duke kërkuar ndalimin e menjëherëshëm të moratoriumit, ose zgjatjen e tij me 10 vjet.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, moratoriumi i gjuetisë, ka si qëllim të sigurojë ndalimin e aktivitetit të gjuetisë me synim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm. Objektivi kryesor që synohet të arrihet me këtë projektligj lidhet me krijimin e qetësisë dhe kushteve të favorshme për rimëkëmbjen e llojeve të faunës së egër objekt gjuetie, por dhe të llojeve të tjera të cilat nuk janë objekt gjuetie dhe që ndikohen nga gjuetia e paligjshme.

Ky projektligj është në një linjë me kërkesat e programit të qeverisë që e konsideron mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të rëndësishme e të përbashkët për të gjithë qytetarët, organizatat mjedisore, shoqërinë civile, median, shkollën, shkencëtarët dhe sektorët e biznesit privat.

Miratimi i këtij projektligji do të kontribuojë gjithashtu në realizmin e një prej objektivave të programit qeverisës 2013-2017, që është eliminimi i gjuetisë së paligjshme në zonat e mbrojtura, por dhe më gjerë në të gjithë territorin e vendit.

kjoPeriudha e zbatimit të ligjit nr.7/2014, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, ka dëshmuar që ligji krahas ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë ka krijuar premisat edhe për një qetësi të nevojshme për rimëkëmbjen e popullatave të faunës së egër, objekt gjuetie. Vrojtimet dhe rastet e evidentuara nga ekspertë e OJF mjedisore dëshmojnë se ka filluar një ripërtëritje e popullatave të disa llojeve të faunës së egër dhe, rikthimi i një numri shpendësh shtegtarë, falë qetësisë së rivendosur. Krahas kësaj, nga OJF mjedisore, nga strukturat e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve si dhe nga Policia e Shtetit, janë evidentuar disa raste të shkeljeve të moratoriumit, gjë që shërben për prishjen e ambienteve dhe habitateve që duhej të strehonin
qetësisht faunën e egër. Gjatë periudhës 2014-2015 janë kryer nga Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve rreth 650 inspektime për gjueti të paligjshme, duke u vendosur gjoba me një vlerë prej 3.2 milionë lekë, si dhe bllokim e sekuestrim në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, të mbi 600 copë armë gjahu.

Nga ana tjetër, nga këndvështrimi shkencor, ekspertët dhe shkencëtarët e fushës së mbrojtjes së natyrës theksojnë faktin se për të rikuperuar atë degradim që kishte fauna para dy vjetësh dhe për të bërë një rimëkëmbje të plotë të disa prej këtyre popullatave, nuk janë të mjaftueshme dy vite (aq sa është periudha kur ka
filluar të zbatohet moratoriumi që prej muajit mars 2014), gjë që këta ekspertë dhe OJF të mjedisit e kanë shprehur që në atë kohë.

kjo3Ekspertët e fushës shprehen se disa lloje shpendësh (objekt gjuetie, ose jo), si thëllëza e malit, shkurtëza, thëllëza e fushës, rosa e vendit, rosa kryekuqe e vogël, kredharaku, bajza, pulujza etj., kanë nevojë për më shumë kohë për të bërë të mundur ripërtëritjen e popullatave të tyre. Duke qenë se shtrirja e tyre gjeografike mbulon pothuajse terësinë e territorit të vendit, është e rekomandueshme që qetësia të sigurohe  të paktën për një periudhë 4-vjeçare, në çdo habitat të përshtatshëm për folezimin e tyre, përfshirë mjedise tokësore dhe ujore. Kjo kohë do të ishte e mjaftueshme për rimëkëmbjen e popullatave të të gjitha llojeve të shpendëve dhe do jepte mundësinë për një pasurim të ndjeshëm të biodiversitetit në Shqipëri. Rritja e numrit të efektivave të shpendëve do të sillte padyshim edhe një rritje cilësore dhe sasiore të turizmit që lidhet me vizitorët vrojtues të shpendëve (“birdwatching”). Mijëra qytetarë, vendës dhe sidomos të huaj, do të vizitonin mjediset tona natyrore dhe do të sillnin një kontribut të ndjeshëm në ekonominë lokale dhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë.

Turet e para kanë lindur tashmë dhe pritet që aktiviteti të zgjerohet gjate vitit  2016 e në vazhdim, nëse do të krijohen kushtet për zhvillimin normal të faunës së egër.

Si një problematikë që lidhet me miratimin e këtij akti, është pozicionimi kundër moratoriumit i Federatave të Gjuetarëve dhe operatorëve të gjuetisë turistike. Ky grupim është pozicionuar kundër moratoriumit të ri 5-vjeçar, duke u shprehur se kjo masë i ndëshkon dhe krijon kosto për ta, përkeqësim të kushteve të tyre social-ekonomike etj. Por ky projektligj del si një kërkesë për të përmirësuar më tej kushtet për të bërë të mundur rimëkëmbjen dhe zhvillimin normal të popullatave të faunës së egër, objekt gjuetie dhe do të shërbejë për përmbushjen e detyrimeve që ka vendi në kuadër të konventave të fushës së mbrojtjes së natyrës, në të cilat Shqipëria është palë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button