Ekonomia

Haxhinasto në Samitin e Sllovenisë: Rajoni ka nevojë për financime për t’u përfshirë në rrjetin evropian

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në Konferencën rajonale mbi planin e investimeve në infrastrukturë, mbajtur në Lubljana të Sllovenisë, nën kujdesin e Komisioneres për Transportin, Violeta Bulc. Në takim merrnin pjesë ministrat e Transportit të rajonit, përfshirë vendet anëtare të BE, Greqinë e Rumaninë.

Ministri vlerësoi procesin e Berlinit dhe hartën e projekteve rajonale, të cilat u miratuan në Samitin e Vjenës vitin e kaluar. Haxhinasto, shprehu gadishmërinë për të realizuar detyrimet kombëtare në funksion të rrjetit evropian, por, theksoi ai, ekziston një hendek në gjithë rajonin midis nevojave për financim dhe mundësive të secilit vend.

Haxhinasto vlerësoi metodologjitë evropiane të zgjedhjes “së zgjuar” të projekteve dhe të projekteve të financueshme. Ai theksoi se nuk duhet harruar edhe vizioni strategjik në realizimin e projekteve që lidhshmëria (konektiviteti), duhet të sjellin zhvillim dhe integrim midis vendeve të rajonit.

Ministri informoi po ashtu mbi investimet e kryera në vendin tonë deri me sot dhe u ndal tek financimet që kanë marrë segmente të ndryshme përgjatë pjesës shqiptare të Korridorit Adriatik-Jonian, nga segmentet Hani Hotit- Shkodër, deri tek segmentet Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë. Gjithashtu ai përmendi financimet aktuale të segmenteve si by-passi Rrogozhinës, Fierit dhe Vlorës, investime totale këto prej 100 milione euro.

Duke u ndalur tek mënyrat e tjera të transportit, atij hekurudhor dhe atij detar, ministri veçoi fondet e dhëna nga instrumentet evropiane për aplikimin e përbashkët Shqipëri-Mali i Zi, prej 4 milion euro, dhe se si aplikimet e përbashkëta që mbeten më efektive se aplikimet e veçuara.

Haxhinasto, theksoi se në funksion të korridorit Adriatiko-Jonian duhet projektuar edhe sistemi i modaliteteve të tjera të transportit, ku ai vuri theksin tek projektet hekurudhore të Durrës- Mal i Zi, Durrës-kufiri me Maqedoninë, lidhja hekurudhore me Greqinë, si dhe lidhja Tiranë-Rinas- Durrës.

Më tej, ministri Haxhinasto u ndal tek çështja e mungesës se financimeve në të gjithë vendet e rajonit dhe përveç se e vuri theksin tek domosdoshmëria e angazhimit të sektorit privat në forma të ndryshme të PPP, prezantoi edhe konceptin për bashkimin e fondeve nga institucionet financiare evropiane me fonde private, për të realizuar nivele të pranueshme të kostos së parasë për projektet strategjike.

Haxhinasto foli edhe për rëndësinë e “masave të buta” që kanë për qëllim krijimin e një tregu të liberalizuar e të integruar, si dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi dhe kostove të larta të transportit ndërmjet vendeve të Ballkanit. Ai solli në vëmendje modelin e kalimit të kufirit me një ndalesë, një shembull i suksesshëm i aplikuar me Malin e Zi, për t’u aplikuar me të gjithë shtetet e tjera fqinje dhe kërkoi që ky model të ruhet edhe me Kosovën.

Ministri paraqiti përpjekjet për rregullimin e tregut të transportit në Shqipëri, si dhe masat për rritjen e sigurisë dhe standardit të mirëmbajtjes së rrjetit rrugor, gjë që u vlerësua në mënyrë të veçantë nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në takim, El Nifnawi. Haxhinasto, shprehu gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë, për të përfunduar Traktatin e Komunitetit të Transportit përpara Samitit të Parisit në korrik 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button