Tahiri: Ata që kanë guxuar të qëllojnë mbi policinë, do të marrin përgjigje
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka premtuar se “të gjithë ata që kanë guxuar të qëllojnë me armë ndaj policisë do të marrin përgjigjen e duhur ligjore”.
Duke folur për mediat pas daljes nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër, Tahiri u shpreh: “Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të treguar që shteti ligjor vlen në çdo cep të Shqipërisë. Jemi shumë të vendosur që të mos lejojmë kriminelë dhe terroristë që të shkaktojnë të tilla situata në të ardhmen”.
Më tej, ministri i Brendshëm shtoi: “I kam bërë thirrje banorëve të Lazaratit për të ndihmuar Policinë e Shtetit. Ne besojmë që banorët e ndershëm janë në krah të policisë”.
Në fund, edhe një thirrje për politikanët: “I bëj thirrje politikës të mos përdorë gjuhë me dy kuptime, por të dënojë aktin terrorist dhe të rreshtohet në krah të policisë”.