Politika

Tahiri: Burrë është ai që e dorëzon armën

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ishte sot në fshatin Dajç të Shkodrës, në kuadër të nismës “Shqipëria pa armë”. Tahiri, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të pushtetit vendor, dha mesazhet e tyre sensibilizuese për këdo që zotëron një armë, ta dorëzojë atë.

“Sot, 50 vite më parë u vendos me diktat nga partia se kultet fetare duhet të shkatërroheshin, duke i treguar njerëzve një sistem të ri besimi që pak kishte të bënte me besimin shpirtëror të tyre. Sot, 50 vite më parë u vendos që kultet fetare nuk duhet të ekzistonin dhe i vetmi entitet ku duhej të besohej ishte partia. Për fat të mirë, 50 vite më pas, shumë kohë është humbur, por kemi mundësi të fitojmë dhe nga e shkuara, ashtu siç kemi mundësi të ndërtojmë një të ardhme më të mirë të gjithë bashkë. Nga viti 1997 deri më sot ju e dini shumë mirë që, për rrethana sot të pakuptimta, thuajse çdo familje në Shqipëri u armatos. E unë nuk besoj se ishte për shkak të traditës apo të historisë. Ishte për shkak të frikës, të mungesës së shtetit, të pasigurisë, por dhe për shkak të tretjes së një sistemi vlerash shoqërore. Ajo plagë shënoi shumë fort historinë tonë. Kujtoj këtu që vetëm gjatë vitit 1997 kishte mijëra të vrarë në Shqipëri. Sot ka mijëra familje që vazhdojnë të vuajnë atë që ndodhi”, tha Tahiri.

Ministri shtoi se “armët janë sigurisht një e keqe e madhe, që nuk kërcënon të sotmen, por mbi të gjitha të ardhmen”.

“E më shumë se një armë e varrosur në oborr apo e fshehur diku në shtëpi, ne duhet të nisim të çarmatosim mendjen dhe arsyen. Më shumë se të çarmatoset komuniteti duhet ta fillojmë duke çarmatosur shpirtin nga dhuna, nga represioni, nga e keqja që shpesh na detyron të jemi përballë njëri-tjetrit dhe disa prej nesh, kuptohet në moment e sipër të përdorin dhe armët. Burrë është ai që fal. Kush justifikohet me traditën që shqiptari nuk e lëshon armën, bën gabim. Për sot dhe për të ardhmen që duam, është sistemi më i keq i vlerave për të rinjtë, të cilët mund t’i referohen arsyes, mund t’i referohen dijes, mund t’i referohen besimit, por kurrë nuk mund t’i referohen dhunës dhe armës. Shqiptari duhet të dallohet jo për armën në dorë, por për arsyen dhe për fuqinë e arsyes. Kjo është shumë e nevojshme për Shqipërinë që duam të ndërtojmë nesër. Ndaj burrë nuk është ai që e mban armën në shtëpi. Burrë është ai që fal. Burrë është ai që e dorëzon armën. Kjo nuk mund të jetë vetëm përpjekje e qeverisë”, deklaroi Tahiri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button