Kronika

Zvarritja e gjyqeve, ndëshkim kush shtyn seancat, afatet e reja

Reforma në Drejtësi do t’i japë fund një prej një prej sëmundjeve më të rënda dhe të përhapura në sistemin gjyqësor, siç është zvarritja e proceseve gjyqësore civile, e cila ka gjeneruar vetëm korrupsion, makth dhe padrejtësi. Shqiptarja.com zbardh Kodin i ri të Procedurës Civile, i cili do të miratohet gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar, ku parashikon mbylljen e të gjitha hapësirave, alibive dhe manovrave, për zvarritjen e seancave gjyqësore nga gjyqtarët, avokatët apo palët në proces.

Kodi i ri, i përgatitur nga ekspertët, bazohet në praktikën gjermane dhe austriake.

Ai adreson të gjitha problematikat e evidentuara në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, duke përcaktuar rregulla dhe procedura të reja për zhvillimin e proceseve gjyqësore civile në një kohë shumë të shkurtër.

Zgjerimi i kompetencave

Në këtë projektligj, nëpunësit gjyqësor i janë zgjeruar kompetencat lidhur me veprimet dhe masat që duhet të marrë në lidhje me njoftimin e palëve, me qëllim që të mos ketë pengesa për zhvillimin e procesit gjyqësor, brenda afateve të përcaktuara.

Nëpunësi gjyqësor mund t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, të cilat me ndryshimet e bëra, janë të detyruara të kthejnë përgjigje brenda afatit të përcaktuar.

Ky projektligj sjell si risi dhe raportin që nëpunësi gjyqësor harton dhe ja paraqet gjykatës lidhur me veprimet e tij, për njoftimin e palëve, për të bërë më të përgjegjshëm punonjësit, por edhe gjyqtarët për mirëadministrimin e procesit gjyqësor.

Bien alibitë

Projektligji parashikon që, në qoftë se personi i thirrur refuzon marrjen e njoftimit, nëpunësi gjyqësor ose punonjësi i shërbimit postar bën shënimin përkatës në aktin objekt njoftimi dhe, kur është e mundur, e vërteton edhe me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm. Në këtë rast, njoftimi duhet konsideruar i përfunduar.

Gjithashtu është përfshirë në këtë projektligj, për herë të parë koncepti i personit të autorizuar për marrjen e njoftimit në rastet kur palët nuk kanë mundësi të marrin njoftimin. Projektligji sjell risi sa i takon njoftimeve me mjete elektronike në rastet kur personat i kanë deklaruar më përpara ato në regjistrat publike.

Projektligji rregullon dhe parashikon procedurën e përmirësuar për rastet e njoftimit publik, duke prezantuar jo vetëm procedura më të detajuara, por njëkohësisht duke prezantuar për herë të parë një portal elektronik kombëtar për këtë qëllim, në të cilën njoftimi mund të qëndrojë për jo më pak se 20 ditë.

Masat ndëshkimore

Projektligji ndryshon nenin 107 të KPRC, duke parashikuar masa ndëshkimore për palët në proces, nëse shkaktojnë qëllimisht shtyrjen e një seance të vetme gjyqësore.

Konkretisht, nëse pala ndërgjyqëse ose përfaqësuesi i saj ka shkaktuar me faj shtyrjen e seancës gjyqësore, ose ka krijuar nevojën për një seancë tjetër gjyqësore, ose ka krijuar vonesa të panevojshme duke sjellë prova shtesë, kërkesa ose parashtrime me vonesë, gjykata kryesisht mund të caktoje një tarifë gjyqësore shtesë.

Nëse këto veprime kryhen nga përfaqësuesi pa pëlqimin paraprak të palës, përfaqësuesi detyrohet të zhdëmtoje palën me tarifën gjyqësore shtesë të vendosur. Po ashtu, ka ndryshuar edhe neni 110, ku për caktim të gabuar të vlerës së padisë dhe për llogaritje të gabuar të tarifave dhe të shpenzimeve të tjera gjyqësore, mund të bëhet ankim i veçantë. Ankimi kundër vendimit nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjykatës.

 

Më poshtë disa prej ndryshimeve:

Neni 3

Në Kreun VI, Sekretaria Gjyqësore, neni 78 “Nëpunësi Gjyqësor” i shtohet paragrafi i dytë dhe i tretë me këtë përmbajtje: “Nëpunësi gjyqësor merr masa të arsyeshme për realizimin e kërkimeve të nevojshme në lidhje me adresën e palës së njoftuar, në regjistrat publike, pranë autoriteteve administrative, pranë familjes dhe te afërmve, në vendbanimin e fundit të marrësit, ose nëpërmjet burimeve te tjera të mundshme.

Nëpunësi gjyqësor është përgjegjës për mos kryerjen e njoftimeve ose kryerjen e parregullt te tyre. Kërkesat e nëpunësit gjyqësor janë detyruese për subjektet të cilave iu drejtohen. Këto të fundit duhet të kthejnë përgjigje brenda afateve të caktuara në kërkesë. Për këto veprime, nëpunësi harton një raport të cilin ja paraqet gjykatës.”

Neni 11

Në nenin 106, në vend të fjalës “taksa”, vendoset fjala “tarifa”.

Neni 12

Neni 107 ndryshohet si më poshtë vijon: Nëse pala ndërgjyqëse ose përfaqësuesi i saj ka shkaktuar me faj shtyrjen e seancës gjyqësore, ose ka krijuar nevojën për një seancë tjetër gjyqësore, ose ka krijuar vonesa të panevojshme duke sjellë prova shtesë, kërkesa ose parashtrime me vonesë, gjykata kryesisht mund të caktoje një tarifë gjyqësore shtesë sipas përcaktimeve të ligjit “Për tarifat gjyqësore.

Nëse këto veprime kryhen nga përfaqësuesi pa pëlqimin paraprak të palës, përfaqësuesi detyrohet të zhdëmtoje palën me tarifën gjyqësore shtesë të vendosur.

Neni 15

Ne kreun IV, me titull “Njoftimet” paragrafi i fundit i nenit 130 ndryshon si më poshtë: “Në qoftë se personi i thirrur refuzon marrjen e njoftimit, nëpunësi gjyqësor ose punonjësi i shërbimit postar bën shënimin përkatës në aktin objekt njoftimi dhe, kur është e mundur, e vërteton edhe me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm. Në këtë rast, njoftimi duhet konsideruar i përfunduar.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button