Kronika

Monitorime edhe me dron në luftën kundër kultivimit të kanabisit, së shpejti të tjera goditje nga OFL

Ministria e Brendshme ka një plan të qartë për luftën anti-kanabis, në kuadër të të cilës kanë nisur dhe monitorimet nga ajri, ndërsa pritet dhe përdorimi i dronëve në zonat e thella.

Zv/ministrja e Brendshme, gjatë një interviste televizive shpreh bindjen se këtë vit rezultati do jetë i shkëlqyer, ndërsa nënvizon se në fokus të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit do të jetë edhe dhuna në familje.

“Ne planin e kemi për luftën antikanabis. Është një nga prioritet të cilin unë e ndjek sepse jam dhe drejtuese e task forcës qendrore kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabasit në sajë të strategjisë 2017-2020. Unë ju siguroj se të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm Policia e Shtetit, ka një plan të tyre sigurisht të detajuar. Policia e Shtetit planin e harton që në janar, planin e përgjithshëm operacional, pavarësisht se kultivimi nis këtë periudhë dhe drejtoritë vendore kanë planet e tyre të detajuara, sipas zonave. Ju kujtoj se kontrolli i territorit ka kohë që ka nisur dhe fakti që u zbulua një rast i kultivimit të mbyllur, tregon se sa e vështirë është bërë për individ të ndryshëm, qoftë dhe grupe kriminale për të kultivuar jashtë dhe sigurisht në këtë prizëm, plani ynë është identifikimi i kultivimit “indor”, pra brenda në banesa apo në godina të caktuara”, – thekson Voda.

Ajo shton se janë tre janë qarqet të cilat vlerësohen si më me rrezik.

“Kontrollet kanë nisur në qarqet që ne i kemi konsideruar me rrezik, si Durrës, Gjirokastër, Shkodër, ndërsa kontrollet nëpërmjet fluturimit kanë një javë që kanë nisur, pasi më herët edhe kushtet atmosferike nuk e lejonin një gjë të tillë. U ndërprenë ditët e reshjeve, dy ditë dhe këtë javë rinisin kontrollet nga ajri. Monitorimi i Policisë së Shtetit, priret të shkojë edhe në një monitorim modern, jo vetëm me helikopterë, por edhe me dron. Këtë vit Policia e Shteti do të ketë një numër të konsiderueshëm dronësh të cilat do monitorojnë zonat e thella, ku dhe helikopterët e kanë të vështirë të kontrollojnë. Unë jam e bindur se rezultati këtë vit do jenë shumë herë më i mirë se viti i shkuar sa i takon luftës ndaj Kanabisit. Në zbatim të gjitha planeve dhe aktiviteteve që Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera që kanë ndërmarrë dhe jam besimplotë se ky vit do jetë shumë më i mirë se sa viti i shkuar dhe jo problematikë siç pretendohet se janë zgjedhjet, pasi ka ikur koha e të hidhet baltë mbi këtë aktivitet, duke e lidhur me procesin zgjedhor. Nga vitit 2017 e këtej, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit e ka pasur prioritet luftën ndaj kultivimit të kanabisit”, – theksoi zv/ministrja.

Ajo paralajmëroi se OFL pritet shumë shpejt të ketë disa goditje.

“Për sa i përket punës së OFL, në këto dy muaj, ose ndoshta dhe më pak, për shkak të situatës së COVID-19 ka pasur një ulje të operacioneve, por ju siguroj se Task Forca që funksionon pranë drejtorisë së Policisë së Shtetit është në aktivitet. Ka në përpunim materiale të caktuara dhe ju siguroj se shumë shpejt do të dëgjoni për goditje të tjera të operacionit Forca e Ligjit. Por s’mund të jap detaje. Janë emra që sigurisht janë në listën e personave me rrezik apo veprimtari kriminale, që sigurisht janë objekt i OFL”, – theksoi Voda.

Zv/ministrja e Brendshme theksoi se ka një fokus të veçantë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë sa i takon fenomenit të dhunës në familje. Sipas Vodës, ka një rritje të besimit nga ana e qytetarëve tek Policia e Shtetit në kuadër të kësaj problematike.

“Në Kuvendin e Shqipërisë kalojë dhe një paketë ligjesh për dhunën në familje. Kjo për të forcuar më shumë kuadrin ligjor i cili do t’u vijë në ndihmë organeve ligjzbatuese, ku ndër to Policia e Shtetit, që ka përballjen e parë. Pavarësisht rasteve që kanë bërë bujë, ka një porosi të veçantë nga Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, që institucionet ligjzbatuese ta kenë në fokus këtë problematikë, ashtu siç kanë në fokus luftën ndaj kanabisit apo krimit të organizuar apo ruajtjes së mjedisit, pasi dhe ky fenomen tashmë është kthyer në fokus të policisë, ashtu dhe dhuna në familje, pra lufta kundër dhunës në familje do jetë një nga prioritetet kryesore”, – tha Voda.

“Kjo betejë është çështje mentaliteti dhe  besimi, por numri i telefonatave në numrin 112 apo 129 për rastet e dhunës në familje apo në komisariatin digjital ka pasur rritje, dhe unë e interpretoj si rritje besimi. Kjo s’do të thotë se ka pasur më pak dhunë familje në vitin 2013 se sa sot. Unë them se rritja e besimit te Policia e Shtetit është dhe shkak i rritje së përgjegjësisë së policisë në trajtimin e këtyre ankesave, pasi me urdhër të ministrit kemi pasur në fokus këtë lloj krimi, duke ruajtur anonimatin dhe konfidencialitetin”, – nënvizoi Voda.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button