Te ndryshme

Problemi amerikan i Porto Rikos

 Liderët politikë amerikanë, sikurse shumë syresh në mbarë botën, po e shijojnë agoninë greke si fabulat e Ezopit në kohët moderne (duke vendosur milingonat europianoveriore përballë karkalecave të Mesdheut). Ministri gjerman i Financave, para pak ditëve, propozoi jo pa ironi që amerikanët ta këmbenin atë madje me Greqinë. Por çfarë fsheh më në thellësi kriza në shtetin autonom amerikan që dikur ishte një koloni spanjolle?

Politikanët e duan një rrëfenjë morali. Thjesht pyesni grekët për këtë. Liderët politikë amerikanë, sikurse shumë syresh në mbarë botën, po e shijojnë agoninë greke si fabulat e Ezopit në kohët moderne (duke vendosur milingonat europianoveriore përballë karkalecave të Mesdheut). Kjo e bën disi më goditëse konstatimin se bosët politikë kontinentalë (d.m.th. në territorin kontinental të SHBA-së) të duken më hezitues për të moralizuar ndaj një krize borxhesh që po ndodh shumë pranë shtëpisë së tyre, në territorin autonom amerikan të Porto Rikos.

Guvernatori i ishullit, Alejandro García Padilla, muajin e shkuar pranoi se borxhet publike të arritura në nivelin e 72 miliardë dollarëve “nuk mund të kthehen dot”. Për politikanët e djathtë, rënia e Porto Rikos duket si një parabolë tashmë e parashikuar. Është një rrëfenjë e politikave dhe qeverisjeve groteske, që duken të këndshme, por që në fakt i zhysin të varfrit në një varësi të pafundme.

Për të marrë vetëm një shembull, përqindja e punësimit të forcës së aftë për punë është një shifër e dëshpëruar prej 40 përqindësh, falë pjesërisht edhe ligjeve të brishta të punësimit dhe skemave të mirëqenies sociale, të cilat shpesh të paguajnë më mirë se sa të punosh.

Për ata të majtët, ky është një shans për të predikuar kundër fondeve të investimeve, të cilat shpërthyen në bondet e Porto Rikos në kërkim të përqindjeve të larta të fitimit, dhe tashmë ata duan që ishullorët të marrin përsipër kostot dhe dhimbjet, pasi loja përfundoi keqas.

Republikanët dhe demokratët rrallë e kanë mbajtur gjuhën pa folur kur kriza të ngjashme borxhesh shpërthyen në Europë, apo në qytete të tilla amerikane si Detroiti.

Edhe mes liderëve politikë kontinentalë, debati rreth Porto Rikos ka qenë dukshëm i kujdesshëm dhe teknokratik — ndërsa peshqit e mëdhenj diskutojnë mbi ishullin në të gjitha qendrat në lidhje me çështje të tilla si ligjet për falimentimin e bankave, të cilat janë në duart e Kongresit në Uashington.

Më 7 korrik, Hillary Clinton, kandidatja kryesore demokrate për presidencialet e 2016-s, përfundoi ditë të tëra vokacioni të dyfishtë dhe i bëri thirrje Kongresit për t’i dhënë Porto Rikos të njëjtin akses në politikat federale mbrojtëse ndaj falimentit të bankave që gëzojnë dhe 50 shtetet e SHBA-së, ndërsa u përpoq të shpëtonte bashkitë në borxhe apo shërbimet publike.

Disa grupe konservatore akuzojnë demokratët se po punojnë për ta lënë Porto Rikon të flejë në borxhet e veta sikurse Argjentina, Venezuela apo vende të tjera me orientim ekstramajtist që i shpërfillin ligjet. Ato zëra kritikë do të gjendeshin në një bazë më të fortë politike nëse idetë e zonjës Clinton nuk do të ishin thjesht një kopje karboni e një propozimi të bërë nga rivali i saj kryesor republikan, Jeb Bush.

Zoti Bush, një ish-guvernator i Floridas, argumenton se Porto Rikos i duhen dhënë të njëjtat të drejta mbi falimentimin bankar sikurse edhe 50 shteteve amerikane — jo vetëm sepse ai mendon se ishulli një ditë do të bëhet shteti i 51 i SHBA-së.

Për dekada të tëra, votat e diasporës portorikane kanë ndikuar në zgjedhjet kombëtare amerikane, pasi shumica e tyre jetonin në Nju Jork apo në Nju Xhersi, ku demokratët kanë korrur fitore në garat zgjedhore. Por qysh prej vitit 1990, kur legjione të tëra “Nuyorican”-ësh, apo portorikanësh që jetonin në Nju Jork dhe verilindje, kanë emigruar tashmë drejt shtetit që mbart beteja të forta, Floridas, i rrahur nga dielli, e ku gjenden shtëpi të lira dhe vende pune.

Në dekadën e shkuar, atyre iu bashkëngjitën me qindra e mijëra bashkatdhetarë ishullorë që lanë vendin e tyre si pasojë e stanjacionit ekonomik dhe shkallës së lartë të kriminalitetit. E tashmë janë rreth 5 milionë portorikanë në SHBA-në kontinentale, një e pesta e të cilëve jetojnë në Florida. Edhe një gjë e fundit e çuditshme u jep atyre të mbërriturve rishtazi, një influencë të shtuar.

Në Porto Riko, partitë politike janë të organizuara rreth çështjeve aq të lokalizuara si nënshtetësia, dhe nuk shkojnë aspak me luftën e ideve partizane amerikane për të cilat majtistët në përgjithësi janë më shumë skeptikë, ndoshta sepse sektori publik i stërfryrë i ishullit, do të duhej të rrudhej dhe taksat do të duhej të binin e të barazoheshin me normat që aplikohen në SHBA-në kontinentale. Në zgjedhjet në shtetin e Floridas, kjo i bën portorikanët specie të rralla: votues të lëkundur, që duan të zgjedhin si republikanët moderatorë (e sidomos nëse ata janë portorikanë) ashtu dhe demokratët.

Faji kolonial

Me gjithë matematikën elektorale, është një arsye tjetër se përse politikanët amerikanë kontinentalë mund të hezitojnë të flasin shumë për Porto Rikon. Përfshihen nga një ndjenjë faji. Amerika është krenare që është një superfuqi që nuk ndërtoi kurrë një perandori. Por Porto Riko në thelb u fut nën kontroll si një koloni në vitin 1898, pas një lufte të shkurtër që i dha fund katër shekujve kolonializëm spanjoll (ishullorët u çliruan së qenë “spanjollë të zjarrtë”, duke u shndërruar në “amerikanë entuziastë” brenda 24 orëve, u citua të thoshte asokohe njëri ndër komandantët spanjollë).

Që nga ajo ditë, mallrat duhet të transportoheshin mes pjesës kontinentale amerikane dhe Porto Rikos në anijet e shtrenjta me flamur amerikan, nën ligjin e vitit 1920, të cilin Kongresi refuzon ta shfuqizojë. Nën Rexford Guy Tugwell, i emëruar guvernator nga Franklin Roosevelt në vitin 1941, ishulli ishte një ndër eksperimentet më të mëdhenj në ekonominë e centralizuar, deri në themelimin e industrive të favorizuara, që nga peshku ton i konservuar e deri te prodhimet farmaceutike. Ishulli më pas u subvencionua si një shembull i kundërt për Kubën komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, por nuk u bë kurrë kompetitiv.

Luis Fortuño, një konservator që u përpoq të sillte rritje duke shkurtuar taksat dhe duke vënë rregull në financat publike, ndërsa u zgjodh guvernator i ishullit në 2009-’13, thotë se shpesh ndihej se ishte “duke luftuar një fantazmë”.

Sot, disa nga të djathtët amerikanë duan që Kongresi të krijojë një “bord kontrolli financiar” me fuqi për të imponuar reforma në Porto Rikon e lodhur nga borxhet, siç u bë me Uashington, DC në vitet 1990. Kjo duket paturpësisht kolonialiste, dhe nuk është mënyrë për të forcuar reformat që mund të duhen.

Pak çudi që shumë politikanë amerikanë preferojnë të injorojnë Porto Rikon. Mjerisht për ta, kriza e borxheve po shfaq muskujt në garën e presidencialeve të 2016-s. Herët a vonë, kjo rrëfenjë do të ketë nevojë për një fund moral.

Marrë nga “The Economist”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button