Te ndryshme

A e humbi Hitleri luftën prej Parkinsonit?

Sëmundja e Parkinsonit mund të ketë luajtur një rol kyç në mposhtjen e Adolf Hitlerit, sipas një studimi të ri që ka ngjallur shumë diskutime.

Kërkimi pretendon se sëmundja neurologjike ndikoi në marrjen e disa prej vendimeve më të mëdha të diktatorit, duke e bërë atë të pamëshirshëm dhe duke i shkaktuar humbjen e Luftës së Dytë Botërore si pasojë.

Por hulumtimi shkon gjithashtu një hap më tej kur thotë se vrasjet e tmerrshme dhe çnjerëzore të Hitlerit gjithashtu u influencuan nga kjo sëmundje, duke ekzagjeruar temperamentin e tij të dhunshëm.

Studimi i drejtuar nga Raghav Gupta dhe një skuadër në Universitetin e Pitsburgut u publikua së fundmi në revistën “Neurokirurgjia Botërore”. “Mundësia që Hitleri të vuante nga Parkinsoni ka qenë një subjekt debati prej shumë kohësh”, shkruan Gupta.

“Provat me video tregojnë se Hitleri ka shfaqur dëmtim progresiv të funksionit motorik nga viti 1933 deri në 1945.”

Nga fundi i jetës së tij, Hitleri kishte një dridhje të dukshme të duarve, veçanërisht në të majtën, gjë që i ka bërë shkencëtarët të vënë në pyetje faktin nëse kishte apo jo këtë sëmundje.

Parkinsoni gjithashtu mund të shkaktojë një ecje të ngadaltë, qëndrim të përkulur dhe një shikim jo të mprehtë, së bashku me çrregullime konjitive, si mungesa e imagjinatës dhe apatia e përgjithshme.

Kërkuesit sugjerojnë se gjendja shëndetësore e Hitlerit mund ta ketë bërë atë të sulmojë përpara kohe Rusinë më 1941-shin. Një studim i mëparshëm pretendoi se vendimi i Hitlerit për të sulmuar Rusinë përpara mundjes së Britanisë në frontin perëndimor, ishte një rezultat direkt i shëndetit të tij të keq.

Argumentet e studimit së bashku me vendimet e këqija të Hitlerit si dështimi i mbrojtjes së Normandisë më 1944-n dhe mbajtja e forcave të tij në Stalingrad më 1942-shin, i vërtetojnë këto hipoteza.

Ata thonë se ky është rezultat i temperamentit të dhunshëm të diktatorit, i cili mund të jetë rënduar nga Parkinsoni. Studimi gjithashtu vazhdon duke sugjeruar se mungesa e pendesës dhe simpatisë treguar nga ana e Hitlerit, mund të lidhet po ashtu me Parkinsonin.

“Personaliteti i çmendur i Hitlerit, shënuar nga mungesa e simpatisë dhe pendesës, mund të jenë shoqëruese të sëmundjes së tij, gjë që e ka çuar të veprojë në mënyra që sot konsiderohen si brutale, zemërthyera dhe jo etike”, thonë autorët.

Siç zbulohet më pas, problemi me këtë teori është fakti se nuk mund ta shpjegojë sjelljen e Hitlerit përpara vitit 1933, teksa ai ka shfaqur shenja të temperamentit shkatërrimtar përpara kësaj kohe.

Doktor John Murphy, zëvendëspresident i spitalit Danbury, më parë ka ngritur të njëjtën teori.

Ai argumenton se shkaku bazë i sëmundjes së Parkinsonit te Hitleri mund të jetë një gjendje e njohur si encefaliti i von economos, një ënjtje e trurit pas një infeksioni.

Ai infeksion mund të jetë marrë nga Hitleri në vitin 1918 nga epidemia gripore që vrau 50 milionë njerëz.

Teoria 2: Ishte Hitleri i varur nga droga?

Një studim më vete i publikuar në vitin 2013, e portretizon Hitlerin si një person të varur nga droga. Psikiatri Nassir Ghaemi pretendon në dokumentarin e National Geographic se abuzimi me drogën nga ana e Hitlerit ka shkaktuar depresionin e tij maniak, duke reduktuar pamjen e tij në të dobët dhe me dridhje.

“Nuk është çështja nëse Hitleri ishte apo jo një i varur nga amfetamina, por fakti qëndron në atë që Hitleri kishte çrregullim bipolar dhe amfetamina e përkeqësoi”, tha ai.

Ky është problemi që nuk është përshkruar më parë dhe që mund ta shpjegojë shumë arsyen përse Hitleri ndryshoi në fund të viteve ’30 dhe në vitet ’40.

Raporti gjithashtu citon se Hitleri merrte injeksione ekstazie nga gjëndrat e prostatës apo nga testikujt e demave, për të nxitur dëshirën e tij seksuale që të mbetej një dashnor i rinuar.

*Burimi: Daily Mail

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button