Kosova

​Kosova dhe Turqia rritje të bashkëpunimit në fushën e kulturës

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Yalçin Topçu u prit sot në takime të ndara nga kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet mes dy shteteve në fusha të ndryshme, veçanërisht në kulturë e turizëm.

Gjatë takimit kryeministri Mustafa,  tha se zhvillimi i kulturës dhe turizmit, janë pjesë e prioriteteve të qeverisë së Kosovës.

Duke folur për progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin maksimal të qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, Mustafa, vlerësoi përkrahjen e Turqisë për Kosovën, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit, me theks të veçantë në ekonomi, turizëm dhe kulturë.

“Zhvillimi i kulturës dhe turizmit, janë pjesë e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, ku ne jemi të fokusuar për zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe për fuqizimin e këtyre dy segmenteve të rëndësishme për shoqërinë kosovare”, u shpreh kryeministri.

Sipas një komunikate të qeverisë së Kosovës, Mustafa foli edhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane, si dhe për anëtarësim në UNESCO, sepse Kosova ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate , siç janë kultura, arsimi e shkenca.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Republikës së Turqisë, Yalçin Topçu, falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, duke vlerësuar progresin në Kosovë.

Ministri Topçu, po ashtu, shprehu përkushtimin e Turqisë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe përkrahjen e gjithanshme të Turqisë për Kosovën

shala4Gjatë takimit me ministrin Shala ministri Yalçin Topçu shprehu përkushtimin e qeverisë turke që edhe në të ardhmen të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, sidomos në procesin e anëtarësimit në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, siç është tani anëtarësimi në UNESCO.

Po ashtu, ministri turk Topçu foli për nevojën që Kosova të forcojë paqen dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, në të mirë të një rajoni më të qetë dhe më stabil.

Ministri turk Topçu theksoi nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës, edukimit dhe ekonomisë, si dhe premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në këto fusha.

Ndërsa ministri Shala e falënderoi ministrin Topçu për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i jep Kosovës në shumë fusha, para si dhe nga procesi i pavarësimit e këndej, duke vënë theksin sidomos te ndihma që i jepet Kosovës në procesin e anëtarësimit n organizata ndërkombëtare.

Shala gjithashtu u shpreh se bashkëpunimi me Turqinë ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe krijon bazë për bashkëpunime në shumë fusha me rëndësi.

Ai theksoi se Kosova ka të përcaktuar rrugën e saj politike, që është integrimi në strukturat euro-atlantike, dhe në këtë pikë, perspektivat e dy vendeve tona janë të përbashkëta.

Sipas një komunikate të MKRS-së, ndërmjet ministrit Shala dhe atij turk Topçu u bisedua edhe për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore.

Në këtë pikë, Shala përmendi ndihmën e vazhdueshme që TIKA dhe agjenci të tjera turke i kanë dhënë trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button