13 anëtarë të sigurisë humbin jetën pas një sulmi ajror izraelit
Gjatë një sulmi ajror izraelit mbi një ndërtesë qeveritare në qytetin jugor Nabatieh u vranë 13 anëtarë të shërbimit të Sigurisë së Shtetit, njoftuan sot autoritetet libaneze.
Burime të sigurisë në Bejrut thanë se Nabatieh dhe zonat përreth janë goditur rëndë nga dhjetëra sulme ajrore izraelite dhe bombardime artilerie.
Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Shtetit bëri të ditur se sulmi kishte në shënjestër ndërtesën qeveritare të Nabatieh, ku ndodhet zyra rajonale e saj. Sipas këtij institucioni, viktimat ndodheshin në detyrë, duke shërbyer për qytetarët në kushtet e krizës së vazhdueshme.
Institucioni e dënoi sulmin, duke akuzuar Izraelin për goditje të qëllimshme ndaj personelit të sigurisë dhe civilëve në territorin libanez.
Departamenti i Sigurisë së Shtetit është një nga agjencitë kryesore të inteligjencës dhe sigurisë së brendshme në Liban, me detyrë luftën kundër spiunazhit dhe terrorizmit, si dhe mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Që prej fillimit të luftës më 2 mars midis Hezbollah, i mbështetur nga Irani, dhe Izraelit, disa ushtarë të ushtrisë libaneze janë vrarë nga sulmet izraelite në jug të vendit.
Presidenti Joseph Aoun dënoi sulmet, duke deklaruar se goditja e institucioneve shtetërore nuk do ta ndalojë Libanin të mbrojë sovranitetin e tij. Ai gjithashtu përsëriti thirrjen ndaj komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë dhe ndalur sulmet izraelite./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.