Kryeartikull

Zhgënjimi i radhës në Tokio 2020, botoksi dhe tatuazhet e Gen. Z

Ben Andoni

Ka një element të bukur në ceremonialin e lamtumirës së olimpiadave: vendi organizator ia la stafetën vendit të ardhshëm dhe ky i fundit demonstron qysh në atë moment me një shfaqje mikpritjen e ardhshme. Njësoj ndodh edhe me sportistët dhe stafet përkatëse olimpike. Sapo mbyllin garat, teknikët e ekipeve olimpike fillojnë me kujdes matjen e kohës për të gjetur ciklet e përshtatshme të stërvitjes së sportistëve të tyre dhe fillojnë numërimin mbrapsht drejt aktivitetit të radhës. Në këto pak rreshta nuk do merremi me sëmundjen tonë të kamotshme, ku delegacioni olimpik ka zakonisht më shumë zyrtarë sesa sportistë e trajnerë. As për tollovinë e ekipit tonë dhe as mungesën totale të shpirtit olimpik shqiptar deri më tani. Çfarëdo të thonë zyrtarët dhe sado që të zihen nëpër asamble, sa do federata të kemi, Olimpiada është aktiviteti i përbotshëm i cili nxjerr zbuluar zhvillimin e sportit, politikat për përgatitjen fizike dhe krenarinë kombëtare përmes sportit. Këtu dështuan. A ka mbetur ndonjë grimë krenarie mes shqiptarësh? Vështirë ta thuash. Përveç rrjeteve sociale, ku çdo gjë mëtohet si e jona dhe madje edhe Zoti vetë ka folur në shqip…!!!

Për të gjithë Olimpiada është një kremtim sublim, për ne është thjesht një aktivitet i madh, ku parakalojmë me flamurin tonë kombëtar. Nuk është se përbën ndonjë lajm të papritur se Shqipëria s’mundi të marrë medalje në Tokio 2020. Edhe pse Briken Calja në peshëngritje ishte afër udhës së medaljeve por fati s’ishte dashamir me të. Luiza Gega, e cila arriti një rezultat të mrekullueshëm duke u përfaqësuar në finale. Një lavdërim i shkon edhe atletëve të tjerë, që duhet të vlerësohen për kushtet ku stërviten në vend ose pamundësitë e shumta që i rrethojnë.

Shqetësimi është një dhe vetëm një dhe madje duket qysh sot: Shqipëria ka pak gjasa të nderohet me ndonjë medalje edhe në olimpiadën e ardhshme pas tre vjetësh. Arsyeja: Olimpizmi shqiptar prej kohësh është i vdekur. Fryma e tij. Sherret e pafundme boshe. Infrastruktura. Mbi të gjitha, ndershmëria për të punuar dhe hulumtuar e ndihur me kujdes sportistë cilësorë. I gjithë mjedisi sportiv tek ne është i investuar më së shumti te futbolli, porse pak thuhet ose aspak për sportistët e sporteve të tjera. Për të ardhur keq edhe kolegët e medias i lënë pak vend sporteve olimpike sepse pjesën e luanit e mbushin lajmet për futbollin, që prej vitesh zhgënjejnë paq. Ndaj, ndodh që apelet për kushtet e stërvitjes dhe mënyrën e përfshirjes së sportistëve në sporte të tjera janë minore dhe pothuaj të papërfillshme.

A mjafton vetëm kjo? Një trishtim i madh të vjen kur di se: tashmë vetëm një pjesë e vogël e botës olimpike, flitet për vendet fare të vogla, gjithsesi e kanë tek-tuk ndonjë medalje por jo Shqipëria. Kosova po na lë pas, falë kujdesit të madh që tregojnë në xhudo dhe megjithë problematikën po synojnë edhe në sporte të tjera. Ndërkohë në Tiranë ka vetëm një pistë të thjeshtë vrapimi, por aspak një pistë mirëfilli olimpike. Shikoni me kujdes mënyrën sesi vrapojnë sportistët tanë dhe e kupton sesa dobësi kemi. Po ç’bëri një pistë, të thonë mjeshtrat dhe baballarët e sporteve?! Po ç’bën një palestër me parametra të lartë? Po ç’bën dhe ç’bën? Kjo është pjesa e shtetit tonë, që duhet të turpërohet me politikat e zgjedhura për inkurajimin e sportit, me kufizimin e orëve sportive por edhe degradimin e një lëndë aq të dashur dhe aq të nevojshme dikur. E shmangim edhe pse nuk duhet pjesëmarrjen e Ministres së Arsimit dhe Sporteve në Tokio dhe mungesën e trajnerëve. Edhe kjo gjithsesi nuk ngre peshë! Në fund na mbetet cinizmi i zyrtarëve dhe përpjekjet se ku do të përfitojnë. Kosova ndërkohë ka nisur përgatitjen për Parisin.

Dhe të rinjtë e sotëm shqiptarë? Ku janë ata që duhet të përfaqësonin Shqipërinë dhe që ishin në fashën e fundit së të ashtuquajturit Millenium Generation, pasi sot e më tej stafetën e ka Generation Z. Kjo e fundit, një koncept për fashën shoqërore të lindur në vitet 1995 dhe 1996, kurse ajo më parë për brezin e viteve ‘80. Të bëjmë një pauzë duke shfrytëzuar një raport për brezin që bën sot jetën më vitale dhe mund të tregojë modelin e një rinie të shëndetshme por edhe përfaqësuese, duke e nderuar vendin. Olimpiada të nxjerr realisht zbuluar. Generation Z në Shqipëri është krejt i humbur në bjerraditën e zakonshme në rrjetet sociale, në vajzat me botoks dhe plot fryrje në pjesët vitale, imazhet e pafundme kallpe në istagram, me djemtë plot tatuazhe e të fryrë në palestra por që tek e fundit nuk thonë asgjë. Shtuar edhe ata jo të paktit që na xhirojnë gomat para syve, sepse policinë as nuk e llogarisin teksa ua sodit me admirim markat e makinave; por edhe të fortët që ecin me krahët e hapura duke u lëkundur. Shqipëria ka boll probleme, por duket se problemet më të mëdha do të jenë me këtë brez, që përçmon arsimimin; i ngre kult hedonizmit të pafre; neverit punën e thjeshtë dhe mbi të gjitha nuk ka një sens përgjegjësie për t’i dhuruar mes të tjerave edhe një kut fizik vendit dhe tek e fundit vetë tyre. Mbase pyetja që mund të drejtojë një nihilist është e drejtë: Po pse nuk duhet të merret shteti me këtë? Çfarë bën Komiteti Olimpik me fondet? Po burokratët e Ministrisë e të tjerë e të tjerë. Të gjitha janë të drejta, por më e drejtë është edhe përkushtimi dhe modeli, atje nga ku inincohen rezultatet. Në këtë artikull nuk ka vend për qindra rastet e stërvitjeve vetanake të sportistëve të talentuar, qoftë dhe shqiptarë, por më shumë një ndjenjë sikleti me falsitetin e luksit shqiptar të të rinjve. Sikur të jepnin kaq sa bëjnë me paratë, tatuazhet, drogën, dhe botoksin për cilësinë sportive dhe rezultatet do të nderonin një brez dhe do t’i dhuronin modelet e munguara shqiptarëve, bash atë që na duhet më shumë. Djemtë e përfaqësueses së regbisë kthyen unitetin në Afrikën e Jugut, ndarë prej vitesh me Aparteidin; Kenia e bëri sportin në kushte të vështira dhe shumë syresh vraponin në shkretëtirë zbathur; Kosova, pas ndeshjeve, pastrohej në përrenj…

“Ka pasur shumë sondazhe për të përcaktuar karakteristikat e Gen Z – kryesisht të kryera në botën anglishtfolëse, duke i shqyrtuar ato në një shkallë globale dhe shpesh për qëllime komerciale – dhe duket se pajtohen te një numër karakteristikash. Ky brez përshkruhet si i vetëdijshëm, këmbëngulës, realist, novator dhe i pavarur nga vetja, në kontrast me Mijëvjeçarët, të cilët u panë se ishin më shumë të përqendruar në vetvete, me të drejtë, idealistë, krijues dhe të varur. Brezi Z pretendohet të jetë më i arsimuari proporcionalisht, me mendje liberale dhe i hapur ndaj tendencave shoqërore në zhvillim. Madje, disa do të argumentojnë se ‘kërkimi i së vërtetës’ është në zemër të identitetit të tyre. Kjo përfshin të kuptuarit, lidhjen dhe shprehjen e të vërtetave të ndryshme individuale. Fillimisht, i njohur si iGeneration, duke iu referuar faktit se ata u rritën me iPhone dhe iPad, këta janë të familjarizuarit e parë dixhitalë. Për sa i përket sjelljes së tyre, kjo do të thotë se: ata përdorin mediat sociale shumë më tepër se brezat e mëparshme për të qëndruar të azhurnuar në çështjet aktuale; ata kujdesen shumë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre dhe të planetit; ata janë shumë më të ndikuar nga reklamat dixhitale dhe shërbimet financiare dixhitale sesa brezat e vjetër; kur është fjala për udhëtimet, ata nuk dëshirojnë të zotërojnë një automjet dhe janë shumë më të interesuar për platforma ndërvepruese, siç janë bisedat në internet ose platformat e rezervimit të zgjuar…”, shkruhet te “Next generation or lost generation?”-, përgatitur nga Nora Milotay.

A janë të tillë shqiptarët e sotëm dhe ata që mëtojnë të ardhmen? Me frikë jo. Interesi i Generation Z të mbetur në vendin tonë është cili ka makinën më të bukur, ku do të iki, jo pak nga femrat duke demonstruar luksin e pafre, shumë tatuazhin më të këndshëm dhe paratë, bashkë me një arrogancë që nuk ndalon. Dhe, më i dhimbshëm ende na vjen një renditje te Eurostat, ku Shqipëria është katërta, pas Turqisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, me përqindjen më të lartë të të rinjve që as nuk punojnë dhe as nuk mësojnë dhe as nuk janë në ndonjë trajnim. Sepse jo pak vajzave u mjafton botoksi për t’u shtirur dhe djemve muskujt falsë, bashkë me një shtet krejt të paorganizuar, që vetëm sodit kaosin. Ja pse Tokio 2000, nuk u përjetua fare në Shqipëri. Na mjafton, pra, botoksi dhe tatuazhet e shqiptarëve të G-Generation.  (Homo Albanicus)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button