Opinion

Edi Rama bllokon aksesin e gazetarëve në konferencat e shtypit

Nga BLERINA GJOKA. – BIRN

Të martën pasdite kryeministria njoftoi për një konferencë për shtyp të kryeministrit Edi Rama fill pas mbarimit të një takimi informal me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor. Që në çelje të konferencës Rama u tha gazetarëve të pranishëm se priste pyetje lidhur me këtë takim.

Ai refuzoi të përgjigjej kur gazetarja Ambrozia Meta e SYRI TV kërkoi një qëndrim mbi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj dhe nëse qeveria do të rishikonte kontratat e inceneratorëve.

‘Në faqen time në facebook e ke përgjigjen në mesazhin që u kam drejtuar shqiptarëve’- tha Rama, duke ripërsëritur të njëjtën gjë dhe kur Meta e pyeti për përfshirjen e familjarëve të afërt të deputetit socialist Rrahman Rraja në një sulm të dhunshëm ndaj qytetarëve.

Ky nuk ishte rasti i parë që Rama refuzon llogaridhënien në daljet e tij për mediat, duke kërkuar që pyetjet e gazetarëve të jenë vetëm për temën që ai zgjedh të flasë, duke refuzuar kështu të japë përgjigje për ngjarje të tjera që përbëjnë interes për publikun.

Gazetarët që ndjekin punën e qeverisë e shohin këtë praktikë si mungesë transparence të qeverisë dhe pengesë për punën e tyre të përditshme për informimin e publikut.

‘Jo vetëm e pengon, por e bën thuajse të pamundur’- i tha BIRN-it, gazetarja Ambrozia Meta, pasi sipas saj, kryeministri nuk ka një komunikim javor me mediat, por edhe atëherë kur del u shmanget pyetjeve për aktualitetin politik.

‘Që prej momentit kur nisën tensionet në veri të Kosovës dhe pas turit në Ballkan, Rama ka shmangur çdo pyetje që lidhet me zhvillimet në vendin tonë’- tha ajo duke e parë këtë sjellje të Ramës si shmangie nga përgjegjësitë e tij direkte për ngjarjet e fundit.

Ndërsa për gazetaren e A2CNN, Fiorela Beleshi refuzimi i Ramës për t’u përgjigjur për tema të nxehta politike nuk ka pse të ndikojë në profesionalizmin dhe punën e gazetarëve.

‘Sigurisht që si gazetare do te donim që jo vetëm Kryeministri, por kushdo tjetër të na përgjigjej për pyetjet që ne mendojmë se janë me interes’- i tha ajo BIRN-it, ndërsa shtoi se, -’nuk imponojmë dot askënd sa pyetje apo çfarë pyetjesh të pranojë’.

Sipas Beleshit, më shumë se sa një koment i Ramës, – ‘transparenca e institucioneve qeveritare, që jo rrallë injorohet, do të ishte me më shumë vlerë’.

Agjencia për Media dhe Informim pranë kryeministrisë që organizon konferencat për shtyp të kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it se ku e bazonin këtë praktikë pune.

Ndërkaq, ekspertët e fushës e shohin këtë praktikë si një mekanizëm që cënon lirinë e medias dhe dëmton punën e gazetarëve.

Ervin Luku, pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, thotë se agjenda e qeverisë nuk mund të jetë edhe agjenda e medias dhe kjo gjë e dëmton dhe pengon punën e gazetarëve.

‘Çdo përpjekje për të drejtuar, kufizuar apo për të përcaktuar se cilat do të jenë fushat mbi të cilat duhet të pyesin gazetarët, janë mekanizma që e kufizojnë lirinë e tyre’- komentoi Luku për BIRN.

Megjithëse daljet e planifikuara të kryeministrit mund të jenë për tema të caktuara, sipas Lukut, – ‘do ishte tërësisht joprofesionale për gazetarët e pranishëm, që në hapësirën e pyetjeve, të mos i drejtohen kryeministrit për problematika të rënda korrupsioni dhe abuzimi me detyrën, siç është afera e inceneratorëve’.

Luku i inkurajon gazetarët që të mos intimidohen nga ‘këto forma kontrolli’, por të insistojnë tek ato pyetje ku refuzohet dhënia e një përgjigje.

‘Kreu i qeverisë dhe zyra e tij e PR-it do vijojnë përpjekjen për të dominuar agjendën e medias’, por sipas Lukut, – ‘mediat dhe gazetarët duhet të vijojnë me pyetje për temat apo investigimet që po zhvillojnë apo dhe çështje të tjera të rëndësishme të aktualitetit ditor’.

Si kufizim të punës së gazetarëve e përkufizon këtë praktikë edhe Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit.

‘Roli i gazetarëve është të gërmojë, të verifikojë dhe të kërkojë informacion nga burimi parësor, e jo duke u mjaftuar siç ju sugjerohet, ‘të lexojnë Facebook-un e politikanëve’- tha ajo për BIRN-in duke iu referuar konferencës së fundit të Ramës.

Gjoni shton se pyetjet e gazetarëve janë instrumente kyçe në kontrollin demokratik të qeverisjes dhe në sigurimin e llogaridhënies së përgjegjësive që duhen artikuluar. ‘Prandaj kufizimi i pyetjeve të gazetarëve në konferencat për shtyp të kryeministrit ka pasojë të dukshme’- thekson ajo, duke shtuar se,- ‘kështu injorohen, izolohen dhe tjetërsohen çështje madhore ‘jo-kryeministrore’ që kanë të bëjnë me interesin publik’.

Sipas Gjonit, praktika që po ndjek Rama e kufizon lirinë e shtypit sepse frenon informacionin që mund të arrijë te publiku nga burimi parësor dhe – ‘kufizon aftësinë e gazetarëve për të bërë atë duhet të bëjnë: të detyrojë politikën ta ketë zët llogaridhënien dhe përgjegjësinë e pushtetit, ama të mos i largohet asaj’.

Gazetarja Ambrozia Meta beson se kjo teknikë nuk do t’i funksionojë gjatë nëse ajo dhe kolegët e saj nuk do t’i binden kërkesës së kryeministrit për të bërë pyetje vetëm brenda temës së paracaktuar.

‘Nisur nga konferenca e fundit, të cilën Rama, e mbylli për pak minuta, i gjendur në kushtet kur askush nuk po e pyeste për temën që ai dëshironte, mendoj se kjo teknikë, nuk do t’i shërbejë për shumë gjatë Kryeministrit’- përfundoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Artikuj te ngjashem

Back to top button