Për ata që thonë se Erion Veliaj i është shmangur procesit në GJKKO
Nga Hermes Kafexhiu
Qarkullon një fjali që tingëllon si përfundim i dhënë, Erion Veliaj i është shmangur procesit në GJKKO.
E para Erion Veliaj po të donte t’i shmangej kishte zgjedhur të arratisej dhe jo të bënte tre procese njëkohësisht, procesin në GJKKO, procesin me Dadon në Administrative dhe procesin e ri dhe më interesant që pritet të vijojë mbi atë që fshihet pas denoncuesit anonim Nesti Angoni.
Por çfarë do të thotë realisht kjo?
Veliaj nuk është shmangur nga procesi. Ai dhe mbrojtja e tij kanë zgjedhur të kundërshtojnë disa nga premisat juridike mbi të cilat ai proces është ngritur, duke ngritur pikëpyetje mbi konfliktin e interesit, legjitimitetin e autoritetit që ka ushtruar ndjekjen penale dhe standardet e ndryshme që, sipas tyre, janë përdorur në çështjen e tij.
Mund të jesh dakord ose jo me këto pretendime. Mund të mendosh se gjykata duhet t’i rrëzojë. Por është e pasaktë që kundërshtimi i legjitimitetit të një procesi të barazohet automatikisht me shmangien e tij.
Në fund të fundit, pyetja është shumë e thjeshtë, nëse një i pandehur pretendon se personi që ushtron pushtetin penal ndaj tij nuk e ka fituar atë pushtet në përputhje me ligjin, a ka të drejtë gjykata ta shqyrtojë këtë pretendim?
Pikërisht këtu vlen, si një ilustrim dhe jo si krahasim një për një, edhe rasti amerikan i John Sarcone, për të cilin raportoi Bloomberg Law e cituar nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, në rrjetet e tij sociale. Një gjykatë federale amerikane shqyrtoi jo fajësinë e personit që po hetohej, por ligjshmërinë e titullit mbi të cilin një prokuror ushtronte kompetencat e tij. Kur autoriteti u konsiderua i paligjshëm, edhe ushtrimi i atij pushteti u ndal.
Kjo nuk do të thotë se çështja amerikane dhe ajo e Veliajt janë të njëjta. Nuk janë.
Tregon një parim të thjeshtë:
Para se të pyesësh nëse dikush duhet të dënohet, shteti duhet të jetë në gjendje të provojë se pushteti që po kërkon ta dënojë është ushtruar në përputhje me ligjin.
Prandaj, debati nuk është nëse Erion Veliaj duhet t’i përgjigjet drejtësisë. Patjetër që duhet.
Debati është nëse, përpara se t’i kërkohet të përballet me pasojat e një procesi penal, ai ka të drejtë të kundërshtojë ligjërisht vetë bazën mbi të cilën ai proces po zhvillohet.
Të thuash këtë nuk do të thotë të shpallësh Veliajn të pafajshëm.
Do të thotë vetëm të mos e quash “shmangie nga drejtësia” çdo përpjekje për të kërkuar drejtësi brenda vetë sistemit.
Shteti i së drejtës nuk matet vetëm me faktin që një person vihet në gjyq.
Ndaj unë i qëndroj asaj që kam thënë në krye të herës se po mos të ishte Veliaj, prokuroria speciale dhe gjykata speciale do ishin mite ende të forta në këtë vend, ndërkohë që nga ky proces kanë dalë disa pankina politike me skenar që i përkasin një disktumi tjetër. Veliaj i dha publikut betejën politike të munguar me drejtësinë duke e treguar se gjyqet popullore mund ta kenë të fortë zhurmën por jo të vërtetën.
Nga ana tjetër ky proces matet edhe me pyetjen nëse procesi ndaj tij është ngritur mbi autoritet, rregulla dhe standarde që vlejnë njësoj për të gjithë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.