2016-a, viti i gjetjes së dashurisë përmes seleksionimit
Vit i ri, dashuri e re. Ky është një kusht që qindra mijëra njerëz do t’ia vënë vetes këtë muaj dhe janari 2016 pritet të shohë rritje edhe më të mëdha të hapjes së llogarive në aplikacionet e njohjeve. Por këtë vit, aplikacionet do të shkojnë në një drejtim të ri, në vend që ta përhapin rrjetin sa më gjerësisht që të munden, aplikacionet e reja po lënë jashtë njerëzit “e padëshirueshëm”.
Liga, është një aplikacion i tillë. Anëtarët e tij më të vjetër mburren se vetëm 20 ose 25 për qind e atyre që aplikojnë, lejohen të futen dhe se ka më shumë se 75 mijë njerëz në listën e pritjes.
Aplikacioni nisi në SHBA në vitin e shkuar dhe këtë vit do të përhapet edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Aplikantët duhet të ofrojnë akses në profilet e tyre të LinkedIn, rrjet social i orientuar nga biznesi, për të kontrolluar arritjet e tyre akademike dhe historinë e punësimit.
Zëdhënësja e aplikacionit, Meredith Davis, thotë se: “Njerëzit janë të tërhequr ndaj Ligës, krahas aplikacioneve të tjera të njohjes online ku çdokush mund të futet, por ky aplikacion ka rëndësi, sepse ndërton një komunitet të njerëzve që kanë arritje. Njerëzit mund të thonë ç’të duan, por nëse të qenët i zgjuar dhe kërkues i vlerave të larta do të thotë ‘ekskluziv’, atëherë kështu qoftë”.
Një nga aplikacionet selektive operon tashmë edhe në Britani. Ai është Rrethi i Brendshëm, që ka 22000 anëtarë dhe 24000 të tjerë që janë në listën e pritjes. Edhe për të hyrë në listën e pritjes, duhet të ftohesh nga një mik që është tashmë anëtar.
Themeluesi i tij, David Vermuelen, shpjegon si i lindi ideja: “Isha beqar dhe në dy uebsajte të ndryshme takimesh. Por nuk më pëlqente mënyra se si ata përqendroheshin në sasi – doja të krijoja një që përqendrohej te cilësia e njerëzve me mendje të ngjashme. Në procesin e krijimit kërkuam njerëz të mirarsimuar dhe profesionistë që udhëtonin. Është diçka që ngjall polemika, por sipas mendimit tim, është mënyra më e mirë për të ofruar cilësi të lartë”.
Aplikacioni do të prezantohet në SHBA këtë vit. “Mund të duket pak snob, por është në të vërtetë thjesht një komunitet i këndshëm”, shton Vermeulen.
Dekoruesja e shtëpive Tally Higgins, 32 vjeçe, thotë se përdorimi i aplikacionit i ka kursyer humbjen e kohës, duke dalë darkave me ata që ka njohur dhe me të cilët nuk ka pasur gjëra të përbashkëta.
“Kam provuar disa aplikacione njohjesh online, por gjëja më e mirë e Rrethit të Brendshëm është se ti e di se çfarë do të marrësh. Do të njihesh me dikë që keni mendime të ngjashme dhe histori të përafërta”, thotë ajo.
“Mund të shohësh ku punon dikush, çfarë arsimi ka dhe kjo të jep një farë sigurie. Nuk dua të tingëlloj si snobe, por me Tinder dhe aplikacione të tjera, nuk e di se çfarë do të hasësh. Çdokush mund të hyjë në to. Por ti e di se kushdo në Rrethin e Brendshëm, mund të ftohet nga miqtë e miqve”.
Rrethi i Brendshëm është gjithashtu i pazakontë për organizimin e disa eventeve live, si për shembull, ndeshjeve me kuaj apo eventet e tjera sportive. Higgins së fundmi mori pjesë në një event te një klub privat në Londër me muzikë live.
“Eventet live janë shumë argëtuese. Nuk kam kaluar kurrë një natë aq të mirë me ta. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të hapur. Çdokush është i veshur mirë dhe mund të bëjë një bisedë për së mbari. Eventet janë të mira për krijimin e një rrjeti në frontin e biznesit gjithashtu”.
Por çfarë është e nevojshme për t’u njohur me njerëz që kërkojnë të fillojnë një marrëdhënie? Psikologia Adela Apetroaia drejton një këshillim për njerëzit që po përpiqen të gjejnë shpirtin binjak. Ajo thotë se mund të ndihmojë shumë. “Provat tregojnë se është e vërtetë se njerëzit tërhiqen nga të tjerë që u ngjajnë atyre ose që i ngjajnë vetes së tyre të idealizuar dhe që kanë cilësi, të cilat ata duan t’i kenë. Dhe mendoj se kështu do të ndodhë me këto aplikacione”, shpjegon ajo.
Nëse në këto cilësi, përfshihen të qenët në syrin e publikut, atëherë Raya është aplikacioni i duhur për ju. Përdoruesit kanë raportuar se kanë hasur në personazhe të famshme dhe sportistë të njohur mes anëtarëve të tij. Për t’u miratuar, aplikantët duhet të detajojnë se sa ndjekës kanë në rrjetin e fotove Instagram, ku dhjetëra mijëra është shifra e dëshirueshme. Një komunitet anonim më pas vendos nëse jeni mjaftueshëm me influencë në Instagram.
Burimi: “The Guardian”.