Opinion

Për zarat ‘humanistë’ të Edi Ramës!

Nga Bledian Koka

Simbas porosisë së lëshuar nga Roma, të gjithë letyrat publike, servila e laskara të Edi Ramës kanë nisur të artikulojnë refrenin se duhet të pranojmë emigrantët e Lindjes së Mesme se kështu tregojmë mirënjohje për Italinë që na priti neve në eksodin masiv të 1991-shit!

Fakt është që kriza e emigrantëve në Itali nisi si efekt i Pranverës Arabe që nisi në 2010-ën! Pra, Italia dhe e gjithe Europa vuan pasojat e valëve të vazhdueshme të emigrantëve, sidomos pas rënies së regjimit në Libi, Tripoli është porta kryesore e fluksit migrator nga Afrika drejt Europës!

Kriza e emigrantëve ka që prej 2011-ës që është aty! 12 vjet më pas Edi Rama, po ai që 2 vjet me parë gërgufej publikisht se “Shqipëria nuk do jetë kurrë një vend, ku vende të pasura të ngrejnë kampe për refugjatët e tyre”, zbuloi se Shqipëria i paska një borxh qe nuk ia paska kthyer Italisë!

Shqipëria do t’i jetë përjetë mirënjohëse Italisë për dyert e hapura e për mbështetjen e pakursyer për integrimin tonë, por kjo nuk ka lidhje me raportet Shqipëri – Itali sesa me hallet personale Edi Rama-Giorgia Meloni! I pari është i gatshëm ta kthejë Shqiperinë në një hale të botës vetëm e vetëm që bota të heshtë për hajninë e tij të përditshme ndaj shqiptarëve.

Ndërsa Giorgia Meloni ka nevoje për një hale ku të shkarkojë premtimet e saj populiste djathtiste ekstreme për zgjidhje Deux ex-Machina të krizës së emigrantëve. Italia ka pasur dhe kriza të tjera në të shkuarën, por njëkohësisht ka pasur dhe liderë të përgjegjshëm që Shqipërinë nuk e kanë parë si leckë për të fshirë këpucët e tyre, përkundrazi i kanë dhënë një dorë gjithemonë sa herë e kanë parë në hall hallemadhen Shqipëri!

Kjo është miqësia, e kundërta është pazar i ndyrë në kurrizin e një populli të përvuajtur e të përdhunuar, nga historia e nga politikanët, nga fati i madh i keq i të qenurit të vogël, nga pamundësia e pavetëdija! Sot ne kemi një kryeministër që Shqipërinë e ka përdorur si hale masive për iranianë, afganë e sirianë e që njëkohësisht shtyp sifonin pa pushim për shqiptarët që i përzë!

Edi Rama do të kthehet në Shqipëri me një marrëveshje të zezë, e cila i zbardh karrierën politike vetëm atij personalisht, ndërsa shqiptarëve u ngarkon barrën e rëndë të pasigurisë së një rendi edhe kaq të llangosur!

p.s…ky është një borxh që Shqipëria dhe shqiptarët nuk ia kane askujt, aq më pak Giorgia Melonit e Edi Ramës!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button