Opinion

SPAK-u i mbingarkuar me dosjet e korrupsionit

Nga PETRO DHIMITRI

SPAK-u është i mbingarkuar me pirgjet e dosjeve të korrupsionit. Si është e mundur që Shqipëria e vogël të ketë një korrupsion kaq të madh?! Spjegimi i saj kërkon pak retrospektivë:

Në kohën e diktaturës, shteti kontrollonte çdo gjë. Dënimet ishin të rënda edhe për vjedhje të vogla. Një ekonomist në drejtorinë e librit të Tiranës që kishte përvetësuar një shumë që shkonte diku te 300 dollarë (për atë kohë dollari këmbehej 1 me 100) u ekzekutua.Po kështu një qytetar tjetër i Tiranës që arriti të falsifikonte biletat e
 trenit, pati të njëjtin fat të hidhur. Kontrolli i rreptë dhe ligji i ashpër ndikuan që, në tërësi, vjedhjet me shuma të mëdha dhe korrupsioni të mos ishin problem serioz. U krijua mendimi iluziv që në Shqipërinë fanar  ndriçues i socializmit botëror, njerëzit nuk vidhnin.
       Po ç’ndodhi me rrëzimin e diktaturës kur njerëzit ishin të lirë të flisnin ç’të donin, të punonin dhe jetonin ku të donin, madje edhe jashtë vendit , të shkonin në kishë e xhami , të hapnin dyqane, të ndërtonin punishte e shtëpi si t’i donin?…Kjo liri e menjëhershme, e strukur për gjysmë shekulli në mendjet e zemrat e njerëzve, nuk  kaloi pa ekseset negative që sjell një përmbysje e madhe. Njerëzit ishin pa punë. Shumë ,me dokumenta e pa dokumenta, morën rrugën e kurbetit. Jo pak nga ata që patën një punë   dhe filluan një biznes , duke përfituar nga që shteti i të ashtuquajturës demokraci ku u futëm, ishte i brishtë, në shpërgënja, filluan të bënim njëmijenjë marifete për të fituar duke nëpërkëmbur ligjet. Donin të pasuroheshim sa më shpejt. Shumë tregëtarë  mundoheshin  të korruptonin doganierët që t’i kalonin maunet me mall duke  u paguar atyre nën dorë shuma më pak sa çereku i mallit që kishin. Po të ishe deputet, maunia kalonte edhe pa u regjistruar fare?! U krijua një frymë e tillë sa që kush tregohej korrekt me ligjet, shikohej si budalla. Doganierët  i pengonin ata në mënyra të ndryshme, me që prej të ndershmëve nuk kishin as dhe më të voglin përfitim. Dëshira për të përfituar në mënyrë të padrejtë bëri ndonjë tregtar që t’i blente  për hiç mos gjë në Bullgari kavanozat me speca të kuq  që u kish kaluar afati. Në Shqipëri u hiqte etiketat dhe i shiste si mall i freskët?! Në atë kohë filloi tregtia e nxjerrjes së vizave. Patën përfitime të mëdha të jashtligjshme  ata që u morën me këtë biznes, përfshi këtu ata nëpunës të dikasterve që i takonin atij sektori. Unë kam regjistruar në kujtesë mënyrën se si komshiu im vajti në itali me vizë të rregullt. E kishin futur në listën e një ansambli. Para tragetit, një artist tepër i njohur që nuk jeton më, i thërriste me emër të gjithë pseudo artistët e turneut?! Nëna e djaloshit kishte paguar goxha para për atë vizë, vetëm që i biri të shkonte në tokën e bekuar. Edhe sot e kësaj dite ai, bashkë me nënën dhe vëllanë janë atje.Janë njerëz shumë të mirë.
       Vështirë të gjeje një nëpunës që kishte në dorë dhënien e X dokumenti, të mos kërkonte haptas ”bakshishin”. U bë si normë e pashkruar që për çdo dokument, edhe pa kërkuar gjë nëpunësi, njerëzit  jepnin para. Në këtë maratonë zhvatjesh nuk mbetën pas edhe mjekët, sidomos kirurgët. Për prostatën në spitalin shtetëror ku mjekimi ishte falas, gjoba për pacientin ishte 150 dollarë. Pas operacionit tërë skuadra rreshtohej para familjarëve. Secilit, sipas detyrës, u jepnin nga 2 deri në 5 dollarë. Sanitarja për të hequr uturakun e të operuarit, donte patjetër 2 dollarë. Po mos ta paguaje magazinieren, të binte një batanie tërë vrima. Edhe ajo dote një 2 ose 5 dollarë. Në këtë yrysh për të zhvatur popullin nuk mbeste pas as portierja e derës së pavjonit. E thoshte hapur;”Hidhu këtu!” Donte dy dollarë?!
       Në të gjithë sektorët e jetës korrupsioni shtriu tentakulat e veta. Nuk mund të harrojmë lulëzimin e biznesit të gomoneve. Për të çuar në Itali emigrantë ilegalë vërshonin nga xhepat e popullit ose të mjerëve nga vendet e tjera mijëra dollarë, për të mos thënë miliona, sepse ai biznes vazhdoi disa vite. Po të kishe të bëje me zyrat e shtetit, duhet medoemos të kishe para me vete. Për të kaluar dosjen time, pasi edhe Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, një vit të tërë , ajo ndejti në bodrum. Vëllanë, që as i shkonte në mendje se duhej të paguante para për zbatimin e një vendimi gjyqësor, e sorollatën plot një vit. Bashkëshortja ime (që kuptoi ku qendronte sekreti), i tha një ish studentes së saj në Sigurimet Shoqërore, se ç’duhet të bënte që të merrte pensionin tim para se të kthehej për në Kanada, ajo iu gjegj: ” HUDHU ZYSH!” Paguam 250 dollarë që të merrja pensionin?!
        Në këtë mjedis kaotik për të zhvatur popullin ose dhe shtetin nuk mund të bënim përjashtim edhe pronarët e dyqaneve. Megjithëse shteti u vendosi makinat për të dhënë faturat, jo pak nga ata miqve dhe personave që nuk ju duken të dyshimtë në vënd të faturës i thonë një: ”ditën e mirë?!” Kjo mund të thotë dikush është se është një gjë e vogël. Jo, nuk është aspak e vogël. Është direkt vjedhje që i bëjnë shtetit, për të paguar më pak taksa. Se as edhe një shkelje e ligjeve ose as dhe një aspekt i korrupsionit nuk është gjë e vogël. Po më kujtohen diplomat e disa universiteteve private. Kishte njerëz që u pajisën me këto diploma pa ndjekur fare ato universitete. Kur vajti një i njohuri im për të regjistruar djalin në një universitet, nëpunësja i tha:”Në ç’vit do të ta regjistrojmë?” Kuptohet, pagesa duhej bërë sipas viteve?! Janë fituar padrejtësisht shuma të mëdha parash?!
Ka dhe më për shkollat: kërkoheshin para sidomos për notën 10. Kam dëgjuar se ka patur edhe mësues që nxënësve që luftonin për notën 10, edhe kur e meritonin, nuk ja vinin. Pse? Që prindërit t’i kërkonin t’i jepte fëmijës së tyre mësime private.
       A mundej dhe a mundet që në këtë shoqëri që njerëzit përpiqen me çdo kusht të marrin më shumë nga ç’u takon, të mbesnin ose të jenë të paprlyer deputetët dhe politikanët? Në asnjë mënyrë. Vetë kontrabanda e naftës e liderve të PD-së për t’i çuar naftë Milosheviçit, duke thyer  Embargon Botërore, ishte një shtysë ose nxitje konkrete që edhe të tjerët të gjenin mënyra për t’u pasuruar. Përveshën llërët për tenderat që na dolën se janë një thesar i madh. Nuk më harrohet kjo ngjarje: kur një ministër u shkarkua të premten e një X viti, ai nuk e dorëzoi detyrën menjëherë. Priti ditën e hënë që kishte lënë takimin për firmosjen e një tenderi për rrugët. Pse kjo vonesë për t’u larguar na zyra, kur ishte pushuar? E po, kishte marrë para për atë tender. Pikërisht me thesarin tender janë të lidhura edhe hetimet për Inceneratorët, për ish zëvëndëskryeministrin Arben Ahmetaj apo Ministrinë e Shëndetësisë. Kapakun kësaj praktike korruptive ia vënë ish 5 drejtorët e Bashkisë së Tiranës…
       Tërë këta shëmbuj tregojnë që korrupsioni si dukuri e shoqërisë shqiptare është shumë, shumë e gjerë. Sikur të denocoheshin tërë aferat korruptive të këtyre 30 viteve, jo një SPAK, po 100 SPAKË të jenë, nuk mund t’ia dalin. Megjithatë SPAK-u (SHBA-ja, po edhe Partia Socialiste) ka meritën që theu mitin e pandëshkueshmërisë. Vështirë të vijë më në Shqipëri një lider si Berisha që vriste e priste si donte vetë, pa pyetur për ligje dhe moral. Pse? Se kur më të vegjlit ose të gjithë e panë që SPAK-u po heton dhe ka në arrest luanin, të tjerët, qoftë të djathtë ose të majtë, do të mendohen njëmilion herë për të shkelur ligjet.
       Për korrupsionin tridhjetëvjeçar të shoqërisë shqiptare kush e ka fajin?
       Në radhë të parë populli për korrupsionin e shkallës së ulët e deri diku të mesëm që i takon atij. Nuk mund të ishte as Berisha dhe as Rama pas çdo të djathti ose të majti që na del i korruptuar. Francezët thonë se çdo dash varet nga këmbët e veta. Po ama, ata kishin dhe kanë mundësi ta frenojnë si dukuri, duke e ngushtuar vit pas viti. A i kanë bërë këto përpjekje?
       Berisha aspak. Madje i ka përkrahur të vetët për t’u pasuruar, nisur nga mendimi se kush ka ekonominë siguron dhe pushtetin.
       Rama pak më ndryshe.E njohu si dukuri shqetësuese. Informatizoi administratën shtetërore që nëpunësit mos të zhvasin popullin. Kjo nuk është pak, veç nuk është e gjitha. Gabimisht do të ketë menduar se vetëm njerëzit e PD-së ishin hajdutë, prandaj nuk mundi të ushtronte kontroll tek njerëzit më të besuar të tij.I dolën hajdutët nga kanatjerja  dhe pantallonat. Madje hajdutë të majmë  si zëvëndeskryeministri i tij. Edhe 3 ministra dhe ish ministra të tij ,në hetim apo të dënuar, nuk janë pak. Uluritës është edhe fakti se nga Bashkia e Tiranës 32 nëpunës janë në hetim dhe 3 drejtorë në arrest po për afera koruptive. Po të përmendim dhe kryetarët e Bashkive, të dënuar ose në hetim,numri i të majtëve që kanë shkeur ligjet bëhet si shumë. Kjo situatë për qeverinë dhe PS-në është mjaft dëshpëruese. Në këto kushte nuk e kuptoj pse zoti Rama nuk i flet hapur popullit përmes një televizioni ose ndonjë mbledhje të PS-së, për të analizuar thellë shkaqet e korrupsionit të qeverisë dhe partisë që ai drejton. Vetëm pohimi i tij se secili përgjigjet vet para drejtësisë dhe se kush ka punë me drejtësinë nuk ka ndihmën e partisë është i pamjaftueshëm. Vërtetë çdo individ  përgjigjet vetë për veprimet abuzive ose direkt mashtrimet që ka bërë për të vjedhur, po edhe partia dhe personalisht ju, zoti Rama keni përgjegjësi morale që u keni besuar poste të larta njerëzve që nuk i paskeni njohur mirë. Duke e mirëditur që metastazat e  korrupsionit janë shtrirë kaq gjerësisht në shoqërinë tonë, ngarkimi me detyra të larta për çdo politikan duhet të kalojë përmes një site të imët selektive. Jo vetëm kaq. Mos harroni shprehjen lapidare të popullit: ”Beso dhe kontrollo.” Ç’bën Kontrolli i Shtetit apo sherbimi sekret? Për mos kontrollin ju jeni direkt përgjegjës për këta maskarenj që kanë abuzuar në besimin që i ka dhënë populli, partia dhe ju. Megjithatë vend për dëshpërim nuk ka. Populli e di mirë se jeni katërcipërisht kundër të korruptuarve. Populli e di mirë se Sali Berisha nuk dënoi as edhe një nga të korruptuarit e tij jo të paktë në numër dhe se ju po mbështesni SPAK-un Madje mendoj që i jeni mkirënjohës se po ju ndihmon për të pastruar nga radhët tuaja njerëzit që nuk meritojnë të mbajnë poste drejtuese. Së fundi: ME POPULLIN U TAKON TA  ANALIZONI KËTË SITUATË. Mos harroni se jo votat e socialistëve (që janë të pamjaftueshme)po VOTAT E POPULLIT MUND T’JU RRËZOJNË OSE TË MBAJNË NË PUSHTET PARTINË SOCIALISTE.
                                                                                    Petro Dhimitri

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button