Opinion

6 milionë dollarë dhe një ftesë publike për Kuvendin e Shqipërisë

ZEF PREÇI

Zef Preci

Çuditë që prodhon tranzicioni shqiptar nuk kanë të sosur… Së fundi doli edhe vjedhja spektakolare gjatë katër viteve të fundit e 6 milionë dollarëve në Bankën e Shqipërisë (sipas deklarimeve të këtij institucioni, sepse shumën e saktë mund ta mësojmë nga Prokuroria në përfundim të hetimeve, ose ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë…).

Nga një analizë e thjeshtë e kësaj historie, një reflektim i thjeshtë nga pozitat e “qytetarit mesatar”, d.m.th. të atij që paguan taksat dhe kontribuon në të mirën e përbashkët, mund të tërheqin këto konkluzione të para:

Banka e Shqipërisë, një institucion me kapital 100% shtetëror, ka raportuar çdo vit rregullisht në Kuvendin e Shqipërisë (në fakt ka 5-6 vjet që raportimet e institucioneve të pavarura duke përfshirë edhe BSH mjaftohen me shfaqjen në komisione dhe jo në Kuvend (seancë plenare) ku është e pranishme njëkohësisht mazhoranca dhe opozita dhe që ndiqet nga opinioni publik: votuesit, taksapaguesit, qytetarët, etj.), siç e parashikon Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Mbas raportimeve vjetore, çdo vit është miratuar formalisht nga Kuvendi rezoluta përkatëse “në mbështetje dhe inkurajim të punës së institucionit të…”

Ndërkaq KLSH, institucioni kushtetues “gardian” i mirëpërdorimit të fondeve dhe pasurive publike, gjatë kontrollit të ushtruar vitin që shkoi (2013) tërheq në mënyrë të përsëritur vëmendjen e Kuvendit për qenien e këtij institucioni jashtë kontrollit shtetëror të shprehur në pavarësinë financiare, menaxheriale, në fushën e caktimit të pagave, shpenzimeve e të prokurimeve dhe sugjeron, ndër të tjera, edhe: “Ndryshimin e mënyrës së përzgjedhjes së audituesit të pasqyrave financiare për të shmangur konfliktin e interesit në përzgjedhjen e tij, duke ia kaluar këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë, referuar edhe praktikave më të mira botërore…”. Në fakt, Kuvendi sapo ka miratuar edhe një institucion të ngjashëm – Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me pavarësi të çuditshme ekstra-institucionale (?!), duke harruar se pavarësia ka të bëjë me procesin e politikëbërjes dhe të vendimmarrjes së Këshillit Mbikëqyrës dhe jo me rregullat e prokurimit, pagave, apo më keq akoma, me auditimin e mënyrës së përdorimit të fondeve dhe pasurive në dispozicion.

Gjatë rotacionit të qeverisjes dhe sidomos në këtë vit të parë të mazhorancës së re janë zbuluar një numër skemash mashtruese me TVSH, që deri më sot kapin shumën e rreth 100 milionë eurove, që i janë vjedhur buxhetit të shtetit me ndihmën e administratës tatimore e doganore… Deri më sot, asnjë lek nuk raportohet të jetë kthyer në buxhet – me siguri janë shndërruar në para për të blerë votuesit në fushatën e fundit, në pallate banimi, qendra biznesi a resorte që deformojnë konkurrencën në treg… shkurt janë një krim i ndëshkueshëm kudo në botën e sotme demokratike dhe jodemokratike…

Tre-katër vite më parë është arrestuar nga policia një bankier i huaj me 400 mijë euro cash në kufirin shqiptaro-grek dhe asnjëherë nuk u mor vesh nëse është dënuar ose jo dhe nga vinin këto para: korrupsion në dhënien e kredive, vjedhje e klientëve apo vjedhje e thesarit të bankës?

Në gjykatat shqiptare janë shtuar rastet në gjykim të cenimit të llogarive personale të klientëve, kryerje e transaksioneve në favor të palëve të treta me qëllim përfitimi, etj., dhe kjo mbahet larg syve të publikut, madje nën kujdesin e rreptë për mospublikimin e tyre nga vetë bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë…

Edhe sot e kësaj dite nuk ka dalë bilanci vjetor financiar i ish-kompanisë CEZ (as kaq nuk ka qenë në gjendje të imponojë në zbatim të ligjit ERE që vazhdon ta drejtojë Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) – emri i ri për kompaninë prej pak ditësh) për dy vitet e fundit dhe marrëveshja qeveritare u bë pa e ditur se çfarë borxhesh a detyrimesh ka kjo kompani ndaj të tretëve, por vetëm për huat ndaj bankave të huaja (edhe këto të panjohura për publikun deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes 95 milionë euroshe për pushimin e ankimimit të CEZ në arbitrazh ndaj Shqipërisë…)

Vetë Banka e Shqipërisë, prej disa vjetësh, është e paplotësuar sipas ligjit me një post të zëvendësguvernatorit për administrimin e institucionit, që normalisht do të duhej të ishte personi përgjegjës në mënyrë të drejtpërdrejtë për zbatimin e rregulloreve përkatëse në këtë fushë… Edhe Këshillit Mbikëqyrës të këtij institucioni i mungojnë tre anëtarë dhe që prej një viti nuk janë plotësuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

D.m.th. rasti i fundit (deri dje) i vjedhjes së 6 milionë dollarëve në Bankën e Shqipërisë nuk është as më shumë dhe as më pak, por një pasqyrë e mënyrës sesi qeverisen paratë dhe pasuritë e këtij vendi, sesi “kultura e pandëshkueshmërisë” tashmë nuk njeh kufi, se si tautologjia dhe retorika boshe politike ka përshirë gjithçka, përveçse përmbushjen e funksioneve themelore që çdo institucion është ngarkuar të bëjë sipas Kushtetutës dhe ligjit…

Duhet pranuar se imazhi i sistemit bankar dhe vetë Bankës së Shqipërisë është cenuar nga rasti në fjalë dhe ndërhyrja shtetërore është më se e nevojshme për të stabilizuar gjendjen si në procesin llogaridhënës në Kuvend, ashtu edhe në drejtim të menaxhimit të brendshëm. Përndryshe, rreziku i skandaleve të ngjashme mbetet një kërcënim edhe në të ardhmen…

Në këto kushte e ftoj publikisht Kuvendin e Shqipërisë që të ndalet mbi këto që po ndodhin (një pjesë të tyre i listova më lart) duke filluar me heqjen e barrierave ndaj KLSH dhe të mbështesë kontrollin shtetëror të institucioneve që operojnë me paratë e publikut (siç është Banka e Shqipërisë), që mbledhin paratë e buxhetit (siç janë tatim-taksat e doganat), apo që menaxhojnë kontratat qindra miliona euroshe mbi pasuritë e vendit (koncesionet në naftën dhe gazin, energjinë elektrike, mineralet, importin e energjisë elektrike, etj.).

Çfarëdo debati tjetër për rritjen e rolit policesk të shtetit përmes shtimit të kompetencave informative dhe hetimore të qeverisë, për hetime të drejtuesve të policisë mbi vartësit e tyre, e të tjera si këto, nuk bëjnë gjë tjetër veçse ruajnë “status quo”-në dhe ndihmojnë sofistikimin e abuzimit me pasurinë e përbashkët të qytetarëve shqiptarë.

Ndërsa vetë Kuvendi ka rastin që të provojë në sytë e qytetarëve, votuesve dhe taksapaguesve, se të paktën një herë të vetme, ky institucion nuk është në konflikt të hapur interesash dhe i kapur nga oligarkët, siç është akuzuar shpesh vitet e fundit nga opozita dhe qarqe të tjera të pavarura në vend e jashtë tij, duke përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button