Ekonomia

9-mujori, të ardhurat nga tatim-fitimi dhe tatimi i thjeshtuar arritën 17.6 miliardë leke

Biznesi-i-Vogel-525x3503Të ardhurat nga tatim-fitimi dhe tatimi i thjeshtuar nga biznesi i vogël gjatë 9-mujorit 2014 arritën në 17.6 miliardë leke, që përbën vetëm 7.2 për qind të të ardhurave tatimore në total. Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin gjatë periudhës 9-mujore arritën në rreth 16.1 miliardë leke nga 11.5 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rritje prej 39.4 për qind, 7.9% më pak se plani i periudhës janar-shtator 2014. Tatimi mbi fitimin ka pasur politikë fiskale gjatë vitit 2014 me rritje të normës së tatimit mbi fitimin nga 10% në 15%, duke filluar nga 1 janar 2014. Në bazë të të dhënave të 9-mujorit 2014, kjo taksë ka ecur sipas planifikimit dhe vlerësimeve fillestare të impaktit të reformës. Sipas ministrise se Financave, të gjithë sektorët e ekonomisë kanë ecur mirë me këtë zë, me përjashtim të sektorit shtetëror. Planifikimi fillestar për një rritje prej 7 miliardë lekë nga rritja e normës së tatimit mbi fitimin është në trend realizimi. Mosrealizimi i periudhës prej rreth 1 miliarde leke ka ardhur nga dy kompanitë e mëdha KESH dhe CEZ (aktualisht OSHEE), të cilat vitin e kaluar kanë paguar tatim fitimin po në masën rreth 1 miliard lek, respektivisht 500 milionë leke ka paguar KESH dhe 556 milionë leke ka paguar CEZ (OSHEE)). Ndërsa për 8-mujorin 2014, KESH nuk ka paguar tatim- fitimin, ndërsa OSHE ka paguar vetëm 157 milionë leke. Duhet theksuar se në këtë zë, për 8-mujorin 2014 është rritur numri i tatimpaguesve me rreth 911 tatimgues të rinj të TF, në sajë të përmirësimeve administrative të administratës tatimore.

Të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël arritën 1.5 miliardë leke, me një rritje prej 190% më shumë se planifikimi i periudhës dhe në të njëjtin nivel me 9-mujorin 2013. Kjo mbiperformancë e të ardhurave nga ky zë ka ardhur si rezultat i reformës që Qeveria ndërmorri në 1 janar të këtij viti, ku u hoq tatimi mbi biznesin e vogël (taksë vendore) dhe tatimi mbi të ardhurat personale në masën prej 10% u zëvendësua me tatimin e thjeshtuar mbi fitimin në masën 7.5% ose sa ½ e tatimit të ri mbi fitimin. Sipas parashikimeve, u vlerësua nga këto ulje të taksave për biznesin e vogël, efekti neto do të ishte minus 800 milionë leke në të ardhurat e pushtetit vendor. Me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të pushtetit vendor, në buxhetin e vitit 2014, u shtuan 800 milionë leke, në formën e transfertave të pakushtëzuara për pushtetin vendor.
Përpos kësaj reforme të ndryshimit të taksave, ndryshoi dhe administrimi i kësaj takse, i cili i kaloi Administratës Tatimore Qendrore. Në saj të këtyre ndryshimeve të rëndësishme, rezultatet e 9 muajve të parë të këtij vitit tregojnë për një rritje të dukshme jo vetëm të të ardhurave nga tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël, por edhe të taksave të tjera lokale. Kjo është tërësisht e lidhur me rritjen e kapaciteve njerëzore të njësive të qeverisjes vendore në rritjen e performancës së tyre në mbledhjen e taksave vendore, të cilat për herë të parë janë realizuar sipas parashikimeve fillestare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button