Ekonomia

A do ndikojë BERZH në çmimin e energjisë?! Liberalizimi i tregut, “konflikt” KESH, OST dhe OSHEE për ndarjen e fitimeve

Ministria e Financave pohon se kredia 218 mln euro e BERZH lëvrohet direkt nga KESH, me plotësimin e konventave të parashikuara në marrëveshje. Por një nga këto kushte ka të bëjë pikërisht me çmimet e rregulluara të prodhimit dhe ato të shumicës!

Qeveria është në hapat finalë të liberalizimit të tregut të energjisë, por kompanitë publike OSHEE, OST dhe KESH janë vënë gati në një situatë konfliktuale me njëra-tjetrën se cila do të sigurojë fitimet më të larta nga “torta e liberalizimit”. Nga ana tjetër, në kontratën e garancisë për kredinë 218 mln euro dhënë KESH, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka kërkuar, krahas liberalizimit edhe rishikimin e çmimeve të rregulluara të prodhimit të energjisë dhe atyre të shumicës (të konfirmuara me shkrim), duke kushtëzuar lëvrimin me këto kushte.

Liberalizimi kërkon që kompanitë do të tregtojnë mallin dhe shërbimet me çmime të liberalizuara, në kushtet kur çmimi për konsumatorin fundor nuk do të ndryshojë. Kjo do të thotë se të ardhurat që realizohen nga shitja e energjisë elektrike do të shpërndahen në mënyrë të barabartë me kushte që asnjëra nga kompanitë të mos subvencionoje tjetrën. Duket se nga kjo situatë kërkon të fitojë KESH, e cila mësohet se po përdor dhe kredinë e fundit të BERZH prej 218 milionë eurosh (që zëvendësoi kreditë tregtare të bankave), ku BERZH ka kërkuar që KESH të ketë tregues të lartë financiarë, që mund të jenë të arritshme vetëm nëse rritet çmimi me të cilin ai i shet energjinë Operatorit të Shpërndarjes. Aktualisht KESH një kilovator energji e shet 1.45 lekë ndaj Operatorit të Shpërndarjes (OSHEE). Por me liberalizimin e tregut, OSHEE këtë energji qe e merr nga KESH do ta shesë ndaj klientëve 35 kilovolt me çmime importi.

Agron Hetoja, drejtor i KESH, tha për Monitor se se për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin, i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë.

Ardian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, tha se tashmë çmimet finale për konsumatorin familjar janë të vendosura dhe nuk bëhet fjalë të ketë rritje. Enti Rregullator i Energjisë ka metodologjinë e vet të llogaritjes së çmimit dhe dokumenti është miratuar tashmë nga qeveria.  Për shpërndarjen nuk do të ketë rritje tarife. Ai tha se OSHEE ka propozuar një variant që të paguhet një pjesë e kësteve të kredisë që BERZH ka dhënë për shlyerjen e borxheve të KESH në banka. Çela pohoi se Ministria e Energjisë po udhëheq negociatat në mënyrë që rishikimi i tarifave të mos cenojë konsumatorin fundor dhe të gjendet një zgjidhje e pëlqyeshme për të gjithë.

Ndërsa Drejtori i KESH, Agron Hetoja, tha se modeli i tregut të energjisë, që ka në thelb liberalizimin, duhet të aplikohet edhe për KESH. Hetoja tha se logjikisht në një treg të liberalizuar, fitimet shkojnë për atë që shet mallin dhe më pak për ofruesit e shërbimit, ndaj sipas tij, kjo logjikë duhet të ndiqet edhe për tregun e energjisë. Hetoja tha se, për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë.

Enti Rregullator i Energjisë në relacionin për mosndryshimin e tarifave vitin e kaluar ka vënë në dukje se OSHEE ka realizuar më 2015 fitime 10 herë më të larta se sa ishte parashikuar nga ERE në relacionin kur janë miratuar çmimet e reja të energjisë më 2014.

Financat: Kredia e BERZH lëvrohet automatikisht kur plotësohen kushtet, po cilat janë ato?!

Në fund të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë 218 ndërmjet KESH dhe BERZH. KESH, përmes kësaj huaje synon ristruktimin e borxheve, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e bilancit. Sipas relacionit, ai synon shlyerjen e borxhit të shtrenjtë afatshkurtër ndaj bankave tregtare vendase, nëpërmjet një huaje afatgjatë, shumë më të lirë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke krijuar kështu mundësinë e çlirimit vit pas viti të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH-in (pagesat vjetore të principalit do të shkojnë për reduktimin e volumit  të garancive qeveritare).

Kredia nuk është lëvruar ende. Burime zyrtare nga Ministria e Financave pohuan se “kredia e BERZH lëvrohet direkt nga KESH, me plotësimin e konventave të parashikuara në marrëveshje”.

Po cilat janë këto kushte. Sipas kontratës zyrtare të përkthyer, një nga detyrat për të cilat qeveria është angazhuar, krahas liberalizimit të tregut, është se garantuesi (qeveria) do të “Rishikojë çmimet e rregulluara për prodhimin e energjisë elektrike dhe çmimet e tregut të shitjes me shumicë në linjë me përfundimin e kontratës afatgjatë  për furnizimin/blerjen e OSHEE/KESH-it, me të ardhura në nivelet e tarifës për KESH-in të konfirmuara me shkrim në mënyrë të pëlqyeshme për BERZH” .

Pikërisht kjo pikë ka ngjallur dhe debat, teksa BERZH merr atribute për të vënë detyra të tilla si rishikimin e çmimeve, në një kohë kur me ligj një detyrë të tillë e ka Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Burimet nga  Ministria e Energjetikës dhe OSHEE pohojnë se kredia 218 milionë euro që BERZH ka dhënë për KESH ka marrë në konsideratë që kompanitë do të operojnë me kushtet të tregut me çmime të liberalizuara, por në asnjë rast BERZH nuk vendos për çmimet, ato janë atribut i ERE.

Ligji i ri për energjinë i miratuar që ka hyrë në fuqi në vitin 2015 detyron kompanitë të operojnë me çmime të tregut dhe kjo reforme përfshin kompaninë e prodhimit të energjisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button