A do ta “kolonizojë” Europa Saharanë për energji diellore?
Katër ekspertë shprehin opinionet e tyre për një propozim radikal të paneleve diellore në shkretëtirën e Saharasë.
“Shkencërisht e realizueshme”
Gerhard Knies, një ekspert i energjisë së qëndrueshme që dha idenë e iniciativës “Desertec”, që synonte energji të pastër për Europën nga shkretëtirat e pasura me diell, thotë se ideja është me bazë të fortë shkencore dhe se është ekonomikisht e mundshme. Argumentimi:
Pesëmbëdhjetë minuta pasi mësova rreth aksidentit bërthamor në Çernobil, bëra një vlerësim mbi atë se sa energji na vjen nga dielli në Tokë. Ishte rreth 15 000 herë më shumë nga sa njerëzimi po përdorte, ndaj nuk është çështje e burimit, por ka të bëjë me teknologjinë.
Kur ndryshimi klimatik u bë një çështje e rëndësishme, thashë se ne duhet ta çojmë përpara zgjidhjen e sistemeve diellore, sepse zgjidh një problem shumë industrial të qytetërimit tonë dhe njëkohësisht i bën mirë edhe natyrës.
Strategjia ime ishte të kërkonim përforcues. Një rast shumë i mirë ishte Klubi i Romës, me president princin Hassan nga Jordania. Patëm një seminar me ekspertë. Përfshimë pjesëmarrës nga Europa, por edhe njerëz nga Afrika e Veriut, Jordania dhe Lindja e Mesme. Ata të gjithë thanë se do të ishte diçka shumë e mirë për ta, të kishin një gjë të tillë.
Teksa ne bëmë studimet nëse ishte e mundur apo jo të zbatohej projekti i mbulimit të shkretëtirave me panele diellore, shumë gjëra ndryshuan. U përfshinë politikanët dhe hynë në lojë drejtime të ndryshme të projektit dhe tanimë kur projekti duhej të ishte në fazë zbatimi, situata në Lindjen e Mesme dhe Afrikë është shumë e ndryshme dhe e trazuar. Megjithatë, kërkesa për instalim të paneleve nuk ka ndryshuar.
“Kujdes nga problemet politike”
Tony Patt, profesor i politikës klimatike në Institutin Zviceran të Teknologjisë në Zyrih, i cili drejton hulumtimin nga Këshilli Europian i Kërkimit për të zbuluar nëse dielli mbi Sahara mund t’i japë energji Europës, thotë se teknologjia është në formën e duhur. Argumentimi:
Teknologjia është në rregull. Ka përparuar shumë që nga vitet e fundit, në kuptimin e ruajtjes termale. Do të na lejonte ta çonim nxehtësinë e marrë nga dielli dhe ta ruanim atë, le të themi, më shumë se një ditë e të prodhonim energji më vonë.
Dhe shkretëtira e Saharasë është shumë e madhe dhe nëse do të ketë re, është e lokalizuar dhe ka depozita termale që mund të ofrojnë energji të qëndrueshme. Unë jam amerikan dhe ne në Boston marrim një sasi të madhe energjie nga Kebeku verior, që është rreth 1000 milje larg përmes një kablloje të vetëm energjie. Nuk është e vështirë të ndërtosh për sa kohë ke miratim politik nga juridiksionet ku shkel. Për më tepër që nuk humbet shumë energji gjatë rrugës. Vetëm dy për qind të asaj që merr. Problemi më i madh ndodhet te politika, sepse nëse ndërtojmë në Sahara panele diellore, duhet një unifikim i fortë shtetëror, pasi investohen shumë para.
“Afrika duhet t’i ndajë përfitimet”
Daniel Egbe, specialist vlerësimi për Bankën Botërore dhe gjithashtu akademik i përqendruar tek energjia e rinovueshme, thotë se Afrika do të përfitojë shumë, por nuk duhet të përfitojë e vetme. Argumentimi:
Afrika ka një problem akut me energjinë. Vetëm rreth 30 për qind e afrikanëve të zonës Subsahariane kanë akses tek energjia. Zhvillimi ekonomik në Afrikë është tani rreth 5.5 për qind, por ka mungesë të theksuar të energjisë elektrike.
Si një afrikan që njeh historinë e shfrytëzimit përgjatë viteve, ka një hendek të madh midis pasurive që ka vendi dhe pasurisë që përfiton. Afrika është ende e varfër prej kolonializmit, por gjërat kanë ndryshuar disi. Afrikanët janë të bindur të marrin pjesë në zhvillimin e tyre, të përfitojnë prej burimeve që kanë, pse jo edhe t’i ndajnë ato me të tjerët, për sa kohë marrin atë që duan dhe i zgjidhin problemet e tyre.
“Vetëm teknologjia nuk zgjidh gjë”
Helen Anne Curry, një profesoreshë në Departamentin e Historisë dhe Filozofisë së Shkencës në Kembrixh, thotë se optimizmi na bën mirë, por mbështetja vetëm në teknologji, nuk do të sjellë të gjithë zgjidhjen. Argumentimi:
Zgjidhja teknologjike e problemeve është tepër joshëse dhe për më tepër, teknike. Por pa ndryshuar mënyrën thelbësore të jetesës sonë, nuk mund të presim që teknologjia të na i fshijë si me shkop magjik problemet.
Ne mund ta përdorim shkencën dhe teknologjinë për të bashkuar njerëzit në botë për një cilësi më të madhe jetese, e nga ana tjetër na duhet ta mendojmë projektin e paneleve diellore në Sahara, si një mënyrë ideale të bashkimit të popullsisë botërore për të ndryshuar mënyrën tonë të jetesës.
Burimi: BBC