Rajoni

 A do të jetë Bullgaria vendi i 20 që do t’i bashkohet Eurozonës?

Sidoqoftë, është dëshira e këtij shteti të Europës Lindore me pak më shumë se 7 milionë banorë…

Qeveria e Bullgarisë ka miratuar një plan veprimi pak ditë më parë, që e vë theksin në hyrjen e vendit në paradhomën për anëtarësimin në BE dhe gjithashtu hyrjen në unionin bankar deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.
Ministri bullgar i Financave, Vladisllav Goranov kishte nisur ndërkohë diskurimet me homologët e tij nga Eurogrupi lidhur me pranimin e vendit të tij në monedhën e vetme europiane.

Komisioni Europian ka pohuar se mirëpret përpjekjet e Bullgarisë për të hyrë në Eurozonë. “Rezultati ka më shumë rëndësi se afati”, paralajmëroi Benedict Coeuré, një anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, i cili nuk e përjashton që kjo periudhë e vlerësimit prej një viti mund të tejkalohet.

Në qershor, Sofja kërkoi që të bashkohej me Bashkimin Bankar dhe mekanizmin e kursit të këmbimit (ERM), d.m.th. kuadrin rregullator bankar të Eurozonës dhe sistemin e barazisë fikse në të cilin një shtet duhet të qëndrojë pak para se të hyjë në Eurozonë. Nga ana tjetër, Sofja do të donte të finalizonte hyrjen në qershor 2019. Afati përfundimtar duket realist, por europianët parapëlqejnë të mos angazhohen në një datë të caktuar në këtë fazë të hershme.

Hapat për të hyrë në Eurozonë

Për të hyrë në Eurozonë, një vend duhet të bëjë një formular zyrtar të aplikimit. Më 28 qershor, Kryeministri bullgar Bojko Borisov i tha Brukselit se vendi i tij do të fillojë brenda pak javësh procedurën për t’u bashkuar me Eurozonën.

“Kur një vend bën një kërkesë zyrtare, kryhet një hetim njëvjeçar për të verifikuar kriteret e Mastrihtit”, shpjegon për “Figaro” Sandrine Levasseur, ekonomiste në Observatorin francez të kushteve ekonomike i specializuar në çështjet europiane. Ekonomistja shpjegon se ky hetim ka të bëjë me pesë elemente: borxhin publik (i cili duhet të jetë më i ulët se 60% i PBB-së), deficitin publik (i cili duhet të jetë më i ulët se 3% i PBB-së), inflacionin, normën e interesit mbi borxhin publik dhe përkatësinë në mekanizmat europianë të kursit të këmbimit. Nëse hetimi jep përfundime, ai ndjek një periudhë prej 6 muajsh për të siguruar konvertimin e monedhave dhe për të futur euron.

Bullgaria ka çdo mundësi, por disa frenime mbeten

“Në bazë të shifrave në dispozicion, Bullgaria i plotëson kriteret e Mastrihtit pa vështirësi”, thotë Sandrine Levasseur. Sipas ekonomistes, Bullgaria shënoi një tepricë fiskale prej 0.9% të PBB-së në vitin 2017, ndërsa në atë vit, borxhi publik arrinte në vetëm 24.5% të PBB-së. Lidhur me inflacionin*, vendi ballkanik është gjithashtu brenda normave të vendosur si më sipër. “Bullgarët janë në 1.2%, ndërkohë që inflacioni maksimal i lejuar është 2.1%”, thotë Sandrine Levasseur.

Lidhur me normën e interesit të borxhit publik **: Bullgaria ishte 1.6% në 2017, ndërsa tavani ishte 3.3%, sipas llogaritjeve të ekonomistit. Së fundi, kriteri i fundit, “kërkon që kursi i këmbimit të vendit të mos luhatet më shumë se 15% përgjatë dy vitesh”, thotë Sandrine LEVASSEUR. Para se të vazhdojmë: “Që nga viti 1999, monedha bullgare (Lev bullgare,) ka një kurs këmbimi fiks kundrejt euros”. Kjo quhet “currency board”: është një sistem i veçantë i dhënies së parave në të cilin vlera e një monedhe kombëtare është në linjë me atë të një monedhe tjetër. “Bullgaria nuk ka më një politikë monetare autonome që nga viti 1999, është subjekt i vendimeve të politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane”, vëren Sandrine Levasseur. Në mënyrë të veçantë, duke u bashkuar me Eurozonën, Bullgaria do të ketë disa avantazhe: përfshirje më e gjerë në vendimet europiane për politikën monetare, të jenë më të lidhur me zonën europiane por mbi të gjitha, fshirja e kostove të konvertimit, nga e cila do të përfitojnë shkëmbimet tregtare.

Edhe nëse Bullgaria i përmbush kushtet ekonomike për kalimin në euro, shkalla e korrupsionit në vend hedh një hije mbi ambiciet e saj. BQE është gjithashtu shumë e shqetësuar për gjendjen e bankave bullgare dhe së pari do të dëshironte të kryejë një stress test. Javët e ardhshme duken të jenë vendimtare.

* Për të llogaritur inflacionin maksimal të lejuar, është e nevojshme të llogaritet mesatarja e normës së inflacionit e tre vendeve me më pak inflacion të Bashkimit Europian dhe pastaj të shtohen 1.5 pikë.
** Për të llogaritur normën e interesit mbi borxhin publik maksimal të lejuar, është e nevojshme të llogaritet mesatarja e normës së inflacionit e tre vendeve me më pak inflacion të Bashkimit Europian dhe pastaj të shtohen 2 pikë.

Disa shifra mbi gjendjen ekonomike të Bullgarisë

Më poshtë disa të dhëna socio-ekonomike për Bullgarinë:

• 7 milionë banorë. Sipas të dhënave nga Instituti Demografik Kombëtar francez , Bullgaria kishte 7,101,859 banorë që nga 1 janari 2017. Situata demografike në Bullgari është shqetësuese: në vitin 2016, vendi shënoi më shumë vdekje (107,580) sesa lindje (64,984).

• Papunësia prej 5%. Sipas të dhënave të Eurostatit, norma e papunësisë në Bullgari ishte 5% në maj 2018. Në të njëjtën datë, kjo normë arriti në 8.4% në Eurozonë (19 shtete) dhe 7% në BE (28 shtete).

•Rritja prej 3.4% në vitin 2016. Sipas Eurostat, Bullgaria ka shënuar rritje mesatare të PBB prej 2.2% gjatë periudhës 2006-2016 (krahasuar me mesataren prej 0.5% për Eurozonën në tërësi). Vendi shënoi rritje të fortë, rreth 7%, përpara se të goditej rëndë nga kriza financiare e vitit 2008. Vitin e ardhshëm, në vitin 2009, Bullgaria madje pësoi rënie të PBB-së me 3.6%. Pas disa viteve të rritjes “të butë”, Bullgaria është kthyer në një rritje më të qëndrueshme: pasuria kombëtare është rritur me 3.4% në vitin 2016.

•22%: ishte shkalla e varfërisë në Bullgari në 2014, sipas të dhënave nga të Institutit francez të Statistikave. Kjo normë ishte 17% për të gjithë Bashkimin Europian. Paga minimale në Bullgari arrin 261 euro, niveli më i ulët në mesin e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button