A e dini sa janë 2 miliardë euro? 104 mijë bizneset në Shqipëri fitojnë vetëm gjysmën e kësaj shifre
Si ekonomia e parave të pista po shtrembëron ekuilibrat e brishtë makroekonomikë, po shkatërron eksportuesit, po rrit çmimet e apartamenteve, po thellon pabarazinë…
Ambasadori i ri i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt, ka bërë mbrëmë një deklaratë të fortë në ora News, kur ka pohuar në “Tonight Iva Tare” thotë se “qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista”.
Por sa e rëndësishme është kjo shumë për ekonominë shqiptare. Monitor po sjell disa krahasime:
-2 miliardë euro janë sa 18% e asaj që prodhon gjithë ekonomia shqiptare në një vit. Sipas Ministrisë së Financave, prodhimi i brendshëm bruto për vitin 2016 është 1.5 trilion lekë, apo rreth 11 miliardë euro.
-Sipas anketës strukturore të ndërmarrjeve të vitit 2015, të sapopublikuar nga INSTAT, bizneset kanë raportuar në total fitime neto prej 156 miliardë lekësh në viti, apo rreth 1.1 miliardë euro. Pra 104 mijë bizneset, që me mund përpiqen të mbijetojnë në një treg ku konsumi është i dobët dhe konkurrenca po shtohet, arrijnë të fitojnë vetëm gjysmën e sasisë së parave të pista që qarkullon në ekonomi.
-Për vitin 2016 eksportet në Shqipëri në total ishin 243 miliardë lekë, apo rreth 1.8 miliardë euro. Këtë vit, eksportuesit po gjenden në vështirësi për shkak të rënies së ndjeshme të euros, në rreth 135 lekë, nga 140 lekë një vit më parë, që duket se si shkak kryesor sasinë e lartë të valutës së pistë që po hyn në Shqipëri. Ky është një shembull i qartë se si ekonomia kriminale po konkurron ndjeshëm bizneset e ndershme.
-Të ardhurat totale në buxhet për 2016-n ishin 3 miliardë euro. Kjo është shuma që institucionet shtetërore arrijnë të mbledhin nga taksat në ekonomi.
-Të ardhurat nga remitancat, pra paratë që emigrantët që punojnë jshtë vendit, dërgojnë tek të afërmit e tyre në Shqipëri, ishin 752 milionë në 2015.
-Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë, që institucioni monetar qendror i mban të llogaritura në muaj importe për çdo rast emergjence, 2.8 miliardë euro.
Ekonomia shtrembëruese e parave të pista dhe shtimi i pabarazisë
Ekonomia e parave të pista tashmë ka filluar të shtrembërojë ekuilibrat e brishtë makroekonomikë. Në mënyrë të pazakontë, euro ka zbritur aktualisht në 135 lekë, nga 139 lekë në janar të një viti më parë, duke pasur një sjellje të kundërt nga vitet e kaluara, kur pavarësisht rënies së monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare, ajo qëndronte në nivelin e 140 lekëve në tregun vendas. Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja lidhet me ofertën e lartë në euro.
Konsumi rezulton në rritje, por është e vështirë të dallohet se sa ka ardhur nga përmirësimi i ekonomisë dhe sa nga paraja e aktiviteteve kriminale. Në mënyrë paradoksale, papunësia po ulet nga rritja e të punësuarve në bujqësi, kur vetë sektori zyrtarisht, sipas të dhënave të INSTAT, rezulton me rënie.
E dhëna më e fundit, vjen indirekt nga tregu i pasurive të paluajtshme. Ka një rritje të ndjeshme të shitjes së apartamenteve në zona të preferuara dhe mjaft të shtrenjta të Tiranës, me para në dorë muajt e fundit, që po paguhen me të ardhura të padeklaruara që vijnë nga ekonomia e zezë .
Një tregues i qartë ky i rritjes së pabarazisë, teksa disa individë po arrijnë të pasurohen me shpejtësi brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe po tërheqin rritjen e shpejtë të çmimeve të apartamenteve, në kurriz të atyre që do t’u duhen tashmë më shumë vite punë e më shumë kursime të mundimshme për të blerë shtëpinë që mund ta kenë ëndërruar gjithë jetën, por që po bëhet “mollë e ndalueme” për ta. Çmimet e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet, po rriten për shkak të blerjeve me para në dorë, me të ardhurat informale.