A është Fidel Kastro një profet?
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të negociojnë me ne, vetëm atëherë kur të kenë në krye një president me ngjyrë dhe kur bota të ketë një Papë latino-amerikan.” Thashethemet që po qarkullojnë së fundmi në internet për vërtetësinë e këtij citati të vitit 1973, pretenduar të jetë thënë nga Kastro, vihen në dyshim nga investigimi që ka bërë gazeta e famshme gjermane, “Bild”
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të negociojnë me ne, vetëm atëherë kur të kenë në krye një president me ngjyrë dhe kur bota të ketë një Papë latino-amerikan.”
Këto fjalë profetike pretendohet të ketë thënë ish-kreu i shtetit dhe lideri i revolucionit kuban, Fidel Kastro, në vitin 1973. “Dhe tashmë, 42 vite më vonë, ai duket se paskësh goditur në shenjë”, kanë konstatuar së fundmi shumë blogera në internet.
Shkrirja e akujve në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kubës ndodh pikërisht në kohën që ishte parashikuar nga Kastro?
Në korrik 2015, flamuri amerikan për herë të parë prej dekadash valëvitet sërish në kryeqytetin kuban dhe Uashingtoni ka një ambasadë në Havana, e anasjelltas, kubanët në Uashington DC.
Dukshëm në këtë zhvillim janë angazhuar: Presidenti amerikan, Obama, dhe Papa Françesku, i cili në muajt e fundit, me negociatat që zhvilloi me regjimin kuban, i kurorëzoi ato me sukses.
Tashmë adhuruesit e Fidel Kastros lavdërojnë El Comandante-n në mediat sociale për largpamësinë e tij dhe kanë nisur t’i parashkruajnë atij aftësi profetike. Kanë qenë disa portale lajmesh që e kanë sjellë në vëmendje publike këtë fakt, mbushur me komente e diskutime.
Mirëpo, a është citati i pretenduar i Kastros, i vërtetë? A e kishte parashikuar ish-presidenti kuban në vitin 1973 në fakt shkrirjen e akujve mes dy vendeve armike në vitin 2015?
Gazeta gjermane “Bild” ka rënë në gjurmë të kësaj historie dhe ka hasur në disa gjetje mbresëlënëse.
Konferenca e shtypit në Havana
Sipas disa burimeve të ndryshme në internet, Kastro duhet ta ketë thënë fjalinë që ka ngjallur shumë debat e kureshtje në kryeqytetin kuban Havana. Në një forum thuhej:
“1973, direkt pas rikthimit të tij nga vizita që zhvilloi në Vietnam, komandanti Fidel Kastro zhvilloi një konferencë për shtyp me përfaqësues të medias ndërkombëtare. Gazetari Brian Davis i një agjencie britanike lajmesh e pyeti: Çfarë mendoni, a do të rivendosen sërish marrëdhëniet mes Kubës dhe SHBA-së, dy vendeve që janë kaq larg njëri-tjetrit tashmë? Fidel Kastro e pa atë thellë në sy dhe i tha më pas atij dhe të gjithë të pranishmëve në sallë: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të negociojnë me ne, kur të kenë një president me ngjyrë dhe kur bota të ketë një Papë latino-amerikan”.
Kjo është e gjitha çka mund të thuhet rreth rrethanave në të cilat është thënë fjalia e Kastros. As nuk ekziston ndonjë shkresë zyrtare e intervistës, e as ndonjë regjistrim me kamera TV apo mikrofon i ndonjë medie. Madje as data e saktë e intervistës nuk arrihet të merret vesh.
Kështu, si e vetmja pikë e besueshme, nga e cila mund të merrej vesh diçka më e saktë, është vetë gazetari Brian Davis, i cili për pyetjen e tij, mori si përgjigje një citat që po kërkon të hyjë në histori.
Gjurma të shpie në Vietnam
Për të verifikuar vërtetësinë e kësaj historie, duhet sqaruar nëse Fidel Kastro në vitin 1973 ka qenë në Vietnam, bazamenti ku mbështetet edhe historia e citatit “të famshëm” tashmë.
Ngaqë vizita u zhvillua në kohët e Luftës së Ftohtë dhe Castro duhej të bënte kujdes për jetën e vet, nuk ka asnjë dokument zyrtar që të dokumentojë udhëtimet e tij. Mirëpo në një shkresë sekrete të ambasadës së SHBA-së në Saigon, asokohe kryeqyteti i Vietnamit të Jugut, publikuar së fundmi nga Wikileaks, biem në gjurmë të asaj vizite.
Sipas saj, rezulton se Fidel Kastro kishte qëndruar në fakt nga data 12 deri më 17 shtator 1973 në Vietnamin e Veriut, siç njihej asokohe pjesa e kontrolluar nga komunistët. Ai vizitoi zonat e kontrolluara nga komunistët edhe në jug të vendit, duke u bërë kësisoj i pari President komunist që bënte diçka të tillë.
Në fund të vizitës së tij, ai mori pjesë në një banket në kryeqytetin e Vietnamit të Veriut, Hanoi, që u zhvillua për nder të tij.
Versioni se Kastro e ka dhënë intervistën e pretenduar ku ka thënë edhe citatin e dyshimtë pas vizitës në Vietnam, mund të jetë pra i imagjinueshëm dhe i vërtetë. Edhe koha e intervistës mund të definohet si e kryer në mes të shtatorit 1973.
Gazetari enigmatik australian udhëtoi me Kastron
Mirëpo çfarë kishte të bënte njeriu që i bëri pyetje atij e që fliste anglisht Brian Davis me Kastron dhe a mund të lidhet ai me vizitën në Vietnam?
Redaksia e gazetës gjermane “Bild”, ka zhvilluar edhe disa kërkime të tjera dhe ka arritur më në fund të gjejë monumentin që i kushtohet reporterit të luftës nga Australia. Këtu një farë Neil Brian Davis shihet të ketë qenë reporter lufte në vitet ’60 – ’80.
Dhe në fakt, Davis kishte qëndruar në vitet 1970 – 1975 në Kamboxhia, udhëtonte megjithatë shpesh në fqinjin e saj, Vietnam, për të raportuar mbi zhvillimet e luftës atje.
Kështu, deri në qershor 1973, ai punoi për agjencinë britanike të lajmeve “Visnews”, të cilën më pas e braktisi për të punuar si gazetar i lirë. Por ai vijoi të qëndronte në rajon deri në marrjen e Saigonit nga trupat e Vietnamit të Veriut në vitin 1975.
Një (!) “Gazetar i një agjencie angleze me emrin Brian Davis” ishte gjithashtu në të njëjtën kohë me Fidel Kastron në Vietnam. A fluturoi ai pas vizitës së tij bashkë me të për të thënë pyetjen e nëmur dhe të merrte mbrapsht përgjigjen profetike të liderit kuban? Këto pyetje nuk mund të gjejnë një përgjigje përfundimtare. Mirëpo shumë indicie flasin për këtë gjë.
Çfarë flet kundër vërtetësisë së citatit të Kastros?
Megjithatë mbeten shumë dyshime. Pyetjet më të rëndësishme janë:
Përse për këto citate apo këto thënie po flitet vetëm nga prilli i 2015? Përse nuk ka asnjë dokument me zë, edhe pse aty paskëshin qenë shumë gazetarë të tjerë? Dhe përse qarkullojnë në internet dy versione shumë të ndryshme nga njëri-tjetri të citatit origjinal në spanjisht?
Të gjitha këto pyetje mbesin pa përgjigje dhe nuk ka askënd në botë që mund t’u përgjigjej atyre.
Shëndeti i 88-vjeçarit Fidel Kastro, sipas raporteve mediatike, është goditur rëndë e thëniet e tij për ngjarjet e 42 viteve më parë, duhet të jenë kështu tepër të dyshimta.
Edhe gazetari i atëhershëm që mendohet se kreu intervistën, Brian Davis, nëse ka qenë ai, nuk mund të pyetet dot personalisht. Ai ka vdekur në vitin 1985 gjatë shpërthimit të një granate në një puç ushtarak që po zhvillohej në Tailandë.