A ka vdekur Partia Socialiste?

Titulli i kësaj analize, në formën e një pyetjeje retorike dhe të një figure gjuhësore, është zgjedhur qëllimisht për të tërhequr vëmendjen e socialistëve shqiptarë dhe të publikut të gjerë mbi gjendjen dhe fatin e Partisë Socialiste. Ai ngre dyshime dhe provokon debat ose kritika mbi gjendjen aktuale të partisë më të madhe në vend dhe mbi shëndetin e demokracisë në Shqipëri. Me këtë titull unë nuk pyes nëse PS ka pushuar realisht së ekzistuari, edhe pse fjala “vdekje” nënkupton fundin e një organizmi të gjallë, siç është, ose duhet të jetë edhe një organizatë politike, por nënkuptoj se PS mund të ketë humbur energjinë, identitetin, besimin dhe shpresën e qytetarëve që e kanë mbështetur dhe e mbështetin dhe e votojnë për të.
Pas këtij sqarimi të nevojshëm, qysh në krye parashtroj një tezë polemike, ose bëj këtë pohim kritik, që nga pikëpamja stilistike dhe retorike mund të konsiderohet si një antitezë paradoksale: Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, qysh nga viti 2013, i ka fituar Partia Socialiste, jo kryetari i saj, por vendin nuk e ka drejtuar dhe nuk drejton kjo parti, por kryetari i saj.
Edhe pse PS ka qenë, është e do të mbetet edhe për një të ardhme të parashikueshme partia politike më e madhe në vend, kjo parti nuk ka zë. Në emër të saj flet një njeri i vetëm—kryetari i partisë, në këtë rol dhe, sidomos, në rolin e kryeministrit të vendit. Partia dhe shteti janë bërë një, siç kanë qenë e janë në sistemet autoritaristë.
Në një demokraci funksionale, kur flet partia, lideri dëgjon dhe vepron në përputhje me vijën, sugjerimet dhe direktivat e partisë. Në Shqipërinë e sotme flet vetëm lideri, ndërsa Partia Socialiste hesht. Një e vërtetë që nuk mund të mohohet dhe as të fshihet është kjo: një lider që i trembet mendimit kritik të anëtarëve të partisë, ose të deputetëve të partisë në parlament, i trembet vetë demokracisë dhe nuk e do e nuk punon për të.
Kryetari i PS-së e ka vënë partinë në rresht, i ka disiplinuar dhe regjimentuar anëtarët e saj duke ua mbyllur gojët. Askush në PS dhe në grupin parlamentar të saj nuk guxon të mendojë ndryshe nga kryetari-kryeministër dhe aq më pak të shprehë një pikëpamje të ndryshme nga e tij. Shumica e deputetëve socialistë janë thjesht ushtarë të kryetarit, të komanduar në çdo hap e në çdo gjë prej tij, jo socialistë me bindje, jo mendje të hapura e të lira.
Kryetari e ka shndërruar PS-në nga një organizatë politike, në një strukturë të disiplinuar vertikalisht, ku dominon bindja ndaj kryetarit dhe konformizmi, jo mendimi, fjala dhe debati i lirë. Një parti pa debat është një organizatë pa jetë politike. Dhe në një parti ku guximi për të folur mungon, ose ndëshkohet, fillon të sundojë mediokriteti. Ajo parti nuk është më dhe nuk funksionon si një komunitet politik me demokraci të brendshme. Kulti i së vërtetës dhe kolegjialiteti janë zëvendësuar nga kulti i kryetarit. Dhe më mirë se kudo kjo pasqyrohet në jetën dhe vendimmarrjen e grupit parlamentar të asaj partie. Disiplina është vërtet një normë e çdo partie politike, por kur ajo mbyt mendimin e lirë, bëhet një inkubator dhe instrument i mediokritetit politik.
Momenti kur një kryetar partie fillon të kërkojë më shumë besnikëri prej anëtarëve dhe organeve drejtuese të saj sesa ide, më shumë heshtje sesa debat, është edhe momenti kur ajo parti fillon të varfërohet shpirtërisht. Të mos harrojmë se demokracia e brendshme në parti nuk shuhet me një akt të vetëm; ajo dobësohet e venitet ngadalë—shpesh në mënyrë thuajse të padukshme—sa herë që guximi për të folur zëvendësohet nga konformizmi dhe sa herë që autoriteti i kryetarit ngrihet mbi autonominë e mendimit. Partia mund të duket e fortë por, në thelb, ajo pushon së qeni një bashkësi idesh e parimesh dhe bëhet vetëm një mekanizëm pushteti.
Nën drejtimin e kryetarit aktual të saj, PS dhe, sidomos deputetët e saj, nuk janë më një hapësirë publike e politike e mendimit të lirë, por një kazermë politike, një ushtri konformistësh nën komandën e kryetarit, ku guximi për të mbrojtur idetë dhe parimet socialiste, fjala dhe mendimi kritik sakrifikohen në emër të bindjes ndaj kryetarit.
Deputetëve socialistë kryetari i partisë u kërkon bindje, jo ide. Idetë i ka vetëm ai dhe bën si të dojë. Të tjerët kanë veshë, por jo gojë, duar e kartonë por jo mendim. Në këtë mënyrë, kryetari nuk drejton më një parti politike, por një kazermë. Në një kazermë nuk kërkohet mendim, por urdhër; nuk vlerësohet guximi për të folur, por bindja dhe heshtja.
Një parti politike jeton nga fjala e lirë, nga guximi për të kundërshtuar dhe nga mendimi kritik i anëtarëve të saj. Partitë politike krijohen si bashkësi njerëzish që ndajnë ide, bindje dhe aspirata të përbashkëta, por edhe si hapësira ku këto ide testohen përmes debatit dhe mendimit racional kritik.
Forca e një partie politike nuk qëndron thjesht te programi i saj apo te kryetari, por te liria e brendshme që ajo parti u jep anëtarëve të saj për të menduar, për të kundërshtuar dhe për të kontribuar në formësimin e drejtimit politik të saj. Qysh më 1861, John Stuart Mill, në veprën e tij klasike Konsiderata mbi qeverinë përfaqësuese, argumentonte se cilësia e çdo qeverisjeje dhe e çdo organizate politike vlerësohet nga hapësira që ajo krijon për debat të lirë dhe kritikë të brendshme dhe se pa këtë liri, çdo organizatë rrezikon të bjerë në stanjacion dhe autoritarizëm. Të njëjtën pikëpamje mbronte edhe Walter Bagehot në veprën e tij Kushtetuta angleze (1867), kur shkruante se “liria për të folur, për të kritikuar dhe për të ndikuar në vendimmarrje brenda partisë është një mikrokozmos i lirisë në vetë shtetin”.
Partitë lindin, rriten e zhvillohen nga liria dhe pluralizmi i mendimit; ato varfërohen e vdesin nga uniformiteti i tij. Një parti e fortë nuk është ajo në të cilën të gjithë mendojnë njësoj, por ajo ku askush në parti (dhe as në grupin e deputetëve që e përfaqësojnë atë në parlament) nuk ka frikë të mendojë ndryshe. Uniteti i vërtetë lind dhe ushqehet nga bindja; uniteti i imponuar lind dhe ushqehet nga frika.
Kur liria për të menduar, guximi për t’u shprehur lirisht, dhe e drejta për të kundërshtuar zëvendësohen nga frika, konformizmi dhe disiplinimi vertikal, partia e humbet shpirtin e saj demokratik dhe pushon së qeni një organizatë demokratike. Ajo shndërrohet në një strukturë të centralizuar rreth vullnetit të një njeriu të vetëm. Ky quhet centralizëm autoritarist, ose partitokraci e mbyllur dhe vetë qeveria shndërrohet, siç edhe ka ndodhur realisht te ne, në një aparat personal pushteti.
Kjo dukuri përfaqëson pikërisht atë që, në sociologjinë e organizatave politike, Robert Michels e përshkruan si prirjen e partive politike për t’u transformuar nga institucione përfaqësuese, në aparate të kontrolluara nga një elitë e ngushtë drejtuese, ose nga një lider i vetëm.
Në një parti të tillë nuk kultivohet debati, por heshtja dhe bindja; nuk vlerësohet autonomia e mendimit dhe racionaliteti, por besnikëria ndaj kryetarit. Dhe një kryetar partie, i cili kërkon bindje absolute nga anëtarët e saj, nga organet drejtuese dhe përfaqësuesit e saj në parlament, nuk ndërton dhe nuk drejton një parti politike dhe një qeveri demokratike, por një oborr të vetin, ku mund të sundojë siç do ai vetë, jo siç do të donte masa e gjerë e partisë dhe siç do të ishte në të mirë të interesit publik.
***
Pikëpamja që unë mbroj dhe shpreh këtu se pa demokraci në parti nuk ka demokraci në qeverisje, mund të jetë normativisht shumë e fortë, por rasti i Shqipërisë ka provuar e provon se ajo është e vërtetë në praktikë. Janë partitë ato që formojnë elitën politike të vendit dhe është demokracia në parti ajo që kultivon kulturën demokratike të qeverisjes. Ata që vihen në krye të qeverisë, si rregull, qeverisin siç kanë mësuar të drejtojnë partinë. Giovanni Sartori, një ndër teoricienët më të shquar të demokracisë, i konsideronte partitë si “instrumentet kryesore të demokracisë”, pasi, theksonte ai, “nëse partitë nuk janë demokratike brenda vetes, i gjithë procesi demokratik komprometohet ngaqë udhëheqja që ato prodhojnë është ajo që qeveris vendin”.
Sa vura në dukje më sipër më sjellin në idenë e “liderit absolut”. Dukuria nuk është e panjohur dhe as vetëm shqiptare. Shumë kryetarë partisë, pasi bëhet kryeministre, kontrollojnë gjithçka: listat e kandidatëve, karrierën politike, vendimet strategjike.
Në Shqipëri, sot është bëtë normë që kryetari i partisë më të madhe, në postin e kryeministrit, kontrollon dhe vendos për gjithçka: çfarë do privatizohet, çfarë do prishet, çfarë do ndërtohen (rrugë, ura, tunele, konvikte studentësh, porte e aeroporte), ku, si, kur dhe nga kush; çfarë ligjesh do ndryshohen, si do të ndryshohen dhe në dobi të kujt; si duhet të jenë shkollat dhe universitetet, si duhet të kualifikohem mësuesit e pedagogët, ç’ditë të vitit duhen shpallur festa zyrtare etj., etj. Te ne, të gjitha këto i di dhe i vendos një njeri i vetëm, kryeministri, edhe pse nuk mbahet mend se kur ka qenë hera e fundit që Partia Socialiste e ka zgjedhuar atë kryetar të saj. Në këta 13 vite, kryeministri që kemi ka bërë çfarë ka dashur dhe si ka dashur ai vetë.
***
Alibia e kryeministrit dhe e bashkëpunëtorëve të tij të afërt servilë se PS ka fituar në katër zgjedhjet e fundit parlamentare dhe, për këtë arsye, kryeministri duhet të mbetet në krye të partisë pa qenë nevoja të rizgjidhet në atë post, nuk është një alibi demokratike.
Në sistemet parlamentarë, mandati nuk i jepet një individi të vetëm, por partisë. Kryeministri është thjesht figura që përfaqëson partinë fituese në zgjedhje të përgjithshme dhe në qeverisjen e vendit pas tyre. Fitorja e një partie politike në zgjedhje nuk mund të përdoret si një alibi për legjitimitet personal, si një fitore individuale e kryetarit të partisë për të justifikuar qëndrimin e vet në pushtet pa asnjë kufizim në kohë. Kjo lloj alibie quhet “retorikë e personalizimit të mandatit”, pasi qëndrimi në pushtet vishet me aureolën e legjitimitetit institucional kur, në fakt, legjitimiteti i fitores në zgjedhje i përket partisë.
Një logjikë e tillë i shërben personalizimit të partisë e të pushtetit, jo institucionalizimit të jetës politike në parti dhe të pushtetit. Dhe në një parlament në të cilin pushteti i kryetarit të partisë personalizohet në figurën e tij si kryeministër, një pjesë e madhe e deputetëve të asaj partie bëhen besnikë ndaj kryetarit, jo ndaj qytetarëve që i kanë votuar. Rrjedhimisht, siç shohim të ndodhë për ditë në Shqipëri, parlamenti dobësohet, ndërsa qeveria bëhet thuajse e pakontrollueshme. Kjo dukuri ndeshet edhe në disa prej demokracive të reja në Europës Lindore por, njëlloj si në periudhën e socializmit shtetëror, edhe në këtë periudhë post-socialiste, Shqipëria “ha bukë veç”, si një rast ekstrem.
Nga një parti, në të cilën mendimi i lirë nuk çmohet e nuk inkurajohet dhe në të cilën kryetari është gjithçka, anëtarët më të mirë largohen, ndërsa mbeten ata që besnikërinë ndaj partisë shndërrojnë në servilizëm ndaj kryetarit të saj. Kryetari mund të mburret se ka një parti “të bashkuar” kur, në të vërtetë, partia është tashmë një organizatë e varfëruar nga mendimi dhe e nënshtruar nga frika.
Si mundet deputetët e saj të përfaqësojnë qytetarët që i kanë votuar kur ata nuk përfaqësojnë dot veten e tyre? Si mundet që ata të flasin në emër të qytetarëve e të mbrojnë vullnetin dhe interesat e tyre, kur nuk janë të lirë të shprehin e të mbrojnë mendimet e veta? Uniteti i imponuar nga frika nuk është unitet, por heshtje kolektive. Historia politike dëshmon se, shpesh herë, uniteti i imponuar nga lart nuk është shenjë force e vitaliteti, por shenjë e një demokracie të brendshme në agoni, ose ta jetë.
Kur heshtja në parti dhe në radhët e deputetëve të saj në parlament zëvendëson debatin e lirë, guximi për të kundërshtuar kryetarin e partisë perceptohet si devijim nga linja e saj. Edhe pse, siç vura në dukje më sipër, partia mund të duket e bashkuar e në unitet, shpesh kjo është vetëm pamja e jashtme saj. Në të vërtetë, ajo rrezikon të humbasë vitalitetin intelektual dhe moral që e bën dhe e mban një organizatë politike të gjallë.
***
Partitë që përfundojnë në këtë gjendje nuk janë të afta të ndërtojnë një elitë politike të kualifikuar, të lirë e kritike, por një trupë të heshtur ndjekësish besnikë e të trembur, pa mendim, pa guxim, pa vizion, si kjo elite “socialiste” në parlament dhe në qeveri që sot drejton vendin.
Ata nuk janë më bashkëkrijues të politikës së partisë, por thjesht zbatues të vullnetit të një njeriu të vetëm, kryetarit. Një realitet i tillë ka varfëruar jo vetëm jetën e brendshme organizative, intelektuale e morale të partisë, por edhe vetë kulturën demokratike të shoqërisë.
Nuk duhet harruar se demokracia nuk mësohet vetëm në shkolla, si një teori politike mbi shoqërinë dhe shtetin, por edhe brenda partisë. Studiuesit e politikës i konsiderojnë partitë si “shkolla të demokracisë”. Robert Dahl, një tjetër teoricien i demokracisë ndër më të shquarit, në veprën e tij Poliarkia (1971), argumenton se “demokracia nënkupton një kulturë politike, në të cilën qytetarët trajnohen të marrin pjesë, të diskutojnë e të tolerojnë opozitën. Shkolla të kësaj kulture janë partitë politike”.
Nëse një parti lejon debat të hapur, zgjedhje realisht të lira brenda saj dhe respekton mendimin ndryshe, atëherë anëtarët dhe drejtuesit e saj marrin një kulturë demokratike dhe sillen në mënyrë demokratike. Kjo kulturë demokratike më pas sendërtohet dhe pasqyrohet në mënyrën e qeverisjes. Në të kundërt, një parti e organizuar dhe e drejtuar në mënyrë autoritariste prodhon drejtues që qeverisin në të njëjtën mënyrë.
Nëse vendimet në parti dhe, në emër të saj, nga mazhoranca parlamentare, merren nga një njeri i vetëm, nga kryetari-kryeministër, në mungesë të debatit të lirë, dhe nëse në zgjedhjet për strukturat drejtuese të partisë dhe në ato për organet përfaqësuese qendrore e lokale nuk ka konkurrencë të brendshme, atëherë elita që prodhon “partia” nuk krijohet në mënyrë demokratike dhe, ipso facto, qeverisja në emër të kësaj partie është jo tolerante ndaj kritikave dhe as e shtrënguar të mbajë përgjegjësi.
Siç me të drejtë vinte në dukje Samuel Huntington, “një parti që shtyp mendimin ndryshe brenda radhëve të saj, ka pak gjasa që ta tolerojë atë në qeverisje. Praktikat e mësuara në jetën e brendshme të partive kushtëzojnë dhe orientojnë sjelljen politike në qeverisje”.
Para tij, Maurice Duverger, në veprën e tij tashmë klasike, Partitë politike, argumentonte se, “demokracia e brendshme në parti nuk është një luks, por një parakusht për legjitimitetin e partisë në sytë e elektoratit dhe për funksionimin e demokracisë në shoqëri”.
Të njëjtën ide ka argumentuar sociologu i shquar amerikan Semour Martin Lipset, në veprën e tij Njeriu politik, në të cilën pohon se, “pa demokraci brenda partisë, përvoja e vendimmarrjes demokratike mbetet e kufizuar dhe demokracia në qeverisje vihet në rrezik”.
Në çdo demokraci përfaqësuese, partitë janë porta kryesore për të hyrë në jetën e organizuar politike të vendit, për t’u zgjedhur apo emëruar në organe dhe institucione drejtuese dhe për të marrë funksione politike e përgjegjësi. Kandidatët për deputetë në parlament, ata për një portofol në qeveri apo për poste në institucionet vendore kalojnë pothuajse gjithmonë përmes partive.
Kjo nuk ndodh në Shqipëri. Te ne, jo vetëm anëtarët e kabinetit qeveritar janë zgjedhja personale e kryeministrit (jo e partisë)—shumë herë emërime surprizë dhe në minutën e fundit për kryesinë e partisë, për publikun e gjerë, por edhe për vetë ata burra e gra, të cilëve kryeministri u ofron një portofol në kabinetin e tij—por edhe anëtarët e parlamentit dhe kryetarët e bashkive që përfaqësojnë atë parti, pa asnjë lloj konkurrence idesh e aftësish dhe pa garë në parti. Shumë prej tyre, madje, nuk i lidh asgjë me Partinë Socialiste.
***
Në mbyllje, dëshiroj të sqaroj se, gjithçka që kam parashtruar në këtë analizë, motivohet nga kujtimi i prindërve të mi, të cilën e deshën Partinë Socialiste qysh nga krijimi i saj dhe votuan për të deri në frymën e tyre fundit. Por motivohet edhe nga simpatitë e mia politike për këtë parti dhe nga respekti që kam për një numër të vogël deputetësh socialistë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët kanë pasur dhe kanë kurajën të mendojnë e të flasin ndryshe nga kryetari i saj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.