Absurdi i një “plani sekret” dhe momentet politike
Në prill të v. 1999, kur forcat e NATO-s nga ajri dhe Forcat Çlirimtare Popullore të Kosovës nga toka, po luftonin dhëmb për dhëmb me makinën luftarake të Sërbisë së Millosheviçit, në një nga gazetat e Tiranës u botua një shkrim nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të kohës, sot i ndjeri Veli Llakaj, ku jepeshin edhe hollësitë e përgatitjes të një “plani sekret”, që kishte përgatitur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, me porosi të E. Hoxhës, në v. 1981, “për çlirimin e Kosovës”.
Unë atëherë nuk e besova që mund të ishte përgatitur një “plan” i tillë, prandaj, kur një ditë takova në rrugë të ndjerin Maliq Sadushi, ish-kolegu im në akademi, i shpreha dyshimet e mia lidhur me të. Ai më dëgjoi dhe m’u përgjigj shkurt: “Po ka pasur një plan të tillë”.
Nuk vonoi veçse disa ditë dhe ai vetë shkroi hollësi lidhur me përgatitjen e atij “plani”.
Si atëherë edhe tani, që ky “plan” çuditërisht bëhet publik, mua, si ish-ushtarak dhe ish-pedagog në Akademinë Ushtarake Mehmet Shehu, ku kam pasur nderin të kisha student edhe gjeneral V. Llakajn, më duket një nga absurditetet më të mëdha që mund të prodhonte truri i plakur i E. Hoxhës.
E them këtë sepse, duke njohur profesionalizmin e lartë të dy gjeneralëve që u morën me përgatitjen e atij “plani”, nuk mund ta besoj kurrë që ata e kanë bërë me dëshirë atë. Kjo duke u nisur si nga situata ekonomike, ashtu edhe nga ajo ushtarake e Shqipërisë, në atë kohë, krahasuar me armikun, që do të ishte Jugosllavia e Titos.
Përmenda situatën ekonomike të parën, sepse është ajo baza e çfarëdo ndërmarrje tjetër, sidomos ushtarake. Pa një situatë ekonomoke të konsoliduar, nuk mund të bëhet fjalë për të ndërmarrë operacione luftarake të asaj shkalle. Po cila ishte situata ekonomike e jona në atë kohë? Ishim prishur me Republikën Popullore të Kinës për teka absurde të E. Hoxhës.
Le të kujtojmë se ishte Kina që na furnizonte me të gjithë bazën materiale të nevojshme si për zhvillimin e mtejshme të ekonomisë edhe për forcimin e aftësisë mbrojtëse, e theksoj, mbrojtëse, jo sulmuese të Republikës së Shqipërisë. Në atë kohë populli shqiptar furnizohej me ushqime të racionuara, dyqanet ishin pothuajse bosh, fshatarësisë i ishte hequr edhe lopa, ose dhija e vetme, me të cilën të lagte buzën me bulmet, i ishin hequr edhe ato metra katror rreth shtëpisë, ku mund të prodhonte ndonjë perime për t’u ushqyer. Në ato kushte, cila do të ishte baza ekonomike afatgjatë, pasi lufta nuk dihej sa do të vazhdonte, që do të siguronte vazhdimësinë e veprimeve luftarake?
Në të tilla kushte, a nuk është një miopi e pafalshme t’i hyje një aventure të tillë?
Situata ushtarake, si e varur nga situata ekonomike, nënkuptohet që nuk mund të ishte më e mirë, pale pastaj e pranueshme për të filluar një aventurë ushtarake me përmasa të tilla. Kina, që ishte furnizuesja jonë kryesore me armatime të rënda dhe pjesë materiale për avionat, tanket dhe artilerinë e ushtrisë tonë, nuk ishte më, pasi ne e kishim cilësuar “socialimperialiste” dhe e kishim rreshtuar, së bashku me Traktatin e Varshavës dhe NATO-n, në armiqtë “që rrezikonin pavarësinë e RPSSH”.
Atëherë, ku do t’i gjente Shqipëria furnizimet luftarake, që gjatë veprimeve luftarake do të dëmtoheshin? Këto pyetje as guxonin t’i shtronin hartuesit e “planit”, pale pastaj t’u jepnin edhe përgjigje shteruese, të cilat nuk mund të gjendeshin, sepse pastaj fati i tyre nuk do të dihej.
Për këdo që ka minimumin e njohurive ushtarake, pa folur pastaj për krerët e ushtrisë që u ngarkuan me përpilimin e “planit sekret”, është domosdoshmëri që, përpara se të ndërmerret një veprim luftarak, qoftë edhe në shkallë të ulët taktike, pale pastaj në përmasa të tilla strategjike, duhet të bëhet raporti i forcave.
Kjo do të thotë që, duhet të llogaritet sa ushtarë ka pala sulmuese dhe sa ajo mbrojtëse, sa tanke, sa artileri, sa avionë, sa rracione ushqimore dhe si do të sigurohen ato nga njëra palë dhe sa nga tjetra. Vetëm kur raporti i forcave është në favor të sulmuesit 1,5 e lart me 1, mund të fillohen veprimet luftarake. Në të kundërtën humbja është e siguruar.
A i kishin bërë këto llogari përpiluesit e “planit”. Unë them që jo. Ose i kishin bërë ashtu si i donte udhëheqja. Në të kundërtën do të arrinin në përfundimin se ndërmarrja e një veprimi të tillë do të ishte një aventurë e pariparueshme, si për Shqipërinë politike ashtu edhe për shqiptarët jashtë kufijve që ne mëtonim t’i çlironim. Le të kujtojmë se Shqipëria në atë kohë kishte rreth 3 milion banorë, ndërsa Jugosllavia rreth 17-18 milionë.
Në radhë të parë, një aventurë e tillë do të çonte në një varfërim më të skajshëm të popullsisë vendase, edhe ashtu të varfër, siç e theksuam më sipër. Përveç kësaj, një ndërmarrje e tillë do t’u jepte dorë të lirë serbëve të vazhdonin edhe më ashpër gjenocidin ndaj popullsive shqiptare në Jugosllavi.
Vrasjet dhe dëbimet e shqiptarëve nga trojet e tyre do të merrnin përmasa edhe më të mëdha sesa më parë, ndërsa mësymja shqiptare, do t’ua përligjte atyre një gjenocid të tillë përpara opinionit ndërkombëtar, që në shumicën dërrmuese ishte armiqësuar nga ne vetë.
Por më tragjikja do të ishte diçka tjetër. Nisur nga fakti se RPSSH do të ishte agresori, do t’i jepte të drejtë Jugosllavisë, që, pasi të kishte thyer sulmin e parë të forcave tona, të ndërmerrte mësymje në shkallë të gjerë, përgjatë gjithë kufirit shtetëror. Mundësia ishte që një drejtim kundërmësymje të ishte Strugë-Elbasan-Tiranë, një tjetër të ishtë Podgoricë-Shkodër-Tiranë.
Kështu do të realizohej ëndrra e vjetër sllave për aneksimin e Shqipërisë së Veriut. Sa i përket reagimeve ndërkombëtare, po e përsëris, vështirë që në atë kohë mund të gjendej ndonjë forcë e aftë ta ndalte Jugosllavinë në realizimin e planit të saj të vjetër. Kjo edhe sepse krijuesit e konfliktit do të ishim ne.
Pa folur pastaj që një situatë e tillë e turbullt do të bënte t’i rilindnin edhe Greqisë ëndrrat e vjetra për të ashtuquajturin Vorio Epir.
Të gjitha këto, të thëna shumë shkurt, a nuk e bëjnë “planin” në fjalë absurd dhe një aventurë tejet të rrezikshme për qenësinë e Shqipërisë Politike?
Si atëherë kur dolën në dritë hollësitë e këtij plani, pra në prill të vitit 1999, edhe sot më bën përshtypje momenti politik që është zgjedhur. Atëherë vazhdonte lufta për çlirimin e Kosovës. Duke botuar lajmin për një “plan” të tillë, ne i tregonim botës se ajo që po ndodhte në atë kohë, ka qenë në planet tona për krijimin e një Shqipërie të Madhe që shumë kohë përpara, ndërsa tani po vihej në jetë edhe me ndihmën e atyre.
A ishte kjo në të mirë të Kosovës? Mendoj që jo. Kjo bënte që Serbët të thoshin se shqitarët janë agresorë dhe lufta e Kosovës nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për një Shqipëri të Madhe.
Po sot pse rishfaqet ky problem? Mendoj, qofsha i gabuar, se mund të ketë lidhje me faktin që, në Maqedoni, faktori shqiptar u bashkua në kërkesat e veta për zbatimin e të drejtave të tyre të pasqyruara në Marrëveshjen e Ohrit.
A i bën mirë faktorit shqiptar në Maqedoni rinxjerrja e “planit sekret” në dritë tani. Mendoj që i bën vetëm keq.
Nga Guri Shyti