Afganistan, shpërthim pranë ish-bazës së CIA-s. 33 të vdekur
Një auto-bombë ka vrarë të paktën 33 persona, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, kur ka shpërthyer në afërsi të një baze ushtarake në Afganistan.
Atentatori hodhi veten në erë në një pikë kontrolli në afërsi të Camp Chapman, e përdorur dikur nga CIA, në provincën lindore të Khostit ditën e diel.
Në vitin 2009, baza në fjalë u bë pre e një prej sulmeve më të këqija, kur një kamikaz vrau 7 zyrtarë. Aktualisht baza strehon trupa afgane dhe të huaja, përfshirë këtu ato amerikane.
Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga zyra e guvernatorit të provincës thuhet se, 27 nga viktimat janë civilë, ndërsa të tjerët pjesëtarë të personelit të sigurisë.
Ndërsa një oficer i lartë i policisë tha për agjencinë “Associated Press” se, viktimat ndodheshin në automjetet e tyre, në pritje të kontrolleve për të kaluar postobllokun.
Për momentin, asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, edhe pse talebanët shpesh herë vënë në shënjestër trupat ushtarake dhe në fund të prillit njoftuan nisjen e një ofensive të re.
Provinca lindore e Khostit ndodhet në kufi me Pakistanin dhe është një nga zonat më të paqëndrueshme të Afganistanit.