Agjencia Europiane e Mjedisit: Në Shqipëri janë zhdukur 35% të pyjeve
Nga 2006-a deri në 2012-ën sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, në Shqipëri janë zhdukur rreth 727 hektarë pyje, apo rreth 35% e totalit…
Një herë e një kohë çdo gjë ishte fushë, këtë e thonë shifrat. Sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, 46% e 639 mijë hektarë tokë e urbanizuar nga 2006-a deri në 2012-ën përdorej më parë për të kultivuar kultura bujqësore, të cilat sot janë pjesë e një qyteti apo ndonjë rrugë ka kaluar mbi to.
Harta e mëposhtme paraqet krahasimin në përqindje të vendeve të ndryshme europiane. Kjo na bën të kuptojmë se cili vend ka konsumuar më shumë tokë pjellore mbi totalin e tokës së urbanizuar, më specifikisht, më shumë se dy mijë hektar, apo 85% e totalit të territorit të urbanizuar nga 2006-a dhe 2012-a.
Agjencia e Europiane e Mjedisit ka klasifikuar tokën e urbanizuar sipas përdorimit të mëparshëm në kullotë, pyje, tokë e kultivuar, zonë e gjelbër dhe kënetë.
Për sa i përket pyjeve, nivele më të lartë shpyllëzimi dhe kthim në tokë të urbanizuar kanë vendet Skandinave, me mbi 70% të totali të territorit të urbanizuar, Sllovenia me 69% të pyjeve të urbanizuara dhe Portugalia me 54%. Edhe rajoni i Ballkanit, sipas të dhënave, ka nivel të lartë të urbanizimit të tokave pyjore. Kroacia ka urbanizuar rreth 50% të tyre, Mali i zi 49%, Shqipëria dhe Bosnja përkatësisht me 35% të pyjeve të urbanizuara. Serbia dhe Maqedonia kanë shpyllëzuar 30 dhe 24.5% të pyjeve, ndërsa shteti më i ri i Europës, Kosova, vetëm 11.7%.
Në Lihtenshtajn 100% e tokës së urbanizuar është përdorur para 2006-ës për të kultivuar bimë, në Danimarkë 88% e territorit, në Sllovaki 78.3%, dhe në Itali 76.3%.
Po në Shqipëri? Nga 2006-a deri në 2012-ën janë urbanizuar 764 hektarë kullota apo 36.5% e totalit, 727 hektarë pyje apo 34.7%, 289 hektarë zona të gjelbra, 223 hektarë tokë e kultivuar, 68 hektarë me bimësi të rrallë dhe vetëm 18 hektarë kënetë.
Ndërsa për sa i përket zonave të gjelbra, krahasuar me rajonin, nivelin më të lartë të urbanizimit e ka Greqia me 27.3% të totalit. Shqipëria dhe Kroacia kanë urbanizuar rreth 13.8% të totalit zona të gjelbra. Më pas renditen Mali i Zi me Bosnje Hercegovinën me përkatësisht me 12.4 dhe 10.4% të totali të tyre. Ndërsa nivel më të ulët ka Kosova me 8%, Maqedonia me 5.9% dhe Serbia me vetëm 0.2% të totalit të tokës së urbanizuar.