Akujt po shkrijnë, si po shkon Toka drejt përmbytjes
Për të zbuluar rreziqet në të ardhmen nga rritja e nivelit të ujërave, Dutton dhe shkencëtarë të tjerë në të gjithë SHBA-në po studiojnë ndryshimet e nivelit të deteve, duke nisur nga 125 000 deri në 400 000 vite më përpara. Në ato kohë, temperatura në tokë ishte 1.5-2 gradë Celsius më e lartë sesa tani. Madje në disa, raste niveli i ujit ishte 7 deri në 9 metra më i ngritur sesa tani
Ndërmjet viteve 1901 dhe 2010 nivelet botërore të deteve u rritën mesatarisht 0.2 metra. Përgjatë shekullit të ardhshëm ato do të vazhdojnë që të ngrihen, por deri tani kjo është një nga ato pak gjëra që shkencëtarët e kanë të sigurt që do të ndodhë. Ajo që ata e kanë të vështirë të kuptojnë është se sa shpejt do të realizohet ky proces dhe në cilin vend të botës pasojat do të duken më shumë. Ky informacion do të jetë mjaft i rëndësishëm për të ndihmuar të gjitha komunitetet që jetojnë buzë bregut të marrin masat e nevojshme nga ndryshimi i klimës.
“Kjo është ajo pyetja që po na bren të gjithëve”, tha Andrea Dutton, asistent profesor i Gjeologjisë në “Florida University”. “Sa shpejt do të rritet niveli i deteve dhe sa shumë?”
Për ta zbuluar këtë, Dutton dhe shkencëtarë të tjerë në të gjithë SHBA-në po studiojnë ndryshimet e nivelit të deteve, duke nisur nga 125 000 deri në 400 000 vite më përpara. Në ato kohë, temperatura në tokë ishte 1.5-2 gradë Celsius më e lartë sesa tani. Madje në disa, raste niveli i ujit ishte 7 deri në 9 metra më i ngritur sesa tani.
Sipas grupit të studiuesve “Panel on Climate Change” (IPCC), planeti ynë do të arrijë prapë të tilla temperatura në vitin 2100 dhe kjo do të thotë që të kuptosh se çfarë ka ndodhur në mijëvjeçarin e shkuar, do të thotë që të jesh i përgatitur për të mbrojtur zonat më të prekshme nga baticat.
IPCC-ja llogarit se në 100 vitet e ardhshme, niveli i ujit do të rritet me 0.8 metra, por disa studiues mendojnë se ato do të ngrihen deri në 1.2 metra më shumë. Ndërkohë në disa zona, impakti ka nisur që të ndihet. Kështu në Floridën juglindore, katër konte, përfshirë këtu edhe Miami Dade dhe Palm Beach, kanë formuar një koalicion që quhet bashkësia krahinore e Floridës juglindore. Qëllimi i tyre është që të zhvillojnë strategji, për parandalimin e marrjes së terrenit nga deti dhe moslejimin e përzierjes së ujërave të kripura me ato të ëmbla.
“Njerëzit tani kërkojnë më shumë informacion të detajuar në zonat ku jetojnë, sepse komunitetet lokale po preken nga kjo”, tha Benjamin Kirtman, profesor i shkencave atmosferike në “University of Miami”. “Efektet krahinore janë shumë të rrezikshme.”
Por kërkimet krahinore duhet të bazohen edhe në ngjarjet globale që kanë të bëjnë me klimën. Shkencëtarët nuk e përjashtojnë mundësinë e shkrirjes së akujve në Antarktidën Perëndimore dhe Groenlandë. Richard Alley, ekspert i shkrirjes së akujve në “Pennsylvania State University”, thotë se aktualisht, shkencëtarët nuk i kanë të dhënat se si do të preket toka nëse kjo shkrirje e madhe e këtyre masave të stërmëdha të akullit do të ndodhë.
Shkencëtarët mendojnë se vetëm shkrirja e Antarktidës perëndimore mund të rrisë nivelin e ujërave deri në 3.4 metra në të gjithë planetin. “Temperaturat e ngrohta do të bëjnë që akullnajat të kthehen aq të brishta, si një dumë rëre në shkretëtirë, e prirur për t’u shkërmoqur”, vazhdoi Alley. “Ne nuk kemi bërë shumë kërkime për këtë çështje në organizatën tonë. Kemi mjaft paqartësi. Është e vështirë të themi nëse një kodër akulli do të shkërmoqet apo jo.”
Për më tepër që të krijosh një ide të qartë se si Toka ka qenë nga 11700 deri në 5.3 milionë vite më parë, nuk është aspak një detyrë e lehtë. Këto periudha, edhe pse të ndryshme, prapë kanë ngjashmëri mes tyre, si p.sh. temperaturat dhe niveli atmosferik i dyoksidit të karbonit të njëjta me ato që ne po përjetojmë në ditët e sotme.
Profesori i shkencave detare dhe bregdetare në “Rutgers University”, Ben Horton, mendon se të dhënat gjeologjike janë mjaft shqetësuese. Duke u kthyer pas 120 mijë vite, temperaturat ishin 2 ose 3 gradë Celsius më të larta sesa në ditët e sotme. E tillë do të shkojë temperatura në shekullin e ardhshëm sipas këtyre studiuesve. Kjo do të thotë se niveli i deteve do të rritet nga 3 deri në 9 metra. Sipërfaqe të tëra toke do të mbulohen nga ujërat. “Një rritje e tillë temperaturash është mjaft, mjaft e madhe”, shprehet Horton-i.
Maureen Raymo, profesor në “Columbia University”, studion ndryshimet klimaterike të sistemeve në periudhat e nxehta në të shkuarën, përfshirë këtu edhe epokën e Pliocene-s (nga 5.33 deri në 2.58 milionë vite më parë). Ajo thotë se ndërsa shkenca klimaterike ka marrë një rëndësi më të madhe në pesë vitet e fundit, ideja e studimeve të thella klimaterike për periudha kohore të ndryshme, nuk ka shumë kohë që ka nisur të aplikohet nga komuniteti i kërkuesve.
“Nuk mendoj se 10 vite më parë shkencëtarët e kishin kuptuar se sa i shpejtë ishte potenciali i rritjes së nivelit të deteve”, tha Raymo. E tillë situatë ka bërë që tani, kontetë në zonat e rrezikuara, planet urbanistike të tyre t’i bëjnë me kohëzgjatje pesëvjeçare dhe jo më shumë. Kjo, pasi situata në vazhdim do të jetë e paqëndrueshme dhe mund të kërkojë masa të tjera të ndryshme nga ato të planifikuara.
“Asnjë nuk e di se si do të duken gjërat 50 apo 100 vite më pas. Duhet që të veprojmë për një sasi kohore jo të madhe, më pas të përshtatemi”, tha Nicole Hefty, drejtuese e zyrës mjedisore në kontenë Miami-Dade.
Në gjirin Chesapeake, një zonë e sheshtë që vazhdon të mbulohet nga ujërat nga 1.1 deri në 4.8 milimetra çdo vit që nga 1940-a, banorët kanë nisur që të aplikojnë një projekt për t’u bërë ballë ndryshimeve klimaterike. Ndërtimet në vazhdim do të bëhen për të shmangur telashet nga rritja e nivelit të ujit dhe stuhitë e mundshme.
“Ky model mund të aplikohet edhe në vendet e tjera të rrezikuara në të gjithë territorin e SHBA-së”, tha Larry Atkinson, profesor në qendrën oqeanografike bregdetare fizike. Por projektet kanë nevojë për financa dhe kjo mund të jetë pengesë për disa komunitete.
Studiuesi Horton mendon se duke ditur se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, do të ndërtohen projekte që do t’u shërbejnë njerëzve dhe do të shmangin rreziqet e mundshme. “Sa më shumë të dhëna ke, aq më i përgatitur je për të marrë vendimet duhura”, sqaroi profesori. “Studimet që po kryhen mund ta rrisin edhe më tepër ndërgjegjësimin për ngrohjen globale. Të dhënat mund të tregojnë se sa i pazakontë ishte shekulli XX dhe do jetë ai XXI. Dhe kjo është shumë e rëndësishme si një edukim publik i shkencës. Këto rritje të shpejta të nivelit të ujit nuk janë parë për gati dy mijë vite”.